Driteroi Bekoj bashkimin historik te se majtes

Driteroi: Bekoj bashkimin historik te se majtes
Patriarku i PS përshëndet Konventën e koalicionit të bashkuar opozitar. “Ai që ndahet kujton se bën vezën e patës, por bën vezën e rabeckës”.

Patriarku i socialistëve, përmes një përshëndetjeje dërguar Konventës së koalicionit opozitar, i uronte bashkimin historik por dhe i këshillon që të mos përsërisin gabimet e së shkuarës, atë të ndarjes. Mesazhi i Agollit, i cili u lexua në Konventë nga aktori i njohur Xhelil Aliu, kishte në qendër filozofinë e bashkimit që, sipas shkrimtarit të njohur dhe socialistit të vjetër, “është fuqi dhe shpresë”.

“Vëllezër të opozitës! Në pamundësi fizike për të marrë pjesë me ju, e ndiej që jam i pranishëm me zemër, shpirt dhe mendje. Ju dërgoj përshëndetjet e mia, duke ju uruar edhe duke e bekuar bashkimin historik të të majtës socialiste, LSI-së, socialdemokratëve e të gjithë progresistëve, për një fitore të madhe në zgjedhjet e 23 qershorit. Bashkimi është fuqi dhe shpresë. Edhe lumenjtë bashkohen, madje edhe detet. Një njeri i vetëm ka në fillim iluzione, pastaj bashkohet me një komunitet, shoqatë apo parti. Kur ndahet nga shokët, kujton se do të bëjë vezën e patës, por ulet dhe bën vezën e rabeckës”, shkruante Agolli në mesazhin e tij.

Ndër të tjera, shkrimtari i njohur u kujton partive të koalicionit opozitar se ata duhet më shumë të punojnë dhe më pak fjalë. “Të bashkuar në fitore dhe pas fitores më pak fjalë, më shumë punë dhe më shumë ekonomi. Naimi i pavdekshëm na porositi nga themelet e Rilindjes Kombëtare: Punë punë natë e ditë; Që të shohim pakëz ditë! Unë jam shumë i lumtur dhe i gëzuar, por edhe shumë i bindur se këtë radhë e gjithë opozita e bashkuar do të realizojë fitoren e madhe e të shumëpritur për të kryer rrotacionin e nevojshëm, si rruga më e mirë për të ecur në hapa të sigurt drejt integrimit europian të Shqipërisë e të shqiptarëve”, e mbyll mesazhin e tij Dritëro Agolli.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama