Prokuroria hetim per akuzen e vjedhjes 170 milione euro nga CEZ

Prokuroria , hetim per akuzen e vjedhjes 170 milione euro nga CEZ
Tiranë Teksa kompania CEZ po mendon largimin nga Shqipëria, prokuroria po heton mbi një çështje që hedh dyshime për vjedhje e abuzime në shifra marramendëse në dëm të konsumatorëve shqiptarë. Shkak është bërë një kallëzim penal nga një prej ish-punonjësve të kompanisë CEZ, i cili tregon mekanizmin e vjedhjes, që sipas tij është kryer në vazhdimësi dhe në disa forma nga kompania që shpërndan energjinë në vend. Kallëzuesi është ndalur gjatë në zbërthimin e mekanizmit të mashtrimit, që sipas tij kjo kompani ka kryer në dëm të konsumatorëve, duke pretenduar se vetëm në dy muaj CEZ ka përfituar 170 milionë lekë nga abuzimi me matësit e energjisë elektrike.

Kallëzuesi i identifikuar si Arben Hasani, sqaron se shifra kolosale e përfituar nga CEZ nëpërmjet abuzimit është përfituar vetëm në muajt janar dhe mars të vitit të shkuar, në kryeqytet. Në kallëzim shpjegohet roli dhe detyra që kompania e shpërndarjes së energjisë ka, ku sipas tij CEZ ka si aktivitet marrjen e energjisë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe përcjelljen e saj tek konsumatorët në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, CEZ grumbullon të ardhura nga kjo shpërndarje e energjisë. Duke u ndalur në mekanizmin e pretenduar të vjedhjes, kallëzuesi sqaron se CEZ ka shitur më shumë energji nga sasia e blerë, edhe pse humbjet në rrjet zyrtarisht llogariten në 12 për qind, por kjo shifër besohet të jetë shumë më e madhe.

“Për periudhën e muajit janar 2011 KESH i shet CEZ-it në fidrin nr. 330 në Tiranë sasinë prej 2 milionë e 886 mijë kilovatë (kë) energji. Ndërkohë për muajin janar 2011, kompania CEZ u faturon qytetarëve dhe institucioneve (gjithsej 2 mijë e 93 abonentë) nga ky fider sasinë prej 3 milionë e 940 mijë e 413 kilovatë. Diferenca mes energjisë së blerë dhe asaj të shitur është 1 milion e 54 mijë e 413 kë”, – thuhet në kallëzim, ku tregohet se diferenca mes energjisë së blerë dhe asaj të shpërndarë te konsumatorët është mbi 1 milion kilovat/orë. E njëjta skemë sipas kallëzuesit është përdorur edhe për muajin mars të vitit 2011, kur KESH i shet kompanisë CEZ në fidrin nr. 330 në Tiranë, sasinë prej 2 milionë e 458 mijë kilovat/orë.

Po për këtë muaj, kompania CEZ u faturon abonentëve nga ky fidër sasinë prej 2 milionë e 760 mijë e 981 kë. Diferenca mes energjisë së blerë dhe asaj të shitur është 302 mijë e 981 kë. “Kjo diferencë pozitive vjen si rezultat i kolaudimit në mënyrë të qëllimshme të matësve nga CEZ, me qëllim për të vjedhur qytetarët. Si rregull, sasia që KESH i jep kompanisë CEZ gjatë shpërndarjes duhet të jetë më e madhe se sasia e energjisë që CEZ u jep konsumatorëve. Kjo pasi gjatë shpërndarjes përfshihen edhe humbjet teknike në rrjet, ku norma e lejueshme llogaritet në masën 22 për qind. Pra, kompania CEZ u shet abonentëve më shumë energji nga sa merr prej KESH-it”,- thuhet në kallëzim. Më tej sqarohet se vetëm në dy muaj, në fidrin 330 në Tiranë, kompania CEZ ka përfituar mbi një milion euro të ardhura, që sipas kallëzuesit vijnë nga abuzimet me matësit e energjisë elektrike. “Vetëm për dy muaj, në fidrin nr. 330 në Tiranë ka një diferencë të vjedhur në sasinë prej 1 milion e 357 mijë e 394 kë.

Kjo sasi energjie e llogaritur me vlerën 7.5 lekë për kë është e barabartë me shumën 10 milionë e 180 mijë e 455 lekë të reja. Por nëse një abonent kalon konsumin e 300 kilovatëve gjatë një muaji, çmimi nuk është më 7.5 lekë për kilovat, por 13.2 lekë për kilovat. Sasia e konsumuar në fidrin nr. 330 për muajin janar 2011 është 3 milionë e 940 mijë e 413. Kjo sasi energjie po të pjesëtohet me numrin e abonentëve që janë 2093, tregon se secili prej abonentëve ka konsumuar 1 mijë e 882 kilovat energji. Sasia prej 1 milion e 357 mijë e 394 kilovatë, e llogaritur me çmimin 13.7 lekë kilovatori është e barabartë me 17 milionë e 917 mijë e 600 lekë të reja”, – thuhet në kallëzim.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama