Kampionati i lojerave elektronike ne gare femijet me te rriturit

Kampionati i lojerave elektronike, ne gare femijet me te rriturit
Shqiptarët janë aq shumë të dhënë pas lojrave elektronike sa shumica e tyre nuk kursejnë as orët e vona të natës për të qëndruar në qendra interneti apo duke luajtur në shtëpi. Ky interesim kaq i madh u ka rënë në sy së tepërmi të huajve që qëndrojnë në Shqipëri. Aq sa Chris Brent (Kris), nga Dallasi i Teksasit, që jeton prej 5 vitesh në Shqipëri, ka menduar të organizojë kampionatin e parë të videolojrave në Shqipëri. Megjithëse shumica e njerëzve janë kaq të dhënë pas lojrave, psikologët nuk ngurrojnë të shprehen se angazhimi i tepërt dhe përmbajtja e tyre e dhunshme, sjellin çekuilibrim në jetën e këtyre personave. Përtej kësaj, kërkesat për këtë garë janë tepër të mëdha, sepse të gjithë mendojnë se dinë të luajnë shkëlqyeshëm.

E veçanta e kësaj gare është se nuk ka dallim moshe, por do të marrin pjesë fëmijë nga mosha 10 vjeç deri në 35 vjeç. Përjashtim nuk bëjnë as vajzat, të cilat pritet t’i shohim si konkurrente. Pra, të rriturit do të luajnë me fëmijët. “Kam parë shumë njerëz që luajnë me lojra në kompjuter dhe më ka bërë shumë përshtypje se sa të dhënë janë shqiptarët për lojrat elektronike. Ka shumë fëmijë që qëndrojnë me orë të tëra para kompjuterit për të luajtur. Përveç fëmijëve, kam vënë re që luajnë shumë edhe moshat e mëdha. I kam parë të rrinë deri vonë gjatë natës për të luajtur. Madje shpeshherë bëhen edhe nervoz nëse loja nuk ecën ashtu si duhet. Kjo është edhe arsyeja që vendosa të organizoj një kampionat, sepse ka shumë lojtarë”,- shprehet Kris.

 Kërkesat

Kur e pyetëm Krisin se nëse janë të interesuar për të marrë pjesë në kampionat, ai na shpjegoi se pas shpalljes së kërkesës ka pasur shumë që duan të marrin pjesë. Madje, ai u shpreh se të shtunën është gara e parë dhe lojtari që fiton nga 6 garuesit, do të vazhdojë sërish në javën e dytë. Madje, fituesit do të shpërblehen me disa çmime javore, mujore dhe me çmimin final. Duke pasur parasysh se lojrat si Countrey Strike, janë cilësuar të dëmshme për fëmijët dhe sjellin çorientim, Kris na shpjegon se nuk ka lojëra të tilla në garë. “Nuk do të ketë lojëra me përmbajtje dhune apo prerje kokash. Do të ketë lojëra zbavitëse si: Gara me makinë, lojë me të qëlluar në shenjë me harqe, lojëra sportive, lojëra kërcimi etj. E kemi shmangur dhunën nga lojrat që kemi përzgjedhur për garën, duke pasur parasysh se kemi dhe fëmijë që marrin pjesë”,- tregon Kris Brenti. Ai shprehet se vetë ka dalë dy herë kampion i videolojrave në vendlindjen e tij në Dallas. Madje edhe djalit të tij 4-vjeçar, ia ka mësuar të gjitha lojrat dhe e lejon të luajë nga 1 deri në dy orë në ditë.

Kampionati

Regjistrimet e pjesëmarrjes në garë tashmë kanë filluar. Prandaj Chris Brent do të mbajë për herë të parë një konkurs videolojrash, për të parë se kush janë lojtarët më të mirë në Shqipëri. Shpërblimet do të jepen çdo javë dhe çdo muaj, sipas specifikimeve të lojës. Lojrat do të përfshijnë lojra me gara si Gran Turismo 5, first person shoot si Uncharted 3 dhe lojëra të tjera përfshirë dhe kontrollerat e rinj Playstation Move. Lojtari me rezultatin më të lartë do të fitojë paketën e çmimeve për vendin e parë, të dytë dhe të tretë, ku shuma do të jetë në lekë dhe në përftime ekstra. Finalja e madhe do të mbahet në muajin dhjetor.

Etel Telezi, si ndikojnë videolojrat tek fëmijët

Etel Elezi, psikologe për fëmijë na tregon të mirat dhe të këqijat e videolojrave. Ajo shprehet se loja për fëmijën është një shtysë shumë e rëndësishme për të njohur botën. Gjatë jetës, ai fiton karakteristika të ndryshme dhe fillon njohjen duke luajtur me lojra sensoro-motorike, të cilat e ndihmojnë të mësojë përdorimin e trupit dhe instrumentave që e ndihmojnë të modifikojë marrëdhëniet me objektet.

Çfarë efekti kanë videolojrat, ndikojnë për mirë apo për keq?

 Nuk është e thjeshtë t’i japësh një përgjigje kësaj pyetjeje. Shumë studime kanë treguar si efektet pozitive po ashtu edhe efektet apo ndikimin negativ të përdorimit të lojrave elektronike për një kohë të gjatë, sidomos tek fëmijët.

 Cilat janë efektet negative të përdorimit të lojrave elektronike?


 Efektet negative të përdorimit të lojrave elektronike me fabul strategjitë, misionet ushtarake me përmbajtje dhunën, mund të rendisim disa: Harxhimi i madh i kohës, e cila mund të shpenzohet me aktivitete sportive, krijimi i një zakoni që ndikon në obezitet (qëndrimi ulur për një kohë të gjatë), prishja e marrëdhënies fëmijë-libër, eliminimi i komunikimit prind-fëmijë. Disa prej këtyre efekteve negative janë edhe imitimi i sjelljeve dhe tendenca për të kryer sjellje agresive më lehtë duke imituar personazhet e lojrave elektronike, humbja e energjisë psikologjike, e cila e ndihmon fëmijën të përqëndrohet në detyrat e tij akademike. Fëmija, mbasi ka qëndruar për shumë orë para lojës elektronike nuk ka më dëshirë dhe energji të përqëndrohet mjaftueshëm mbi libra. Si rrjedhim, nëse zgjat në kohë një sjellje e tillë vëmë re edhe rënie në mësime. Gjithashtu, fëmija largohet nga loja me bashkëmoshatarët e tij.

Cilët fëmijë mund të bien më lehtë pre e lojrave elektronike dhe të apasionohen prej tyre?

 Mund të bien pre fëmijët që qëndrojnë gjatë vetëm në shtëpi, pa kontrollin e prindërve. Po kështu, fëmijët që kanë vështirësi në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve sociale, fëmijët e mbyllur, të tërhequr nga jeta sociale. Të predispozuar janë fëmijët që kanë problematika të vështira familjare si divorc, ngrindje në mes prindërve, fëmijët që kanë një komunikim të varfër me prindërit e tyre etj. Të gjitha arsyet që u renditën më sipër ndikojnë që fëmija të gjejë kënaqësi dhe aprovim pozitiv për veten e tij duke luajtur me lojra elektronike. Këta fëmijë e kanë të vështirë të ndërtojnë raporte me njerëzit dhe krijojnë varësi nga marrëdhënia e tyre me play-station-in apo lojra të ndryshme elektronike. 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama