Pluralizmi i vertete fillon kur te ike Berisha

'Pluralizmi i vertete fillon kur te ike Berisha'
Intervistë me z. Sabit Brokaj, anëtari i “Këshillit së të Urtëve” në PS për JAVA. Ish-ministri i Mbrojtjes është i qartë: Berisha është shkaktar i kësaj situate të vështirë politiko-ekonomiko-sociale që po kalon vendi. Ndërkohë, jep mendimin e tij për bashkimin e PS-së me LSI-në dhe po ashtu dhe qëndrimin e tij për sjelljen me shumë ekuivoke të zyrtarëve të Amerikës në Shqipëri...

Doktori i njohur, që pas viteve ’90 bëri dhe politikanin, ka dëshira. Njëra prej tyre është që Shqipëria më në fund të bëjë jetën e saj të qetë, pa këtë qeveri. Me ish-kolegun e vet të profesionit, tashmë kryeministër është i pamëshirshëm: Berisha është shkaktari i kësaj situate kaotike, që po kalon vendi, por nga ana tjetër edhe një njeri që pjell vetëm tensione. Në këtë intervistë për “JAVA”, ai flet ashpër dhe për faktorin amerikan. Politikën e tyre ndaj Shqipërisë, ai e shikon të ngjashme me politikën e ndjekur nga SHBA dhe në vende të tjera të varfra. Dhe, ndaj ndodh, që regjimet e ndryshme sundojnë mbi popujt që dikur e shikonin me adhurim Amerikën. Megjithatë, shqetësimi në këtë intervistë mbetet ai i të gjithëve: Të ikë Berisha që Shqipëria të jetojë në normalitet pas ikjes së këtij njeriu shumë konfliktual...Intervista ka marrë pak ditë, prej preokupimeve të shumta të tij, pasi doktori i është kthyer sërish profesionit të tij të jetës... në katin e tretë, në një Pallat të viteve ’80 pranë shkollës “Edith Durham”.
 
Si i shikoni përpjekjet e sotme të kryeministrit Berisha që ta mbajë me zor pushtetin, duke bërë premtime që jo vetëm s’i ka mbajtur por që as ka mundësi t’i mbajë?

“Synimi i Berishës për të mbajtur  me çdo mënyrë pushtetin, lidhet jo vetëm me delirin e tij për pushtet dhe për fitimet e mundshme prej tij. Ai lidhet veçanërisht me inkriminimin e tij dhe të rrethit të afërt të tij, gjatë qëndrimit në pushtet. Ndaj, në këto rrethana, pushteti për Berishën është imunitet ndaj ligjit, pasi duke qenë në pushtet organet e drejtësisë nuk guxojnë të merren me të. Ka shumë argumente për ç’ka arsyetova më sipër, por mjafton të kujtoj dy qëndrime të njëjta në prag të largimit të tij nga pushteti në 1997 dhe tani në 2013. Atëherë meqenëse kishte bërë shumë krime dhe futi vendin në gjendje kaosi dhe anarkie, pikërisht para zgjedhjeve para se të linte pushtetin, dekretoi amnistinë e të gjitha ngjarjeve kriminale dhe autorëve të tyre.

Në të njëjtën mënyrë veproi dhe tani në këtë prag lënjeje pushteti...Shpalli amnistinë fiskale për të legjitimuar pasurimin e pa ligjshëm të njerëzve të tij, gjatë qëndrimit tetë vjeçar në pushtet. Përsa i përket premtimeve të tij gjatë kësaj fushate edhe në këtë rast nuk ka asgjë të re. Berisha është politikani më i paskrupullt për gënjeshtrat, shpifjet dhe premtimet e pa mbajtura. Në këtë pikëpamje, megji­thëse dhe mjaft politikanë të tjerë konsiderojnë normale gënjeshtrën në sjelljen politike, veçse Berisha është i pa arritshëm...Të vazhdosh të besosh Berishën pas një periudhe kaq të gjatë tani ose duhet të jesh pa mend ose brenda stanit të tij”.

Keni qenë shumë skeptik ndaj marrëdhënies PS-dhe LSI. Gati dy muaj më vonë, si e shikoni këtë bashkim? A mendoni se ia ka vlejtur për pjesën opozitare?

“Kam qenë një nga përfaqësuesit e të Majtës që jo vetëm e kam dashur por dhe kam vepruar konkretisht për të arritur koalicionin e PS-së dhe LSI-së. Nuk vlen për momentin të them arsyet e mos realizimit të koalicionit që në atë kohë. Edhe tani mendoj se ishte një nga momentet më të mundshëm dhe shumë të dobishëm jo thjesht ose vetëm për të Majtën por dhe për politikën shqiptare

Për mendimin tim, bashkime të tilla politike përballë kundërshtarëve nuk duhen parë si rivendosje marrëdhëniesh midis kryetarëve apo si bashkime matematike, por veçanërisht si kohezione të ndërgjegjësuara deri në periferinë e këtyre organizmave. Një veprim politik kaq i rëndësishëm bëhet efikas dhe produktiv vetëm, kur periudha para koalicionit të mos ketë pasur antagonizma të fuqishme ose sjellje të egra midis përfaqësuesve të anëtarësisë së partive përkatëse, por dhe kohën mjaftueshmërisht të gjatë, që ata të mund të mund të harmonizohen.

Koha mjaft e shkurtër para zgjedhjeve, kontributi i LSI-së në mbajtjen e pushtetit të  Berishës, deri në muajin e fundit të pushtetit të tij dhe një qeverisje mjaft kompromentuese e përbashkët PD-LSI nuk ofron kohën dhe atmosferën e një bashkimi me efikasitetin  e duhur për betejën elektorale. Ndaj mbetet një bashkim numrash probabilist i dobishëm, por që lë në mes mjaft mëri dhe mosbesim edhe për arsyen që bashkime të këtij lloji i bëjnë të vështira ndryshimet dhe qëndrimet e forta ligjore dhe reformuese të gjithanshme që priten nga politika dhe qeverisja e ardhshme. Sidoqoftë edhe në mënyrën dhe kohën që u krye duhet mbështetur për të realizuar fitoren e shumëpritur të së Majtës”.

Gjithmonë e më shumë, sidomos pas aludimeve të caktimit të kryeministrit, nga LSI ka diversion të lehtë ndaj të Majtës. A mendoni se mund të ketë sërish një kthim të Metës pas?!

“Për të parë sjelljen e një politikani të veçantë në këto vite, së pari duhet analizuar terreni politik ku ata formohen dhe veprojnë. Nga përvoja e deritanishme karakteri i protagonistëve dhe zhvillimet pararendëse politike-përgjigja është e vështirë.

Partia dhe elektorati konsiderohet masa që mund ta përdorësh si të duash për rrjedhojë mund të ndodh çfarëdolloj lëvizje majtas ose djathtas krejt spontane, madje edhe krejt e ndryshme nga ç’ishte premtuar dhe që pritej. Kjo është përvoja e deritanishme!

 Thuhet se një ndërgjegje e shitur një herë mund të shitet shumë herë .

Në synimet e  Metës ndaj pushtetit mund të thuhet se ai kalkulon veprimet mirë dhe nuk njeh ndonjë princip që ta kufizoj ose pengoj në realizimin e objektivit. Pa u marrë me deklarimet e deritanishme emocionale apo për të testuar një gjë është pothuajse e sigurt. Një fitore e rëndësishme e PS-së forcon perspektivën e një bashkimi të tillë” .
 
Nga të dy palët e politikës ka një gjuhë shumë të ashpër fushate. Besoni se në zgjedhje do ketë probleme?

“Sa të jetë Saliu në politikë do të ketë ashpërsi në politikën shqiptare, veçanërisht fushata. Kjo ndodh se Saliu kundërshtarin politik e shikon si boksierin në ring, natyrisht në ndeshje jo me grushte por me sharje e shpifje, kërcënime për të cilat është i veçantë. Sjellja e ashpër, agresiviteti tashmë janë bërë pjesa thelbësore e karakterit dhe sjelljes së tij sapo dyshon se dikush mund të cënoj interesat apo pushtetin e tij personal.

 Sjellja e tij e ashpër ndikon madje në një farë mase imponon ashpërsi edhe te kundërshtarët ndërkaq që në kontigjentet e tij primitive bëhet model sjellje. Nga ana tjetër, në masën e pa kultivuar  kërkohet që ashpërsisë t’i përgjigjesh me ashpërsi ndryshe mendohet se je humbës në ndeshje. Ndaj, krahasimi me Gjergj Elez Alinë nga “Fiks Fare” është i gjetur. Nga ana tjetër, Saliu nuk ka “armë“ tjetër pasi tërësia e realizimeve në qeverisje është shumë e vobektë, si dhe mendimi i tij politik është tërësisht i shteruar saqë nuk mund të ofrojë asgjë të dobishme. Saliu nuk ka rrugë ose mënyrë tjetër sjelljeje sipas konceptit të tij në mënyrën e mbajtjes së pushtetit, pasi e di më mirë se kushdo se në mënyrë të qetë dhe demokratike ai nuk i fiton asnjëherë zgjedhjet. Termat demokraci apo tolerancë janë në thelb të pa kuptueshme e të papranueshme për të”.
 
OSBE por edhe ambasada amerikane duken disi ambuige në këto zgjedhe. Si e shikoni rolin e faktorit ndërkombëtar, sidomos amerikan në këto zgjedhje?

“OSBE është siç ka qenë, pra asnjëherë nuk ka vepruar në mënyrë aktive dhe të dobishme për zgjedhjet në kushtet e realitetit tonë .

Sjellja e përfaqësuesit aktual të këtij organizmi është deri i dëmshëm, aq sa bën mirë të largohet sa më shpejt pasi kompromenton deri dhe rolin dhe funksionin e OSBE-së. Meqenëse edhe përfaqësues të këtij organizmi nuk kanë luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në parandalimin ose korrigjimin e anomalive në proceset zgjedhore në Shqipëri nuk është pritur shumë prej OSBE-së. Përfaqësuesve të saj në Shqipëri, të cilët duken se janë pajtuar përherë me çdo sjellje dhe qëndrim të pushtetit edhe kur ky ka qenë krejtësisht në  kundërshtim me kushtet dhe kërkesat që paraqet OSBE. Përsa i përket rolit të faktorit amerikan, shpresa ka qenë madje e madhe ndaj dhe zhgënjimet e përsëritura e kanë ftohur ose zbehur atë.

 Nuk është e vështirë të dallosh që përfaqësuesit amerikanë kanë toleruar shkelje të rënda në dhunën e pushtetit ndaj shqiptarëve dhe kërkesave të demokracisë në funksion të stabilitetit pa demokraci, që në fakt është një stabilitet jetëshkurtër siç e karakterizojnë mjaft mirë tashmë analistët:Andrea Stefani, Mustafa Muçi, Skënder Minxhozi etj. Vërehet një sjellje e ndarë në dy etapa e ambasadorëve amerikanë.

Në fillim ata mbështetnin Berishën krejtësisht pa të drejtë dhe në mënyrë zhgënjyese për popullin. Berisha, këtë qëndrim të tyre e shfrytëzon për të krijuar përshtypjen se është njeriu i siguruar prej tyre dhe vazhdon të rëndojë ende me shkeljet e panumërta të demokracisë dhe të asfiksoj gjithë pushtetet nëpërmjet dhunës, autoritarizmit të tij derisa bëhet i pa durueshëm për ta e kalon cakun e tolerancës së tyre. Për këtë arsye, sjellja e ambasadorit përkatës ndaj Berishës ndryshon e bëhet kritike. Mirëpo, ndërkaq Berisha ja ka marrë dorën lobingjeve amerikane ndaj politikave të vendeve të vogla, të cilat funksionojnë sipas pagesës e Berisha për të mbajtur në fuqi pushtetin e tij të korruptuar. Ai jep paret tona e blen ndikimin e Departamentit Amerikan të ndikuar nga lobistët më shumë se nga funksionarët e tyre e jo rrallë herë ndikimi i tyre ka qenë në dëm të qeverisjes apo demokracisë  të këtyre vendeve.

