Nje kurore mis-i ne koken e historise

Një kurorë mis-i, në kokën e historisë

Menaxheri i shoqatës së manekeneve të Prizrenit "FREEDOM" Shpëtim Zejneli, thotë se kanë nisur tashmë përpjekjet që spektakli më i madh i bukurisë "Mis Shqiptarja në botë", për vitin 2008 të bëhet në Prizren. "Kemi tre evenimente të veçanta për kombin shqiptar, së pari spektaklin që do ta zhvillojmë më 10 qershor në ditën 130 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, prej nga ku doli dhe qeveria e parë shqiptare gjithëpërfshirëse, së dyti viti i parë i pavarësisë le të vijë me bukurinë shqiptare në botë, dhe së treti vetë konkursi i madh i bukurisë shënohet në Prizren për herë të parë dhe përbën një eveniment". Menaxheri Zejneli tregon se ka kontakte të mira me vip-at e spektakleve në Shqipëri si: Petri Bozo, Vera Grabocka, Ardit Gjebrea etj., dhe se me ndihmën e tyre do të vendosej mbi detajet e programit të madh të Mis Shqiptares në botë.

Shpëtim Zejneli i datëlindjes 1974, me banim në Prizren, i specializuar në Kroaci dhe në Francë në shtëpitë e njohura të modës, duket mjaft i ri, por në kalendarin e tij ka plot arritje të fushës së spektakleve të bukurisë edhe në kohën e pushtimit të Kosovës, në kohën më obskurantiste. "Kemi nisur në vitin 1994 me spektaklin "Mis Kosova në Prishtinë", thotë menaxheri Zejneli, duke shtuar se as lufta nuk ka mundur ta pengojë konkursin e bukurisë në Kosovë. "Ishte si një sfidë që bukuria i bënte vdekjes dhe pushtimit...", thotë ai. Dy vjet më vonë, në vitin 1996, "Mis Kosova" organizohet përsëri në Prizren, ndërkohë që vit pas vit konkurset e bukurisë kosovare kanë vijuar në qytetet e Pejës, Mitrovicës etj. Që nga viti 1993, spektakli i bukurisë në Prizren me shtrirje rajonale nuk ka munguar asnjë vit, deri në vitin 2006. Tani po punojmë për projektin e madh të 2008-tës, thotë ai, duke shtuar se po punohet ndërkohë për një takim të përbashkët të të gjithë emrave të njohur dhe me përvojë në organizimin e ngjarjeve të tilla të mëdha.

Spektaklet "Mis Shqipëria".

Kosova ka treguar ndjeshmëri, jo vetëm për konkurset e muzikës që bëhen në Tiranë, por edhe për çdo gjë tjetër të bukur siç është edhe spektakli për "Mis". "Në edicionin e fundit të realizuar nga Petri Bozo, ne kemi dërguar tri vajza, një prej të cilave mori vlerësim jo të vogël", kujton menaxheri Zejneli. Në edicione të shkuara, spektaklet e bukurisë shqiptare kanë kurorëzuar me kurorën e misit edhe vajza të Kosovës, të cilat lexuesi tashmë i njeh.

Mis Shqiptarja në botë?

Shqiptarët janë kudo në botë, arsyeton në projektin e vet shoqata e manekenëve të Prizrenit, "jemi shpërndarë aq shumë gjatë shekullit të shkuar, sa mund të themi se pjesa më e madhe ndodhet jashtë atdheut", thotë një aktivist i projektit. Ndërkaq, kryetari i shoqatës, Erdohan Jarëmhorozi, thotë se është kontaktuar me komunitetet shqiptare në disa prej shteteve kryesore ku janë vendosur. "Kemi kontaktuar me degët tona dhe me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptar në Angli, Suedi, Gjermani, Zvicër, SHBA etj., dhe kemi përgjigje dashamirëse që inkurajojnë projektin tonë", thotë ai.

Seli përfaqësuese në Kukës.

Zejneli dhe drejtues të tjerë kanë udhëtuar edhe në Kukës këto ditë, ku kanë marrë kontakte me drejtuesit vendorë të pushtetit, si dhe me eksponentë të shoqërisë civile. "Ne po studiojmë mundësinë për një seli përfaqësuese këtu, sepse është shumë mirë", thotë Zejneli, këtu mund të organizojmë spektakle të mira të bukurisë me pjesëmarrjen e vajzave nga të dy vendet, por edhe më gjerë, siç bëhet me festivalet e muzikës, p.sh. Në qytetin verilindor të Kukësit, gjatë kohëve të shkuara, ka pasur vetëm një spektakël "Mis Kukësi", në kuadër të një aktiviteti kombëtar vite më parë, ndërsa më pas, nuk ka pasur nisma të tilla, ndonëse ka mjaft vajza që do të ishin të gatshme për të konkurruar për mis. Në spektaklet kombëtare të organizuara në vend nuk kanë munguar edhe vajzat nga Kukësi, të cilat kanë zënë edhe vende në krye të klasifikimit. Çelja e një zyre të manekenëve në Kukës do të ishte ndoshta prologu edhe i linjave të mëtejshme të pasarelës...

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama