Shuhet Violeta Manushi perjetesoi Teto Ollgen

Shuhet Violeta Manushi, përjetësoi Teto Ollgën

Voleta Manushi do të realizonte personazhe të tilla në karrierën e saj të gjatë artistike, me një temp jashtëzakonisht të lartë dinamizmi dhe emocionaliteti. Por për opinionin, vetëm disa muaj më parë, ajo do të shfaqej nëpër ekrane, ashtu siç askush nuk e ka dashur; e dergjur në shtrat, pas një operacioni si pasojë e një sëmundjeje që e mundonte prej kohësh. Ishte ish-kreu i shtetit, Alfred Moisiu, i cili do t‘i shkonte te koka dhe me një tufë lule, do t‘i uronte: "Shërim të shpejtë". Por, vdekja, e vetmja gjë e sigurt që dimë se do të ndodhë, ashtu siç jemi të sigurt që jetojmë, e mori me vete, në moshën 81-vjeçare, duke mos e lënë të shuhej të paktën në skenë, ashtu siç dëshironte. Sepse, në fakt, jeta e saj ishte skena. Aty niste dhe përfundonte jeta e Violeta Manushit, në më shumë se gjysmën e jetës së saj. Të tjerat vinin më pas. Për herë të parë Violeta Manushi u ngjit në skenë në vitin 1946 dhe deri para disa vitesh, ai numëronte rreth 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Te kjo e fundit shënoi dhe një ndër kulmet e karrierës së saj; rolin e teto Ollgës te "Zonja nga qyteti".

Ky rol i`u shpërblye me medaljonin e Festivalit të filmit në vitin 1977. Teto Ollga, ishte dhe do të mbetet një lapidar, një monument i aktrimit në historinë e filmit shqiptar. Aty Violeta Manushi, shpalosi prejardhjen e saj nga Korça, si një trevë, prej ku kanë dalë, mjeshtrit e skenës dhe të filmit shqiptar. Ajo me atë rol, shkriu talentin e saj, duke interpretuar një grua pak gërnjare, tekanjoze, të dashuruar patologjikisht me qytetin (nënkupto: kulturën, pastërtinë, të fisshmen, edukatën), por dhe të ëmbël e fisnike. Shumë role te tjera e shoqëruan karrierën e saj, por një tjetër kulm do ta shënonte në teatër: në rolin e një tjetër tetoje (pa emër konkret), te "Pallati 176". Sërish, duke u mbështetur në intuitën e saj prej korçareje, së bashku me një tjetër "patriot", Roland Trebickën, do të ngrinte një tjetër monument interpretimi skenik, me një pasuri batutash dhe plasticiteti aktorial, unikal në llojin e vet. Ishin vitet ‘80-të dhe në të njëjtën periudhë, ajo do të skaliste rolin e vjehrrës te "Valsi i Titanikut", sërish duke pasur në krah Roland Trebickën, në rolin e xha Spirakes.

Aty Violeta Manushi arriti të realizonte një rol tejet të vështirë, ku thelbi negativ i personazhit do të përcillej përmes hipokrizisë, me variabile ekstreme. Mirëpo, duke pasur parasysh natyrën e saj të qetë dhe të paqme në jetë, kuptohet se sa klas i është dashur të transformohet në një grua që e ka pushtuar djalli i pasurisë materiale. Të ngjashëm do të kishte dhe rolin e një tjetër vjehrre, në fund të viteve ‘80-të, (rolin e "mamasë"), së kryetarit të Komitetit Ekzekutiv te filmi "Rrethimi i vogël", por pa dozën e hipokrizisë, thjesht me atë të naivitetit. Më shumë se për batutën si përmbajtje, Violeta Manushi, mbahet mend në personazhet e saj për stilin e interpretimit të batutës dhe për natyrshmërinë ndërtimit të roleve. E pasforcuar, elastike, e vërtetë, jetësore, ishin këto cilësitë e aktores së madhe Violeta Manushi, që e bënin atë në sy të publikut të mos i dallohej kufiri, se ku ishte ndryshimi i Violetës si qytetare nga ajo si aktore. Përpos kësaj, ajo ishte aktore edhe kur heshtte. Ndaj ndodhi që publiku dhe njerëzit ta kishin të vështirë ta pranonin atë edhe me statusin e një gruaje në politikë, në mbledhje partish, siç ishin evenimentet e PS-së, ku ajo militoi prej vitesh.

Violeta Manushi iku duke shënuar emrin e radhës që po largohet nga kjo jetë, nga aradhja e atyre personaliteteve të mëdha të artit skenik dhe kinematografik shqiptar, që vunë themelet e godinës së aktrimit teatror dhe filmik, ndër më të adhuruarit nga shqiptarët ndër vite. Këtej e tutje ajo do të jetë, por si kujtim, si libër, si model dhe patjetër, në trajtën e një bredhi në oborrin e Teatrit Kombëtar, së bashku më sivëllezërit e saj të ndjerë të skenës. Një vit më parë, në 80-vjetorin e lindjes, Violeta Manushi u shpall "Qytetare nderi" e Tiranës. Aty ishin të gjithë, kur ajo u përlot dhe kur u dërgonte të puthura mirënjohjeje nëpërmjet buzëqeshjes së skalitur në fytyrë, të gjithë atyre që e duartrokisnin dhe që ia mbushën kraharorin me lule. Nga "Streha e të harruarve", pjesës më të fundit teatrale që ajo luajti së bashku me vërsnikët e saj në karrierën si aktore në vitin 2004, i është larguar dje dhe Violeta Manushi, një banore që nuk ka gjasa të mbetet e harruar, nëse brezat e ardhshëm të aktrimit, nuk do të vuajnë nga deliri i madhështisë për ta bjerrë një ndër virtytet më të larta njerëzore, mirënjohjen!

Jeta skenike e Violeta Manushit

Tipografja që u bë aktore

Ka qenë rreth të njëzetave kur i feks dëshira për t`u bërë aktore, ndërkohë që ushtronte profesionin e tipografes. Ishte viti 1946. Në Shqipëri kishte nisur të mendohej për artin skenik. Vendos të futet në shkollën e parë të aktrimit të hapur asokohe, dhe aty shpërfaq një talent të lindur. Kështu, në vitin 1957 ajo shënon një rekord: në dramën "Orët e Kremlinit", luan njëherësh tri role. E ndërkohë që në teatër do të merrte rol pas roli, duke forcuar imazhin e vet në skenë dhe duke u bërë e padiskutueshme në vlera për çdo regjisor, Violeta Manushi, bëhet e preferueshme dhe për filmin. Ajo do të ishte e pranishme te "Tana" e më pas në filmat "Debatik", "Vitet e para", "Zonja nga qyteti", "Zemrat që nuk plaken", "Përtej mureve të gurta", "Një shoqe nga fshati", "Taulanti kërkon një motër", "Rrethimi i vogël" dhe "Eja!".

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama