Bajerni e mbyll me fitore Dortmundi humb

Bajerni e mbyll me fitore, Dortmundi humb
Janë 91 pikët e Bajernit të Mynihut në përfundim të 90-minutëshit që vendosin kapakun e një sezoni ku skuadra bavareze jo vetëm që dominoi, por e bëri këtë duke i shkundur mirë pjesën më të madhe të kundërshtarëve, ndaj të cilëve fitoi edhe me goleada. Në javën e 34-t, kampionët e Gjermanisë nuk bënë kompromise as me Borusia Mynshengladbah, duke kthyer dizavantazhin e përkohshëm 1-3 në rezultatin përfundimtar 4-3. Sezon rekordesh i shoqëruar me lumë golash, plot 98 të shënuar dhe vetëm 18 të pësuar, ndërsa disfata e vetme erdhi në fazën e parë kur “Aspirinat” bënë surprizën në “Alianz Arena”. Por Bundesliga nuk është vetëm Bajern, sepse në javën e 34-t, Hofenheim arriti një fitore të pabesueshme 2-1 në fushën e Borusias së Dortmundit, duke zhytur Fortunan e Dyseldorfit një kategori më poshtë, ndërsa vetë do të ndeshet në “plej of” me Kaizerslauternin.

Ajo çka e bëri edhe më emocionuese këtë javë është goli i anuluar për Dortmundin në sekondat e fundit të ndeshjes, episod që dha verdiktin përfundimtar në dëm të Dyseldorfit. Nga ana tjetër, nënkampionët e drejtuar nga Jurgen Klopp u treguan të kujdesshëm për të ruajtur sa më shumë energji në prag të finales së madhe të Londrës. Për ish-kampionët, ky nuk mund të konsiderohet një sezon i keq dhe përqendrimi i forcave në Champions League e justifikon vendin e dytë pas dy sezoneve ku fitoi po kaq tituj. Ndërkohë, Shalke realizoi golin sezonal, atë të fitores 2-1 në fushën e Freiburgut, duke betonuar edhe vendin e katërt që të siguron një biletë për sezonin tjetër në Champions League.

Gjithsesi, ky mund të konsiderohet si një tjetër sezon zhgënjyes për blutë mbretërorë, ende një skuadër e papjekur për të garuar me më të fortët. Rikthehet mes më të mëdhenjve Bajer Leverkuseni që me suksesin 1-0 ndaj Hamburgut e mbyll sezonin me një pikë më pak se Dortmundi, ndërsa Greuther Furthi i Mërgim Mavrajt u dorëzua ndaj Augsburgut që rinovoi biletën e Bundesligas edhe me një vit. Sezon zhgënjyes për Volfsburgun dhe Shtutgartin që rrezikuan jo pak duke e mbyllur sezonin respektivisht në vendin e 11 dhe 12. Dhe në fund, dyshja surprizë mund të konsiderohet Eintrahti i Frankfurtit dhe Freiburgu, dy skuadra që rivalizuan deri në fund me Shalken për një vend në Champions League, por që gjithsesi arritën të fitojnë një vend në Europa League, arritje e pamenduar më parë për dy klube të projektuara për të luftuar qëndrimin mes më të mirëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama