Regjistroni domainin tuaj .al

Vererat shqiptare: Nje kulture e re qe po lulezon

Shkruar nga:  
Postuar më: 1 vit mĂ« parĂ«

Vererat shqiptare: Nje kulture e re qe po lulezon
Vererat shqiptare: Nje kulture e re qe po lulezon

Një udhëtim në kantinat e vogla që po krijojnë një traditë premtuese për ekonominë, turizmin dhe një jetë më të mirë, nën shoqërinë e somelierëve italianë

Mbërrita në Tiranë me një kohë të mrekullueshme nëntori. Qyteti im më priti me gjithë grupin e kolegëve italianë, të cilët filluan të më tregonin për mbrëmjen e një nate më parë, ku prodhuesit, një e nga një rrëfenin me qetësi verërat e tyre. Kishte dhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Fakulteti Bujqësor. Që prej njëzet vitesh, nuk organizohej një degustim verërash i kësaj kategorie, me pjesëmarrjen e prodhuesve shqiptarë.

Isha e lumtur, sepse në Tiranë, për herë të dytë ishte ai që në Itali e quajnë “gurunë” e botës së verës: Roberto Rabachino. Nuk po ndalem këtu të rendis gjithë karrierën e tij, se nuk do të më mjaftonte kjo hapësirë, për më tepër, mbi të mund të gjeni informacione në internet. Roberto Rabachino më tha se kishte vendosur që do të shkruante mbi këtë udhëtim në tri revista italiane, e për më tepër, në një revistë që shpërndahet në bordin e “Air One”. Ndaj, artikulli mbi historinë e vreshtarisë dhe verëtarisë të vendit tim, do të lexohej nga një udhëtar, një biznesmen, nga një person që Shqipëria i ishte indiferente, por në fund do të dinte diçka më tepër për të.

Udhëtojmë drejt Laknasit, ku na pret Flori Uka, një prodhues në moshë të re, i cili ka ndjekur edhe një master mbi enologjinë në Itali. E para gjë që na ra në sy, ishte një rrënjë ulliri 1500-vjeçare. Me durim Flori na tregoi mbi një bimë, e mbjellë pranë rrënjëve të hardhive dhe shërbimin që kishte mbi këtë të fundit. E përdornin si plehërim biologjik, për të shmangur përdorimin e kimikateve. Zbresim në kantinë. Edhe pse ishte akoma në ndërtim, dukej cilësia e ndërtimit që kishin përdorur. Mjafton të mendoje që ishte ndërtuar gati 5 metra nën tokë. Por nuk isha e vetmja e këtij mendimi. Mikja ime, Gladys, nuk reshte së përsërituri: Sa bukur! Sa bukur! I them:

“Për ju, që keni shëtitur botën dhe mijëra kantina në Itali e jashtë saj, ndoshta ju duket më se normale një ndërtim i tillë, por për mua është një pallat, sepse unë e di që deri dje bashkatdhetarët e mi e bënin verën në fuçitë e plastikës, shpeshherë jo krejtësisht të sterilizuara”. Dhe në fakt, sapo dalim, shohim në oborr të kaluarën e asaj kantine, fuçitë e plastikës. Por, ishte e kaluara tashmë! Roberto, në atë kantinë, jep një intervistë për një rrjet TV shqiptar. Gjendesha pranë tij e isha kureshtare për atë çdo të thoshte. Dielli ishte i fortë dhe isha e detyruar të mbaja syzet. Më shërbenin për të fshehur dhe ndonjë lot që më rridhte, ndërsa dëgjoja tek fliste për mundësitë që kishte Shqipëria. Emocionohesha dhe kuptoja se atdheu është shumë i dashur. Është nënë, babë, fëmijë, është gjithçka! E kur dëgjon që flasin mirë për vendin tënd, lotët nuk është se të kërkojnë leje, rrjedhin vetë, e ti je i detyruar t’i pranosh. Ndoshta lotët e dinin më mirë se unë që disa gjëra në vendin tim shkonin ndryshe, e ndoshta ato gjëra që rendiste Roberto mund të ishin të realizueshme. Por, a mundeshin patriotët e mi të ndershëm t’i përmbushnin gjithë këto?

Vazhdojmë për Marikaj, për të vizituar kantinën “Bardha”.

- Daniela, jemi në Shqipëri këtu, apo në Itali?

- Sinqerisht Roberto, nuk e kuptoj as unë.

Ndërsa ngjiteshim asaj rruge në pronë private, të asfaltuar si pak rrugë, zemra të mbushet gjithë gëzim. Ishte një bukuri mahnitëse. Aty na priti menaxheri i asaj kantine, Agim Dani, i cili ishte një surprizë për të gjithë ne. Me edukatë dhe stil fin, na bëri xhiron e kantinës së mbushur me botet e drunjta dhe fuçi alumini. Çdo gjë e mirëvendosur në përsosmëri. Rrënjët e ullirit, 680 gjithsej, pasuronin peizazhin. Ndërsa na tregonte në detaje çdo gjë, ndihej dhe thjeshtësia e tij. “Vera do të dali në treg, vetëm kur cilësia të jetë dinjitoze.” Nuk është e paktë të flitet për cilësi në Shqipëri!

Vazhduam për Ishëm, për të vizituar kantinën “Duka”. Panorama ishte e papërshkrueshme në pak rreshta. Perëndimi prekte sipërfaqen e detit dhe lëshonte mbi vreshta një ngjyrë të magjishme të kuqërremtë, e ndihmuar kjo dhe nga ngjyrat e vjeshtës. Retë vallëzonin rreth diellit, duke lënë vijëzime të formave të ndryshme, sikurse fjalët nuk mjaftojnë. Në këtë kantinë na la pa fjalë enologu 78-vjeçar, i cili fliste gjithë krenari mbi vreshtin e tij, Tempranillo. Kishte durim t’i shpjegonte mikes sime, Gladys, tashmë e pasionuar pas rakisë, se si e bënin këtë të fundit.

“Sheshi i Bardhë” i kantinës “Bardha” që na u shërbye në darkë në restorantin “Piazza”, ishte një zbulim tjetër i këndshëm. Vendi im kishte vendosur të më linte pa fjalë kësaj here dhe kjo më bënte të ndihesha krenare para miqve të mi.

Më sipër flisja për lodhjen para nisjes. Isha në rrugëtim prej gati 30 orësh, por lodhja ishte zhdukur. Ndihesha mirë, e lumtur! Mund të çlodhesha në çdo moment. Të tjerët, të huaj, ishin aty për vendin tim e nuk mund të ankohesha.

E diela na rezervon befasi të tjera. Nisemi për Rrëshen. Aty na pret zoti Fran Kaçorri, pronar i kantinës “Arbëri”. Kjo qytezë më habiti për një gjë: aty ndërtoheshin pallate të reja, gjë që tregonte se njerëzit nuk donin të shpërnguleshin në Tiranë, që tashmë është e gjitha e çimentuar. Zoti Fran fillon të na tregojë për traditat e historinë e atyre trojeve. Edhe etiketa e shishes së tij tregonte historinë. Përfaqësonte një kishë 800-vjeçare, e cila kishte përballur luftëra të shumta (përfshirë dhe pushtimin turk), një qerre dhe 2 njerëz që punon vreshtat. Dhe tani që e përshkruaj emocionohem. Vera flet, tregon, por për mua edhe etiketa flet…

Drekën e kaluam nga “Mrizi i Zanave”, te miku ynë, Altin Prenga, i sapokthyer nga Salloni i Shijes, me një grup tjetër shqiptarësh. Aty pata fatin e nderin ta paraqisja Altinin dhe punën e tij, para miqve e kolegëve të mi somelierë. Kisha me çfarë të mburresha dhe unë, në një ngjarje me rëndësi të kalibrit ndërkombëtar. Ditën e fundit të panairit vjen në enotekë presidenti i “Slow Food”, Carlin Petrin. Duke bërë urimet e rastit, dikush i bën të ditur që unë jam shqiptare.

- Ashtu? A e njeh shqiptarin tjetër që bëri laboratorin të shtunën?

- Sigurisht. Kam qenë tek ai e do të jem edhe pas 2 javësh.

- Altini më nderoi, – tha – para gjithë botës. Para atyre që nuk besonin te një shqiptar, dhe bashkoi majat e gishtave e i puthi.

- Nëse ju ka nderuar juve, – i thashë – mendoni mua dhe bashkatdhetarët e mi.

Të gjitha verërat që provuam gjatë atyre ditëve ishin të një cilësie të kënaqshme. “Kallmeti” thoshte: jam dhe unë, sikurse “Nebbiolo” juaj! Vera shqiptare tashmë ka personalitetin e saj. Të mos e lëmë ta humbi!!! Është detyra jonë…

Të nesërmen, para se t’i shoqëroja për në aeroport, i ftova për një kafe në një bar në katin e 13 të një pallati. Aty Tirana shikohej nga të gjitha anët.

- Kishe të drejtë kur the që është e gjitha e çimentuar… Është pikërisht kështu.

