Demtohet Humels ne rrezik finalja e Champions

Demtohet Humels, ne rrezik finalja e Champions
Mats Humels mund të jetë mungesa e madhe e Borusia Dortmund në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Bajern Mynih pas një jave në stadiumin “Uembli” të Londrës. Qendërmbrojtësi i Borusias dhe kombëtares gjermane u dëmtua në minutat e fundit të sfidës kundër Hofenhaim në kampionat, të luajtur dje, ndërsa situata nuk duket e mirë, edhe sipas fjalëve të vetë trajnerit Klop.

“Fakti që ai nuk arriti të vazhdonte pasi ndrydhi këmbën nuk është një shenjë e mirë. Kyçi i është ënjtur dhe ndjen dhimbje, doktorët tanë thanë se ekziston një mundësi shumë e vogël që ai të marrë pjesë në finale”, deklaroi trajneri i Borusias menjëherë pas ndeshjes ku skuadra e tij u mund me rezultatin 2-1.

Ky është një lajm mjaft i keq për Klop, i cili rrezikon të humbasë një nga elementët më cilësorë, sidomos duke pasur parasysh se mbrojtja e Dortmundit do të ketë një punë shumë të vështirë përballë sulmit të rrezikshëm të Bajern Mynih.

Skuadra gjermane aktualisht po përpiqet të kthejë në formën më të mirë edhe mesfushorin Mario Gëtze, i cili është dëmtuar në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Real Madrid dhe nuk dihet nëse do të jetë në gjendjen më të mirë për sfidën ndaj skuadrës së ardhshme të tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama