Prokuroria rihap dosjen per Bashen

Prokuroria rihap dosjen per Bashen
Hetimet për ndryshimin e projektit të punimeve në sheshin “Skënderbej” do të vazhdojnë. Drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës dhe të Prokurorisë së Përgjithshme kanë shfuqizuar vendimin e grupit hetimor për pushimin e këtij hetimi. Verifikimet nga njësia Task-Forcë në prokurori dolën në konkluzionin se kallëzimi i këshilltarëve socialistë në bashki nuk kishte prova dhe për rrjedhojë, hetimi duhet të pushohet. Një vendim i arsyetuar i është dërguar drejtuesve të Prokurorisë së Tiranës, ndërsa është vënë në dijeni edhe akuza qendrore. Pas një sërë analizash dhe diskutimesh në të dyja këto institucione, u vendos që të shfuqizohet vendimi i pushimit dhe grupi hetimor duhet të rihetojë vendimet e kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për ndryshimin e projektit të punimeve, pasi pretendohet se ka një dëm miliona euro.

Duket se ky është vetëm hapi i parë i përplasjeve mes prokurorisë dhe qeverisë, të cilat më së shumti do të fokusohen te mandati i Kryeprokurores Ina Rama, për të cilin, deputetë të PD-së, thonë se i mbaron në muajin nëntor. Zyrtarë të akuzës qendrore, por edhe prokurorë të rretheve, mendojnë se mandati i zonjës Rama përfundon në muajin mars të vitit 2013. Prokuroria i është kundërpërgjigjur deklaratave të mazhorancës, madje me një urdhër të fortë, duke urdhëruar hetimin e vendimmarrjes së kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ka qenë më parë i pandehur për abuzimet gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Transporteve.

Hetimi i Task-Forcës

Disa muaj pas kallëzimit penal nga grupi i këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, grupi hetimor vendosi se nuk provohet të ketë shkelje ligjore në këtë vendimmarrje. Nuk u përcaktua një dëm ekonomik, megjithëse në duart e hetuesve ishin të gjitha shkresat e Drejtorisë së Financave dhe Drejtorisë Juridike në Bashkinë e Tiranës. Grupi i ekspertëve që po merren me këto bilance nuk ka nxjerrë ende dëmin, pasi nuk është përcaktuar nëse këto para kanë qenë donacione apo para nga taksapaguesit e qytetarëve të Tiranës. Procedimi penal u regjistrua me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe hetimet u zhvilluan pa emra personash të akuzuar, madje ende nuk ka asnjë të pandehur. “Grupi hetimor ka mbledhur të gjitha dokumentet dhe fondet që janë përdorur për ndërtimin e sheshit ‘Skënderbej’. Është verifikuar zbatimi i projektit të parë dhe ndryshimi i tij, duke e devijuar projektin”, thanë burimet nga akuza qendrore, duke saktësuar se hetimet paraprake nuk nxorën ndonjë dëm. Hetimet u fokusuan te kallëzimi i këshilltarëve socialistë. Nisur nga këto të dhëna, grupi hetimor ka vendosur që të pushojë këtë çështje dhe një vendim të arsyetuar i kaloi drejtuesve të Prokurorisë së Tiranës dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.

Shfuqizimi i vendimit

Pas vendimit të grupit hetimor për pushimin e hetimeve, një vendim i arsyetuar u shkoi drejtuesve të Prokurorisë së Tiranës dhe të Përgjithshme, të cilët e rrëzuan këtë raport. Burime nga akuza qendrore thanë për gazetën “Shqip” se arsyeja “zyrtare” e këtij shfuqizimi ka qenë për lënien e disa detyrave grupit hetimor. Mësohet se drejtuesit kanë urdhëruar që të rikryhet një tjetër ekspertim për të vendosur nëse ka pasur apo jo dëm ekonomik nga ndryshimi i projektit dhe nëse paratë që janë investuar për projektin e mëparshëm kanë qenë të taksapaguesve apo kanë qenë donacione. Një tjetër detyrë është edhe pyetje e të gjithë zyrtarëve, të çfarëdolloj niveli.

Box

Urdhrat

Drejtuesit kanë urdhëruar që të rikryhet një tjetër ekspertim për të vendosur nëse ka pasur apo jo dëm ekonomik nga ndryshimi i projektit dhe nëse paratë e investuara kanë qenë të taksapaguesve apo kanë qenë donacione

Kallëzimi

Projekti - Bashkia e Tiranës nisi zbatimin e projektit për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”, në mars 2010

Financimi  - “Më 25 janar 2008 u nënshkrua marrëveshja 5 milionë euro nga qeveria kuvajtiane, për financimin e projektit “Rinovimi i Sheshit Skënderbej”

Investimi - U investuan 5 milionë euro. S’ka asnjë marrëveshje për ndryshimin e projektit. Kostoja është e panjohur, që duhet të llogaritet mbi 1 milion euro

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama