Regjistroni domainin tuaj .al

Zbulohet emblema e Gjuhës shqipe

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Zbulohet emblema e  Gjuhës shqipe
Zbulohet emblema e Gjuhës shqipe

Ka përmasa 53 me 40 centimetra dhe është një vepër e projektuar nga fotografi i famshëm Kel Kodheli. Është e qëndisur në mëndafsh dhe përveç një portreti të Vaso Pashës, mbi të shkruhet me të zezë “Rrnoftë gjuha Shqype”. Historia e saj është pak e çuditshme dhe duket sikur koleksionisti shqiptar, i pasionuar pas grumbullimit të informacioneve dhe fotografive të klubeve të para shqiptare, i ka rendur nga pas. E ka parë fillimisht në një dyqan antikuarësh në Tiranë, dyqan i cili u mbyll dhe më pas në Krujë, ku nuk e ka lënë t’i shpëtojë më nga dora. Sala tregon se është origjinale dhe këtë e vërteton në intervistë. Madje, rrëfen me detaje çdo gjë për sa i përket klubit “Gjuha shqipe”, historisë, anëtarëve dhe veprimtarisë së tyre. Çdo informacion e di mirë, sepse po punon për një libër kushtuar këtyre klubeve.

Si ju ka rënë në duar kjo emblemë?

Këtë emblemë e kam parë që para pesë vjetësh në një dyqan antikash të A. Petarit në Tiranë dhe pasi ky dyqan u mbyll, po këtë emblemë e gjeta në një dyqan antikuarësh në Krujë. Herën e parë për mungesë financiare nuk arrita ta blej dot, por kur e pashë përsëri dhe kisha njohuri më të mëdha për klubin “Gjuha shqipe”, klub së cilës i përket kjo emblemë, vendosa ta blej.

Ndonëse i përket klubit “Gjuha shqipe”, kush njihet si autori i saj?

Kjo është një emblemë e realizuar nga Kel Kodheli, i cili ishte anëtar i klubit “Gjuha shqipe”, njëkohësisht ai ishte dhe fotografi i njohur i Shkodrës, i cili te kjo emblemë kishte realizuar pjesën grafike të saj, ndërsa qëndisja është bërë nga qëndistaret e Shkodrës.

Çfarë simboli përfshihet në të?

Emblema ka përmasa 53 X 40 cm, është punuar në një copë mëndafshi, me penj të ngjyrosur pambuku dhe mëndafshi. Në pjesën e sipërme është figura e Vaso Pashës, rilindësit tonë të shquar, që qëndron mbi krahët e një shqiponje me një kokë. Në qendër të emblemës ndodhet një mburojë, në pjesën e kuqe të së cilës është shkruar me ngjyrë të zezë “Rrnoftë gjuha Shqype”. Në gjysmën e dytë të mburojës me ngjyrë qumështi të errët, është mali i Taraboshit, ndërsa me ngjyrë jeshile të hapur është liqeni i Shkodrës. Në të dy krahët e mburojës janë vendosur dy flamuj kuq e zi, gjë që vërteton edhe njëherë njohjen dhe ekzistencën e flamurit të para vitit 1912. 

A është emblema origjinale kjo që ju keni aktualisht dhe nëse po ku e vërtetoni këtë gjë?

Për vlerësimin e emblemës u konsultova me historianin dhe njohësin më të mirë të emblemave në Shqipëri, Jaho Brahajn, i cili më konfirmoi origjinalitetin e saj, si dhe njohjen dhe ekzistencën e mëparshme të kësaj embleme.

Po kush ishte klubi “Gjuha shqipe” që e përdori këtë emblemë?

“Gjuha shqipe” është krijuar në mesin e vitit 1911. Ky nuk është klubi i parë patriotik i krijuar në Shkodër. Para tij janë ngritur klubi “Bashkimi” në vitin 1899, “Agimi” në 1901, “Gegnia” në 1908 dhe pas tyre u bënë përpjekjet e para për të krijuar këtë klub që në shtator të vitit 1908. Përfundimisht klubi mori formën e tij, u bë me statut, u bë me vulë dhe emblemë në 30 dhjetor në 1910. Klubi u hap pranë kafe “Shkodra” në të njëjtin qytet.

Njihen shumë klube patriotike të tilla, edhe më të hershme. Çfarë kishte si qëllim kryesor ky klub dhe nga kush përbëhej?

Qëllimi i klubit ishte shtimi i dashurisë për gjuhën shqipe, si vetë emri, për hapjen e një biblioteke me libra, revista dhe gazeta shqipe në Shkodër si dhe financimin e fletores shqipe. Bie në sy pjesëmarrja e anëtarëve të njohur të familjeve të mëdha shkodrane, duke filluar që nga familja Çoba, Marubi, Kodheli, Saraçi, Sereqi, Çuçia, Koliqi etj.

Sa zgjati veprimtaria e tij?

Klubi vazhdoi veprimtarinë e tij deri në vitin 1914, duhet të kemi parasysh momentin jo fort të përshtatshëm të krijimit të klubit “Gjuha shqipe”. Në të gjithë Shqipërinë kishin filluar kryengritjet antiosmane të vitit 1911-1912, represioni i qeveritarëve turq ishte rritur ndjeshëm mbi arsimin, shtypin dhe shoqëritë e klubeve shqiptare. Shumë patriotë, gazetarë apo personalitete si Mihal Grameno, Feim Zavalani, Lef Nosi etj., u burgosën dhe u internuan. Nuk është se këta e kishin të lehtë veprimtarinë e tyre.

Çfarë përshihej në veprimtarinë e tij?

Siç ishte përcaktuar në statut, drejtimi i klubit mbështeti botimin e literaturës së gjuhës shqipe si dhe do të nxiste leximin në gjuhën shqipe te qytetarët e Shkodrës. Në bashkëpunim me shtypshkronjën “Nikaj”, klubi financoi botimin dhe përkthimin e At Shtjefën Gjeçovit “Kndime t’para për t’rritshëm” në vitin 1911, vepër e cila u botua në 500 copë dhe u rishtyp në 1912. “Ndodhina historije t’moçme t’përmbledhuna” e realizuar nga Mati Logorecit”, 1911. “Fllad moralit” prej Gaspër Betojës, 1912 dhe shumë botime të tjera. Ndër revistat që botoi ishin “Koha”, “Bashkimi”, “Dilli”, “Hana”, “Kalendari i vjetës 1911” etj. Ndërsa në vitin 1912 kishte si ide të hapte një shtypshkronjë, por nuk arriti për shkak të ngjarjeve që i paraprinë pavarësisë.

Anëtarët më të spikatur të klubit në 1912

¨    Emzot Jak Sereqi

¨    Kol Suma

¨    Kel Marubi

¨    Angjelin Suma

¨    Gaspër Çuçia

¨    Kol Kamsi

¨    Kel Kodheli

¨    Kol Çoba

¨    Luigj Koliqi

¨    Ndrek Shkreli

¨    Pashko Simoni

¨    Luigj Mushani

¨    Palok Saraçi

¨    Luigj Çoba

¨    Em. Kol Kojoni

¨    Em. Gjergj Koleci

Anila Mema : Gazeta Panorama

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi