Regjistroni domainin tuaj .al

Kur Eduart Doduell vizitonte brigjet shqiptare

Shkruar nga:  
Postuar më: 1 vit më parë

Kur Eduart Doduell vizitonte brigjet shqiptare
Kur Eduart Doduell vizitonte brigjet shqiptare

Ngjarjet ndërkombëtare në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, sollën pranë brigjeve shqiptare herë Perandorinë franceze, herë atë angleze. Kjo është gjithashtu periudha e lëvizjes romantike në Europë, ku personalitete të ndryshme europiane do t’i kthenin sytë drejt lavdisë së antikitetit dhe do ta  drejtonin interesin në një numur të madh udhëtimesh drejt viseve shqiptare e greke, në kërkim të gjurmëve të së shkuarës së lavdishme.

Për publikun shqiptar janë tashmë të njohura udhëtimet në trojet tona të Konsullit Pukëvil, majorit Lik, mjekut Holland, poetit Bajron, piktorit Eduart Lir etj. Pak i njohur nga publiku shqiptar, por kryesisht nga rrethi i ngushtë i historianëve, arkeologëve dhe studiuesve, është arkeologu anglez Eduard Doduell dhe udhëtimet e tij drejt Greqisë në vitet 1801, 1805 dhe 1806, botuar në vitin 1819 në Londër (Titulli origjinal: Classical and Topographical tour through Greece, during the years 1801, 1805 and 1806. London. Vol 1-2, 1819).

Vepra e ndarë në dy vëllime është e rëndësishme për informacionin rreth gjendjes së atëhershme të qyteteve bregdetare shqiptare, identifikimit të rrënojave arkeologjike, karakterit etnik të Epirit dhe banorëve të Himarës. Po ashtu identifikimit të një numuri të madh fshatrash arvanitas në teritorin grek. Këto informacione i gjejmë kryesisht në itinerarin e parë të udhëtimeve në vitin 1801. Vëllimi i dytë është i pasur me përshkrime dhe tablo të detajuara etnografike rreth veshjes dhe valleve kombëtare shqiptare, siç është kostumi kombëtar me fustanellë dhe vallja e famshme luftarake “Pirrike”, e cila dallohet qartësisht prej autorit nga veshjet dhe vallet kombëtare greke e turke.

I shoqëruar nga dy anglezë të tjerë dhe nga një fisnik i ri grek i quajtur Jorgo Gavra, hipur në bordin e anijes Spirito Santo, nis udhëtimin nga Gjiri i Kotorit përgjatë brigjeve të Dalmacisë në prill të vitit 1801. Nga informacionet që jepen për këto brigje, ja vlen të përmendim se banorët e Rizanit(Risinium i antikitetit) mbanin ende gjallë legjendat për princeshën Theoca, që sipas autorit identifikohet me mbretëreshën ilire Teuta. Hyn në brigjet shqiptare duke u ndeshur fillimisht me qytetet e Tivarit, Ulqinit dhe Shkodrës. Nga bordi i anijes përballë Durrësit kundron Krujën: “Kruja, ishte qyteti i heroit Gjergj Kastrioti ose Skënderbe, historia e njohur e tij nuk ka nevojë për koment… Nga Durrësi duket vetëm kështjella, sarai dhe katër minaret. Durrësi qëndron mbi një gjuhëz, e cila i jep një pamje të mirë mbi det dhe mbaron në dy kepe, njëri quhet Rodon, tjetri Pali “(E. Dodwell. Vol 1, f. 23). Udhëtimi nga Apollonia deri në Malet e Vetëtimës jepet me një numur emrash, faktesh dhe burimesh letrare antike për rrënojat e këtyre brigjeve.”