Ja, ato fjalë që nuk do të doje t’i dëgjoje kurrë, edhe pse e di që ajo është e vërteta. Po, qyteti im është i gjithi i betonuar… Nuk ka pemë, që janë oksigjeni i një qyteti, nuk ka parqe ku të luajnë fëmijët. Kur ne ishim të vegjël, ndoshta nuk kishte parqe përreth shtëpisë, por ama kishim hapësira të mëdha, ku mund të luanim. Kush do të mendojë për nipërit tanë? Do të na gjykojnë. Do të na quajnë kafshë! Po kush do të ngelet t’ju tregojë që nuk ishim të gjithë kështu, por vetëm disa çakaj që e katandisën qytetin tim, tuajin, kështu!?

Pas nisjes së grupit, ndenja dhe ca ditë në Tiranë. Kam menduar gjatë për këtë udhëtim, me një ndjenjë të ëmbël dhe të hidhur njëkohësisht, lidhur me të ardhmen e këtyre kantinave dhe të këtij sektori. Tani heq mënjanë gotën e mbushur me nektarin e kujtimeve të bukura e të ardhmeve gjithë ngjyra për vreshtarinë shqiptare e kthehem në realitet:

LVIA, Shoqëria e Solidaritetit dhe Bashkimit Ndërkombëtar, pa qëllime fitimi, ndjek disa kantina në zonat më rurale e të largëta. Fondet e Ministrisë së Jashtme italiane, të përdorura për ndihma ekonomike dhe konsulencë enologjike, u kanë qenë në ndihmë shumë prodhuesve të verërave në Shqipëri. Më lind pyetja: Po shteti ynë, çfarë ka bërë për bujqit tanë? Ndokush ka menduar t’u hedhë një sy vështirësive të tyre? E dini që historikisht shteti italian (flas për Italinë, sepse atë njoh) u ka dhënë kredi herë me fond të humbur dhe herë pa interes bujqve të vet? Vetëm kështu mund ta stimulonte dëshirën që bujku të mos shpërngulej nga toka e tij dhe të kërkonte një jetë më të mirë në qytet (te ne, ky fenomen, tashmë është një plagë, jo pa të drejtë, pasi për një jetë më të mirë jemi dhe ne nëpër Europë). Dikush mund të më thotë që vera është luks. Jo, miqtë e mi, jo! Vera është kulturë, është turizëm, është pasuri e ne duhet ta kultivojmë dhe t’ua përcjellim brezave këtë kulturë. Është detyra jonë!

Nuk mund të mendojmë se italianët janë për të ndihmuar prodhuesit shqiptarë. Ne që jetojmë në Itali, jemi të ndërgjegjshëm mbi vështirësitë që po kalon ky vend. Ndaj nuk mund të mos i falënderojmë, por për të qenë e sigurt që këto (ju siguroj, nuk janë pak) parà, nuk do të kthehen në tym, bëj të njëjtin apel që edhe agronomi enolog, Alberto Cugnetto, thotë: JU TAKON JUVE!!! Nëse themelet dhe tulla e parë është vënë, tani detyra jonë është ta vazhdojmë. Nuk duhet të ndjekim mentalitetin që herët a vonë do të dalë dikush tjetër që do të na ndihmojë. Prodhuesit shqiptarë dhe verërat e tyre, nuk njihen nga OIV, Organizata Ndërkombëtare e Vreshtave dhe e Verës. Ka ardhur ora të trokitet në atë derë, për ta njohur punën e tyre… Si fëmija që ka nevojë të njihet nga i ati, që mos ta quajnë pa baba. Duhet që ne të shohim në këto financime, në këto udhëtime e konsulenca, gurin e të ardhmes. Të mos e lëmë si një shishe vere të braktisur në një cep, ku e rreh dielli dhe i nxehti dhe herët a vonë do të vdesë. Vera ka shpirt, sikurse ata që e prodhojnë! Të mos e lëmë në një agoni të gjatë dhe të dhimbshme. Do të ishte mëkat…

Falënderoj të gjithë prodhuesit që morën pjesë edhe në mbrëmjen e degustimit dhe ata që vizituam në kantina, në veçanti miqtë e mi: Roberto Rabachino, Torres Gladys, Alberto Cugnetto dhe përfaqësuesin e projektit LVIA, Andrea Lo Iocono.

*Autorja është gruaja e parë në Piemonte, fituese e çmimit “Tulipani i Artë”, një vlerësim për somelierët nga Federata Kombëtare e Restoranteve dhe Hoteleve italiane.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi