Lideri i opozitës, Edi Rama tha se aleanca me LSI nuk është fushë me lule, se ka edhe kërcitje rrugës, por shprehu besimin se ato janë fenomene kalimtare. I ftuar në emisionin “360 gradë” të Artur Zhejit, Rama iu përgjigj pyetjeve për programin e PS, për të përjashtuarit nga listat dhe për koalicionin me LSI.
A është me dozën e duhur të sinqeritetit koalicioni juaj me zotin Ilir Meta?
Është me gjithë dozën e domosdoshme të përgjegjësisë karshi njerëzve dhe vendit, kjo nuk diskutohet.
A do të ketë pas 23 qershorit një krizë konceptuale për kryeministrin e ardhshëm?
Nuk mendoj, nuk shoh asnjë arsye
Si e shpjegoni faktin që zoti Meta asnjëherë nuk ka thënë se cili do jetë kryeministër, ka thënë vetëm që do jenë votat e shqiptarëve që do e vendosin atë?
Do habitesha po të thoshte të kundërtën. Është në fushatë elektorale dhe ka detyrimin që të mobilizojë maksimalisht të gjitha forcat dhe të marrë maksimumin e votave.
Po sipas perceptimit të përgjithshëm publik duket sikur po garojnë tre kandidatë për kryeministër, zoti Berisha, zoti Rama dhe zoti Meta. Ju e ndani të njëjtin perceptim?
Janë dy forca dhe është një fuqi në krahun tonë, është normale që edhe forca tjetër LSI të zhvillojë fushatën që po zhvillon. Unë habitem me ata që habitem.
Po si shpjegohet rasti i atij mesazhit që kishte dalë nga celulari juaj, ku jepte prognozën për rezultatin në Tiranë dhe për LSI nuk kishte asnjë deputet?
Është komplet manipulim… Ka shumë teknika për të shpikur mesazhe dhe për t’ua vënë të tjerëve në gojë, shkruhen edhe nëpërmjet kompjuterit. Kur them fitojmë kam parasysh Aleancën për Shqipërinë Europiane, nuk merrem fare me këto. Unë kur flas për 77 deri në 80 mandate, i them si Aleancë për Shqipërinë Europiane, për mua mandatet tona janë të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ne do qeverisim si Aleancë. PS-LSI do jetë boshti strategjik i kësaj aleance. Prandaj të gjitha këto janë diversione, historia njerëzish të dëshpëruar.
Në terren ka sinjale që të mëdhenjtë të ndajnë me njëri- tjetrin, ta lëmë të tretin të ngelet sa më i vogël. Gjë që është parë shumë e ashpër në 2009.
Kjo nuk diskutohet fare. Në 2009 ka qenë në kontekst tjetër, LSI garonte kundër nesh, sot është aleatja jonë. Ne kemi një vullnet të palëkundur për të ndërtuar një aleancë gjithnjë e më solide në funksion të një qëllimi strategjik dhe sigurisht që nuk është fushë me lule, ka edhe kërcitje rrugës, por jam i bindur që janë fenomene kalimtare. Të mos harrojmë që edhe PS dhe LSI kanë përfaqësuesit e tyre në të gjitha instancat e administrimit zgjedhor kështu që as nuk bëhet fjalë fare për të pasur asnjë lloj lëvizjeje që i bie ndesh lëvizjes së madhe për fitore.
Këtë kurorën e kryeministrit do ta vërë zoti Meta të gjithën në kokë, po vetes së vetë nuk do ia vërë ndonjëherë? Ka treguar që ka qeverisur mirë…
Besoj se ka qenë i qartë në prononcimet e tij dhe është shumë koherent me kulturën demokratike perëndimore të formimit të qeverisë dhe kur i referohet edhe Kushtetutës ka parasysh ekzaktësisht këtë gjë. Besoj që është përputhje interesash të të dyja forcave në funksion të një qëllimi strategjik, bazuar edhe në një eksperiencë që ka pjesët e veta shumë pozitive dhe negative për të dyja palët, që na shërben shumë për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës.
Pse me kaq vonesë ky refleksion midis jush? I keni shkaktuar shumë plagë politike njëri-tjetrit.
Besoj që gjërat kanë shkuar ashtu siç kanë shkuar për arsye që s’ka as nevojë dhe as nge për t’i analizuar. E rëndësishme është që kjo eksperiencë të kthehet në një thesar për të pasur një referencë që të mos përsëriten të njëjtat gabime.
Pra pranoni që ka pasur gabime?
Sigurisht që po!
Pse sot kemi këtë situatë, Kastriot Islami, Arben Malaj, Kadeli Dogjani, Agron Duka, 5 subjekte tek të cilët e majta ka investuar, ata kanë investuar tek e majta sot gjenden jashtë orbitës së të majtës?
Sepse karrigia e tyre për ta është më e rëndësishme se sa investimi i të majtës mbi ta.
Nuk mendoni që në këtë rast keni edhe ju ndonjë gabim?
Mendoj që dalja e tyre në krah të Saliut vërteton katërcipërisht drejtësinë e vendimit tim për të mos i përfshirë në skuadrën kombëtare.
Po Agron Duka është jashtë dyshimit që të flirtojë me Saliun apo jo?
Po pse më kë është? Nuk është në Aleancën për Punësim dhe Mirëqenie? Të jesh me oficerin e Gërdecit…
Nuk janë të gjithë si Musa Ulqini, kanë personalitet të ndryshme. Janë shumë, u bënë 5 që si keni kandiduar.
Me veprimet e tyre më kanë lehtësuar shumë, sepse më kanë dhënë provën më kuptimplotë dhe kokëfortë, fakti që kam pasur të drejtë që s’i kam përfshirë në skuadrën kombëtare. Po flasim për Musa Ulqinin, kam shumë respekt, por ka një listë shumë të gjatë, si Arben Isaraj që është ende krah për krah me mua edhe pse nuk u kandidua. Ata që janë lojtarë, që besojnë tek fanella nuk e hedhin atë në tokë dhe që bashkohen me kundërshtarin. Doni të vazhdojmë me Bizhgën, Dedën, Rukën, ka plot. Këta janë ende në fushën e betejës, këta janë shembulli për mua, kjo është PS.
Ata ju akuzojnë për tirani në drejtimin e PS, për mungesë demokracie?
Jam shumë i qetë, ju siguroj që me kuturisjen e tyre në krah të Saliut më kanë dhënë provën që kam qenë në ushtrim të të drejtës së PS për të mos i përfshirë në skuadrën kombëtare. Për karrige tradhtojnë qindra mijëra mbështetës, votues.
I futët të gjithë në një kallëp, Arben Malaj nuk është një nga ta, apo jo?
Ka dalë kundër PS.
Me gjithë respektin, po Koço Kokëdhima ka më shumë vlera dhe asete se Malaj në PS dhe Vlorë?
Secili ka të vetat, por Arben Malaj nuk e meritonte të ishte pjesë e skuadrës sonë kombëtare dhe nuk u bë. Tani kërkon votat e socialistëve që dalin jashtë koalicionit dhe i shërbejnë Saliut. Kjo është të shkosh dhe të dalësh kundër. Arben Malaj është tradhtar dhe kaq. Të tjerat janë çështje të tjera.
A funksionojnë epitetet që përdorni edhe ju kundër Berishës, katragjyshi me antiplumb a funksionon elektoralisht?
Është personifikimi i kryeministrit, nuk është ofendues, as denigrues. Është fakt që ai mban antiplumb.
Unë mendoj që nuk ka antiplumb. Nuk e shoh antiplumbin.
Flet shumë ai për Spiro Kolekën, thotë daja, daja. Nuk ka qenë daja im, në fakt ka qenë vëllai i gjyshit tim. Gjyshi, një personazh i jashtëzakonshëm nacionalist, antikomunist, e çoi të vëllanë, Spiron për të bërë studimet jashtë dhe Spiro u kthye komunist. Asnjëherë nuk u morën vesh, derisa u ndanë shumë keq për arsye ideologjike, por kur Spiro shkonte në shtëpinë e fëmijërisë së gjyshit me shumë roje, gjyshi i thoshte: Spiro, pse të ruajnë kaq shumë. Nga se ke frikë? Pyeteni dhe Saliun, pse rri me antiplumb, pse me kaq shumë roje, veturë të blinduar, qen antiminë, snajpera mbi pallate.
Unë mendoj që edhe ju nesër mund të përdorni një makinë të blinduar. Ka edhe armiq Shqipëria, nuk ka vetëm miq.
Dhëntë zoti të mos kem nevojë për makinë të blinduar.
Komenti juaj në lidhje me fotografinë e famshme me Obamën? Ka një denoncim konkret të një kongresmeni lidhur me këtë…
Paguhen shumë para të shqiptarëve për të lobuar në Amerikë dhe gjithë ky lobim është kthyer kundër opozitës me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky është krimi i vërtetë.
Është pjesë e kësaj zgjedhje që p.sh. Ditën e enjte që është e enjtja e fundit, që i bie nesër ju do të gjendeni tek Fevziu ndërsa zoti Berisha do të gjendet tek Sokol Balla. Duket një lloj rokade, gjithnjë ka ndodhur e kundërta…që doktori ka qenë tek Klani dhe ju tek TOP-i…
Nuk ka lidhje, të premten unë jam me Sokol Ballën, në ditën e fundit, natën e fundit.
Po nëse Berisha do të fitonte zgjedhjet më 23 qershor, çfarë do bënte të parën e dini?
Nuk i përgjigjem pyetjeve me ‘në qoftë se’ asnjëherë…











