“Nuk janë listat tona arsyeja për të dalë kundër PS”
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh kundër opinionit të analistit të njohur, Fatos Lubonja dhe filozofit Artan Fuga për listat e kandidatëve të PS dhe kandidimin e Malajt si i pavarur. Sipas Ramës, nuk është skuadra e PS shkaku për këto kandidime, të cilat i konsideron si kundër PS, edhe pse kanë marrë nga kjo parti gjithçka mundën.
Duket që lista e PS nuk ka ngjallur atë shpresë që pritej nga një rreth intelektualësh me prirje të majta, siç është Fatos Lubonja apo Artan Fuga, pikërisht për shkak të daljes së disa deputetëve të pavarur apo në lista të tjera. Si mendoni t’i rikuperoni votat e deputetëve të pavarur?
Unë kam shumë respekt për ata që ju përmendët. Sigurisht, është opinioni i tyre personal dhe unë nuk e ndaj të njëjtin mendim, për shkak se realisht të gjitha skuadrat tona kanë gjetur një mbështetje të plotë, qoftë në bazën e partisë, qoftë në opinionin publik, të çdo qarku. Këtu jua them duke u nisur jo vetëm nga kontaktet e drejtpërdrejta apo nga përshtypjet e deputetëve që tanimë janë të gjithë në terren, por duke u nisur dhe nga anketimet e posaçme, që ne kemi bërë pikërisht për të testuar impaktin e këtyre formacioneve në çdo qark. Sigurisht që nuk është skuadra jonë arsyeja pse dikush ka vendosur të dalë kundër Partisë Socialiste dhe të vihet pa dashje ose qorrazi, se s’dua të them me qëllim në shërbim të kundërshtarit, me një rendje pas berihait që nuk ka asgjë të mirë për individë që kanë marrë nga Partia Socialiste gjithçka që Partia Socialiste ka mundur të japë për dikë dhe që, në këndvështrimin tim, nuk do t’u dilte jeta për t’i kthyer PS atë që kanë marrë.
Nuk ekzistojnë, besoj unë, skuadra që të kenë konsensus në asnjë nivel dhe në asnjë fushë ku ka një skuadër që formohet. Ashtu sikundër, po të uleshim të gjithë dhe të bënim nga një listë, jam i bindur që nuk do të kishte dy lista njësoj. Që të realizosh një formacion që të gëzojë konsensusin e të gjithëve, është e pamundur. Unë besoj që ne kemi një skuadër shumë të ekuilibruar me eksperiencën e PS, me prurje të reja, me rikthime të domosdoshme.
Në skuadrën e Elbasanit kemi tipikisht të gjithë për çfarë po flas; Kemi Musa Ulqinin, që është rikthyer dhe do jetë në Kuvend; Kemi Evisin, që ka ardhur rishtas në skuadrën tonë; Kemi deputet me eksperiencë të gjatë Ben Blushin; Kemi deputetë të legjislaturës së shkuar që janë përsëri; Kemi Alfred Pezën, që vjen nga bota e medias dhe është për herë të parë në një betejë elektorale si palë. Kështu që, besoj se kemi një përfaqësi shumë të denjë për qarkun. Kemi një përfaqësi që përmbush të gjitha kërkesat në raport me çka na duhet për të realizuar premtimet tona nesër, me shumicën e re qeverisëse.
Raportet me aleatët, pakënaqësi të hapur nga Milo? Po ashtu edhe Gjinushi? Ka diçka që nuk shkon brenda koalicionit?
Për sa u përket aleatëve, unë besoj që është organike që herë pas here aleatët tanë tradicionalë të kenë edhe pakënaqësitë tradicionale, por në thelb nuk ka asnjë gjë problematike. Jemi në një koalicion, kemi një program të përbashkët, kemi një qëllim të përbashkët, jemi në një rrugë të përbashkët dhe bashkërisht do të fitojmë dhe do të qeverisim Shqipërinë.
Ju kur i jeni drejtuar elektoratit, keni thënë se partitë politike nuk janë si skuadrat e futbollit, përkatësia ndaj tyre nuk është e përjetshme dhe, nga ana tjetër, kur keni folur për deputetët që janë larguar nga Partia Socialiste drejt Partisë Demokratike, i keni akuzuar ata për tradhti. Ku qëndron diferenca sipas jush në këto dy qëndrime të ndryshme?
E para, nuk e kam pranuar në thonjëza, e kam pranuar pa thonjëza, që të jemi të qartë se është e rëndësishme. Ndërsa, për sa i përket asaj që kam thënë i qëndroj, por ajo është për zgjedhësit, nuk është për të zgjedhurit. Të zgjedhurit kanë një mandat dhe u detyrohen besnikëri zgjedhësve. Ndërkohë që zgjedhësit nuk u detyrohen besnikëri të zgjedhurve, kur të zgjedhurit nuk i përfaqësojnë më zgjedhësit.
Kjo është ajo që kam dashur të them dhe kësaj i qëndroj dhe në këto zgjedhje; besoj që njerëzit duhet ta kenë të qartë se më 23 qershor nuk përcaktohet thjesht kush do qeverisë vendin për katër vitet e ardhshme, por realisht përcaktohet fati i këtij vendi për një dekadë. Këto zgjedhje janë po aq të rëndësishme në një këndvështrim në raport me shtetin, në raport me institucionet, në raport me liritë dhe të drejtat kushtetuese, sa ç’ishin ato të vitit 1992. Rrënimi që mund të pasonte në rastin e një mandati të tretë të Partisë Demokratike do kishte pasoja të paparashikueshme, shumë të rënda. E, për këtë arsye, unë besoj që përpara sesa ta shohim votën e tyre si një mundësi për të afirmuar besnikërinë ndaj partisë, shqiptarët këtë herë duhet ta shohin votën e tyre si një mundësi për të ndryshuar rrjedhën e punëve të vendit, drejtimin e punëve të tyre.