Qyteti Polina i vendosur afër rrënojave të Apollonisë së lashtë; qëndron afër Aoos, Vjosa e sotme, rreth shtatë milje në brendësi; ishte dikur një qytet i madh dhe i rëndësishëm; një kollonë e vetme Dorike, e cila qëndron në këmbë, tregon vendodhjen e një prej tempujve të saj” (Po aty). Në Gjirin e Vlorës lokalizon Selenicën ose Nimfeun e antikitetit, ku zjarret ndizeshin në natyrë për shkak të asfaltit dhe rreth tyre kërcenin Nimfat. Ai e gjen këtë skenë mitologjike në një nga monedhat prej argjendi të Apollonisë; “në njërën faqe është koka e Apollonit, i quajtur Dorik, tre Nimfa kërcejnë përpara zjarrit dhe gjenden inicialet e Apollonit dhe Andromakës”(E.D. Vol 1, f. 25). “Afër Linguetës (Karaborunit) është një gji i madh, në ekstremin e të cilit ndodhet qyteti i Vlorës, i cili ishte dikur një qytet i madh në Kaoni. Në periudhën e tanishme banohet nga Turq (shqiptarë mysliman), ka gjashtë xhami”(Po aty). Vijon përshkrimi me identifikimin e rrënojave të Orikut, një kështjelle tjetër të rrënuar dhe rindërtuar në ishullin e Sazanit, dhe Lynkestidën e vendos në Ohër.

Shumë origjinale dhe me shumë interes janë përshkrimet dhe interpretimet që bën autori për Malet e Vetëtimës dhe banorët e Himarës: “ Emri i Akrokerauneve ishte ndoshta emri i majës më të lartë të malit, i cili ngrihet afër qytetit të lashtë Aulona; apelativi i përgjithëshëm i Ceraunia, ose Ceraunii, përdorej për gjithë kurizin malor përballë Korkyrës deri në Durrës” (E.D. Vol 1, f. 23). Sipas tij, fenomeni i vetëtimave dhe dritave verbuese që shfaqen shpesh mbi këto male, shkaktohen nga gazi ose hidrogjeni ndezës. Në këto male ai vendos selinë e Zeusit dhe identifikon Himarën e Plinit dhe banorët e saj: “Himarjotët janë si paraardhësit e tyre në kohën e Kantakuzenit, Alvanoi Autonomoi Nomadhes (shqiptarë nomad dhe autonom), barinj të pavarur. Himarjotët që banojnë në malet Akrokeraune janë racë e fortë dhe agresive shqiptarësh të krishterë…”(E.D. Vol 1, f. 24).

Në bregdet ai vëren rrënojat e Butrintit, të cilat janë të kompozuara me blloqe poligonale të mirëputhitura. Lokalizon dy Kasiope, një në Korfuz ku gjendet tempulli i Jupiter Kasiope dhe tjetrin midis Butrintit dhe Onhezmit (Saranda e sotme). Të vëzhguara nga Korfuzi: “Malet e Epirit paraqesin një variacion të madh formash, disa të mbuluara me pemë, të kultivuara rreth bazës së tyre, dhe të populluara me disa fshatra shqiptarë, midis të cilave Konispoli dhe Lopësi janë kryesorët” (E.D. Vol 1, f. 43). Më poshtë: “Qyteti i Paramithisë, të cilin nuk mund ta shquanim, banohet prej rreth 14.000 banorësh. Qëndron mbi rrënojat e një qyteti antik, emri i të cilit është i dyshimtë, por duke gjykuar nga disa objekte bronzi të gjetura aty para dy vjetësh, ka shumë mundësi të jetë Pandosia” (E.D. Vol 1, f. 45).

Fundi i udhëtimit të tij në brigjet shqiptare vendoset në Gjirin e Ambrakisë, ku fillon Greqia. Nga rrënojat e Nikopojës ai shkruan: “Gjiri i Ambrakisë ndan Epirin nga Akarnania; në jug të tij është fillimi i Greqisë, ashtu siç e shohim tek Dicaerchus (ndoshta Dikserkus, shkrimtar antik)” (E.D. Vol 1, f. 57).

Megjithë disa pasaktësi të dukshme, përshkrimet dhe analizat e Doduellit shquhen për origjinalitetin dhe frymën e pavarur, e cila e në  kontekstin e burimeve të tjera bashkëkohëse, zë një vend të vaçantë.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi