Gjuetia e EULEX-it pas komandanteve te UCK

Gjuetia e EULEX-it pas komandanteve te UCK
EULEX-i është vënë në gjah të komandantëve të UÇK-së. Misioni Europian për Rend dhe Ligj po heton 101 raste të krimeve të luftës, 36 raste për krim të organizuar dhe 42 të tjera për korrupsion. Organizatat e ish-luftëtarëve thonë se Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca s'kanë bërë asgjë për t'i mbrojtur vlerat e luftës së fundit. Para pak ditësh, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi kishte kontaktuar me miqtë e tij në Prishtinë dhe i kishte pyetur për rrezikun e arrestimit të tij nga EULEX-i nëse kthehet në vendlindje.

Në këtë formë, ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish Shefi i TMK-së, i cili ka kaluar qindra herë kufirin me Shqipërinë edhe në kohë lufte, pesëmbëdhjetë vite më po ndihet i rrezikuar të vizitojë Kosovën.Megjithëkëtë, ai ka ardhur në Kosovë dhe nuk është arrestuar. Por, ndaj tij, tashmë kanë nisur hetime nën dyshimin për krime të luftës.

"Për këtë çështje nuk mund të komentojmë",- është përgjigja e vetme e EULEX-it, kur pyeten se deri ku kanë shkuar hetimet për njërin prej ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Rasti i Sylemjan Selimit është vetëm njëri prej më shumë se njëqind hetimeve tjera që janë duke u zhvilluar për krime të luftës.EULEX konfirmon se Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë është duke i hetuar edhe 101 raste të krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës.

"Prokurorët e EULEX-it momentalisht janë duke hetuar 101 raste të krimeve të luftës, përfshirë hetimet që janë në fazën preliminare. Deri më tani, nga kolegjet gjyqësore ku gjykatësit e EULEX janë kryesues dhe pjesëmarrës, janë shpallur 27 aktgjykime në raste të krimeve të luftës", thuhet në përgjigjen e EULEX-it dhënë gazetës “Express”.

Fatmir Limajt është një rast tjetër, ndaj të cilit që prej 2003-shit po zhvillohen hetime për akuzën e krimeve të luftës. Pas arrestimit të fundit të Limajt, Kryeministri dhe Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka lëshuar akuza në drejtim të EULEX-it, por prej atëherë më nuk ka folur për këtë temë.

“Kjo nuk është drejtësi, ky është turp. Kjo është fyerje që na bëhet në këto ditë feste”,- kishte akuzuar Thaçi misionin e BE- së.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama