Kercimi Lufton stresin ankthin dhe depresionin

Kercimi: Lufton stresin, ankthin dhe depresionin
Të kërcesh, jo vetëm që argëtohesh, po i bën mirë edhe mendjes dhe trupit. Studimet e fundit tregojnë se me kërcimin mund të luftosh shumë patologji

Balet klasik, kërcim modern, tango, salsa, merenge, rege, apo ndonjë lloj tjetër kërcimi. E keni vetë në dorë të zgjidhni atë që ju pëlqen, por pavarësisht kësaj, kujtoni gjithmonë se kërcimi është një ilaç shumë efikas për të pasur një mendje të shëndetshme. Në fakt, asnjë prej nesh nuk do t’i thoshte jo një ftese për t’u argëtuar në një bar me muzikën që ne pëlqejnë. Arsyeja? Sigurisht për t’iu larguar streseve të jetës së përditshme, për t’u çlodhur dhe për t’u ndjerë plot energji ditën tjetër.

Por nëse efektet janë kaq pozitive menjëherë në kaq kohë, ç’mund të thuhet nëse kërcimi praktikohet rregullisht, minimumi dy ose tri herë në javë. Atëherë nuk kemi pse e vëmë më në dyshim: një kurs kërcimi do të ishte gjëja më e mirë që duhet bërë në këto kohë të vështira. Këtë na thonë edhe mjekët suedezë, prandaj nuk kemi pse të jemi skeptikë për të besuar se kërcimi mund të na e lehtësojë jetën.

Maria, një vajzë 19 vjeçe, pjesë e studimit, e tregon më së miri këtë. “Ndihesha e lodhur dhe shfaqja herë pas here shenja ankthi dhe lodhjeje. Rastësisht vendosa të bëhesha pesë e një studimi për të vërtetuar efektet e kërcimit në këto lloj gjendjesh shpirtërore dhe fizike. Pas një përvoje të mrekullueshme, mund të them me plot gojën se tani ndihem më mirë”, tregon ajo. Edhe Ingridi e mbështet plotësisht këtë tezë. Ajo tregon se tashmë shkon në kurse kërcimi tri herë në javë, në mënyrë të rregullt dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë për asnjë arsye.

Sipas një studimi të fundit, kërcimi është shumë i mirë për të luftuar stresin, depresionin, por edhe dhembjen e kokës. Ky aktivitet i këndshëm fizik mund të na ndihmojë të kemi një shëndet mendor, shumë herë më të mirë. Studimet kanë treguar se simptomat e lidhura me depresionin, ankthin dhe stresin, lodhjen fizike apo mendore, madje edhe dhembjen e kokës, mund të largohen lehtësisht përmes një aktiviteti të thjeshtë, argëtues dhe të shëndetshëm: kërcimin. Me pak fjalë, kush e praktikon me njëfarë rregullsie këtë lloj aktiviteti fizik, duket se arrin të kontrollojë më mirë shqetësimet psikofizike, duke fituar më shumë vetëbesim dhe një aftësi më të madhe për të përballuar problemet e jetës së përditshme.

Këtë e sugjeron edhe një studim i fundit suedez që ka analizuar me kujdes efektet e kërcimit në një grup vajzash të reja. Grupi i koordinuar nga Anna Duberg, fizioterapiste në “Örebro University Hospital” ka përfshirë 122 vajza suedeze me moshë nga 13 deri në 19 vjeçe. Të gjitha vajzat kishin shkuar shpesh në spital për të marrë ndihmë për simptomat e ankthit, depresionit, lodhjes psiko-fizike, dhembjes së kokës, dhembjes së shpinës apo edhe qafës dhe shpatullave. Pjesëmarrëset në studim u ndanë në dy grupe, ku i pari përbëhej nga 59 vajza ndërsa i dyti nga 53. Ato që i përkisnin grupit “59” u ftuan në një program vallëzimi, që parashikonte kërcimin në grup dhe me rregullsi për rreth dy ditë në javë.

Të tjerat që i përkisnin grupit “53” nuk i modifikuan aspak zakonet e tyre të jetesës. Rezultatet e studimit ishin të mrekullueshme. Simptomat jo vetëm që ishin zhdukur në kohën kur kryhej aktiviteti, por edhe për katër deri në tetë muaj më pas, vajzat ndiheshin shumë mirë, duke mos shfaqur shenja ankthi, stresi apo depresioni. Në grupin tjetër gjendja nuk kishte ndryshuar aspak. Në fund, pjesëmarrëset deklaruan në 91 për qind të rasteve se kërcimi kishte qenë një përvojë pozitive dhe që me siguri do ta merrnin në konsideratë në të ardhmen. Me sa duket është pikërisht rasti për të thënë kërceni sa më shumë, për të luftuar stresin, shkaktarin e të gjitha sëmundjeve të sotme moderne.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama