Visar Zhiti vleresohet me cmimin Mario Luci

Visar Zhiti vlerësohet me çmimin  Mario Luci

Kritika në vendin fqinj vazhdon të hulumtojë për forcën krijuese të Luzit, por edhe për ato poezi të pabotuara, të cilat janë gjetur në shënimet e tij. Nuk ka asgjë dyshim, që ai është një nga figurat më të rëndësishme të evolucionit të poezisë italiane, nga klasikët drejt tendencës bashkëkohore. I thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, ai e ktheu Firencen në qytetin ku të gjithë kërkonin të udhëtonin, falë vargjeve të tij. Vdekja e tij në një moshë të pritshme e lartësoi më tepër emrin e Marioz Luzit, jo vetëm në faqet e gazetave, por edhe në antologjitë botërore të poezisë. Prej disa vitesh në Romë ekziston një çmim me emrin e këtij poeti, çmim që disa ditë më parë i është akorduar poetit shqiptar Visar Zhitit. Në qytetin e Romës, në teatrin "Valle" është organizuar për të dytin vit konkursi letrar me emrin e poetit të madh italian. Në ftesat që shënonin një nga vargjet e Luzit "Ne jemi ajo që kujtojmë, të treguarit është kujtim dhe kujtimi është jetë", të pranishmit udhëtuan në jetën dhe veprën e këtij krijuesi, tashmë të përjetësuar në një çmim. Një aktivitet i cilësuar nga mediat italiane si tepër interesant, për mesazhet që kërkon të përcjellë, ka rikthyer vëmendjen nga poezia shqiptare, duke qenë se një nga fituesit ishte një poet nga Shqipëria. Zhitit iu akordua çmimi nga shefi i Katedrës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin "La Sapienca", përkthyesi Elio Miraco. Në fjalën e mbajtur, Miraco vlerësoi mënyrën e të shkruarit të poetit shqiptar, duke vënë në pah edhe krijimtarinë e tij në këto vite. Zhiti këto vite është bërë i njohur edhe në Itali, nëpërmjet përkthimeve të ndryshme. Madje, ai është përfshirë sërish edhe në Enciklopedinë më të madhe italiane, ndër më të njohurat në botë "Treçani", e porsabotuar.

Çmimin tjetër të madh "Mario Luzi" e ka marrë poeti amerikano-indian Derek Walkot, i cili në vitin 1992 ka fituar edhe çmimin "Nobel". Walkot e mori këtë çmim për dramën e tij në vargje "Odisea". I pranishëm në këtë aktivitet, shpirti i poezisë amerikano-indiane recitoi disa poezi të tij në anglisht. Kjo veprimtari mbahej nën patronazhin e Senatit të Romës, me president Franco Marinin, i cili është njëkohësisht edhe president i çmimit "Mario Luzi". Juria përbëhej nga emra të njohur, me kryetare poeten Maria Luisa Spaziani. Për Marinin, një çmim me emrin e "Mario Luzit", atij burri të ndjeshëm të poezisë italiane do të thotë shumë. Ky çmim rikthen vëmendjen ndaj poezisë, e cila në këto kohë është e përqendruar gjithnjë e më tepër te politika. "Mario Luzi ishte një senator i përjetshëm, ndaj dhe synimi i këtij aktiviteti është përcjellja e vlerave humane dhe letrare, të mbartura dhe nga patriarku i poezisë italiane në gjysmën e dytë të shekullit XX, një zë i fuqishëm në të gjithë poezinë evropiane", tha Marini. Sipas tij "politika duhet të adaptojë një vizion strategjik afatgjatë në lidhje me letërsinë, në mënyrë që ngjarje të tilla kulturore të konsiderohen si një shans, si një potencial dhe jo si detyra për senatin. Ndjenja e qytetarisë, devocioni civil e politik duhet të karakterizojnë çdo poet, në mënyrë që poezia të ushtrojë funksionin e saj thelbësor: edukimin shpirtëror të një kombi. Çmimin "Mario Luzi" për librat poetik i kanë marrë edhe dy poetët italianë Claudio Damiani dhe Cesare Viviani. Ndërsa këtë çmim për esenë më të mirë e ka marrë shkrimtarja zvicerane Sarah Bernasconi.


Marre nga :Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama