“Duhet pranuar se për momentin nuk kemi një koordinim shumë të mirë mes këtyre dy kombëtareve që garojnë në dy kompeticione paralele. Këta dy lojtarë, Hysaj e Kaçe, mund t’i kishim sot me U-21, por duhet ta keni parasysh se në këtë situatë e kemi pasur të vështirë si staf të punojmë në shumë drejtime. Që kur vjen këtu lojtari duhet ta ketë të qartë se është pjesë e ekipit Shpresa dhe po e marrim në ekipin e parë, po e lejojmë të kalojë nga tri shkallë njëherësh, por nuk duhet të jetë problem që të kthehet përsëri te përfaqësuesja Shpresa”, u shpreh Jupi që tregon se ky fenomen mund të jetë shumë dëmtues për ekipin U-21.
“Ka shpesh probleme, sepse këta lojtarë që vijnë pa qejf te Shpresat, më shumë janë frenues sesa efektivë për ekipin. Raste të tilla kanë ndodhur, edhe me Roshin, që sot është në Kombëtaren A. Ka luajtur me Shpresat pa dëshirë, pa impenjimin e duhur dhe nuk ka dhënë atë që pritej. Por të keni parasysh se objektivi kryesor mbetet ekipi A, sepse për atë jemi të gjithë këtu dhe shpresojmë që të vazhdojmë në rrugën e nisur”, shpjegoi Jupi.
Sipas tij, problemi kryesor me përfaqësuesen U-21 është edhe rrjedhojë disi logjike e strategjisë që po përdoret në përfaqësuesen A, ku po pranohen dhe aktivizohen shumë lojtarë të rinj njëkohësisht. Kjo ka bërë që shumë të rinj që luajnë në skuadra prestigjioze, të kenë menjëherë pretendime që të bëhen pjesë e Kombëtares A, pa kaluar nëpërmjet procesit selektiv të Kombëtares U-21.
“Ka një problem në lidhje me politikën e afrimit të lojtarëve të rinj. Me të vërtetë opinioni është i kënaqur që po afrohen shumë lojtarë dhe ka prurje të reja në ekipin A. Por në këtë prizëm ka një mungesë në politikën e kombëtareve të tjera. E para është që lojtarët që shpërthejnë janë të rinj në moshë, siç është Kaçe, siç është Hysaj, siç mund të ishte Kabashi. Por ky i fundit nuk është sot me Shpresat se kërkonte ekipin e parë. Duke parë se Hysaj, bashkëlojtari i tij të Empoli ishte në ekip të parë, thotë pse të mos jem edhe unë. Sot kemi humbur Kabashin, por kemi edhe Ilir Azemin, i cili pretendon që të vijë menjëherë në Kombëtaren A. Duke parë se kjo kombëtare ka shumë të rinj të ftuar, ai mendon se duhet të jetë edhe ai atje. Kështu është situata edhe me Brahimin, i cili shkoi me Zvicrën. Teorikisht, Kombëtares U-21 i mungonin 6-7 lojtarë, ku përfshihen edhe të dëmtuarit. Rezultati 4-1 me Bosnjën mund të duket i rëndë, por kur ndeshja ishte 2-1, loja ishte shumë e barabartë dhe vetëm pasi bënë golin e 3-të në minutën e 75-të e siguruan ndeshjen. Me këta lojtarë që na mungonin në fushë, mbase mund të ishte diçka më ndryshe”, tregoi Jupi që pranon se për momentin, kombëtarja që drejtohet nga Skënder Gega ka vetëm rol “akademie”.
“Nuk është se ekipi Shpresa punon për të marrë rezultat. Nuk është se shkojmë atje për të fituar ndeshjen, nuk na intereson shumë rezultati. Në kualifikueset e fundit ne dolëm të fundit në grup, por në ekipin e parë shkoi Vajushi, Sadiku apo Roshi që është edhe objektivi ynë kryesor. Parësore është të fitojmë sa më shumë lojtarë, dytësore është që nëse këta djem arrijnë rezultate pozitive, aq më mirë për ne”, shpjegoi drejtori i Zyrës së Ekipeve Kombëtare në FSHF.
Brahimi dhe Kabashi
“Të dy i kanë bërë kërkesë FIFA-s për ndryshimin e Federatës. Mërgimit i është aprovuar dhe është e pamundur që të kthehet prapë te ne, pasi ndryshimi i Federatës lejohet vetëm një herë. Kabashi ka bërë një kërkesë dhe më duket se nuk i është aprovuar akoma. Të them të drejtën, ne nuk është se e kemi shumë me qejf kthimin e tij, pas gjithë atyre që bëri. Por kur bëri atë veprim duhet marrë në konsideratë mosha e re dhe shumë gjëra të tjera. Por tani shumë gjëra varen nga FIFA. Nëse i kanë dhënë të drejtën të luajë për Italinë, atëherë edhe ne nuk na mbetet më për të menduar. Nëse ata nuk ia kanë dhënë të drejtën, ne na mbetet në dorë të vendosim nëse e marrim apo jo”.