Zhvillime po të njëjta kanë ndodhur në periudhën e Uidhersit dhe tani Arvizusë, ku lobistët  kanë patur  më shumë peshë se vetë qëndrimi i Ambasadorëve përkatës, të cilët e kanë mbështetur pa të drejtë Berishën në periudhën e parë të mandatit të tyre.

Kur janë orvatur ta kërkojnë prej tij zbatimin e ligjit dhe rregullave të një shteti demokratik kanë qenë jo plotësisht efikas. Prej momentit që ata nuk tolerojnë më marrëzitë e Berishës, ai ankohet te lobistët për qëndrime personale të ambasadorëve. Mund të them përmbledhtas që ne e pësojmë nga paret tona me të cilat Berisha blen lobistët amerikanë, të cilët funksionojnë edhe për diktaturën dhe diktatorë mjaft që të paguhen”.
 
KQZ, e cila ka rol të madh në zgjedhje, është me vetëm katër anëtarë. A mendoni se do të krijojë një kolaps në këto zgjedhje ky element?

“Në qoftë se në fund të përgjigjes u shpreha me atë mënyrë pata parasysh qëndrimin e Moor  ndaj KQZ-së, i cili kur u pyet për plotësimin e saj, ai iu përgjigj në mënyrë alla Nastradin që ky institucion mund të funksionoj edhe i gjymtuar e në mënyrë të pa ligjshme.

Përgjigja ndaj KQZ-së nuk është e vështirë. Ajo është siç edhe është quajtur një seksion i PD-së, edhe ku ka qenë i plotë ky komision i ka dëmtuar zgjedhjet dhe ka shkelur ligjin dhe rregulloren me të cilën funksionojnë. Kuptohet lehtë si do të funksionojë tani në atë numër dhe në atë përbërje. E vetmja zgjidhje do të ishte riformimi me 3+3 edhe kryetari konsensual. Ndryshe është një organ i komanduar nga PD-ja”.
 
Të kalojmë në retrospektivë. Ka pasur disa këndvështrime tepër interesante tuajat, kohë më parë, për fillesat e Lëvizjes Studentore ’90 si të inincuara nga Ramiz Alia. I përmbaheni sërish atyre?


“Nuk kam asnjë dyshim që ndryshimet e rëndësishme të fillimit të ndryshimit të sistemit politiko-shoqëror, të cilat kanë rrjedhojat edhe sot, veçse sot jo krejt për faj ose gabim të Ramiz Alisë. Ato janë nisur prej tij,  një për një prej tij. Janë një mori faktesh, të cilat janë pasuruar me kohë, madje pjesërisht të pohuara gjysma-gjysma edhe nga vetë Ramiz Alia që e bëjnë të padyshimtë se ai është autori. Duhet pranuar që në kushtet tona nuk mund të ishte ndryshe paçka se sa shumë trima e demokratë dalin tani”.
 
Çfarë pritshmërie keni nëse fiton zgjedhjet respektivisht Rama ose Berisha?

“Përgjigjja e kësaj pyetje nuk është e vështirë. Ç’farë mund të presësh nga Berisha mbas 8 vjetësh?! Me një qeverisje të dështuar, korruptuar dhe inkriminuar. Të dëgjosh mendimin e tij politik krejtësisht të shteruar, i ashpër dhe deri intelektualisht fyes për broçkullat që thotë. Pjesën kryesore e ka luftë me Ramën, qëmton ndonjë shprehje ose sjellje të tij dhe e përfytyron vehten në duel me të. Për të shpresuar mbetet një qeverisje me Ramën. Së pari, kemi një provë kur qeverisi Tiranën. Le të kthehemi prapa në kohë, shumica e quante të pamundur kthimin e kryeqytetit në normalitet pas morisë së Kioskave, Kasolleve të qelbura që mbushnin Tiranën para ardhjes të tij në drejtim.

Programi që paraqet duket i majtë dhe i argumentuar, nënshtruar një ekspertize të mirë politiko-profesionale.

Sidoqoftë, largimi i Berishës nga politika do e bëj atë më të qetë, më cerebrale, më pak emocionuese, më konkurruese, më pak të vrazhdë. Pa elementët e politikës alla mbreti Zog pas ardhjes të Berishës, shpresoj që pluralizmi real të filloj mbas kësaj periudhe”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama