Regjistroni domainin tuaj .al

Të pavdekshmit e rrokut

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Të pavdekshmit e rrokut
Të pavdekshmit e rrokut

Zoti Waters, ka gjithmonë e më tepër të rinj që pëlqejnë rrokun klasik. Përse muzika e viteve ‘60 dhe ‘70-të nuk del kurrë nga moda?

Mund të flas vetëm për muzikën që kemi bërë ne në "Pink Floyd". Mendoj se në të gjitha disqet tona ka pasur një dozë të madhe sinqeriteti dhe gjithçka është formuar në bazë të një ideje të veçantë. Kur mendoj, i them vetes se kemi qenë me fat që kemi gjetur njëri-tjetrin për të kompozuar në një moment të veçantë, në të cilin kitara elektrike kishte vetëm 15 vjet që ekzistonte. Adhuruesit e "rok & rrollit" ishin të fiksuar vetëm pas një Fender në fillim të viteve ‘50-të, por kur u shfaqëm ne të "Pink Floyd"-it gjithçka ishte për t‘u eksperimentuar. Ndoshta muzika jonë i pëlqen akoma të rinjve, sepse kanë qenë shumë herë të tradhtuar nga muzika që ndodhet në treg. Duhet bërë një ballafaqim, ku të përballim muzikën që bëhej para 30 vjetëve dhe atë që bëhet sot. Në kohën tonë, nuk përcaktoheshim nga ajo çka dëshironte tregu, por nga ajo që kishim ne dëshirë të shkruanim dhe bënim çfarë të na pëlqente.

Çfarë ka ndryshuar në këtë 30 vjet në lidhje me raportin tuaj me rrokun?

Jam shumë më i lumtur sot, se para 30 vjetëve. Jam më i relaksuar, më i lumtur që të rri në skenë, ndjehem më i lirë për të shprehur ndjenjat e mia kundrejt publikut, të cilët nuk isha në gjendje ta bëja kur isha më i ri. Kam qenë më i mbyllur, por sot kam shumë besim te lidhja që ekziston ndërmjet publikut. E ndjen që është real, i ndryshueshëm dhe gjithmonë arrij të kënaqem.

Mund të thuhet akoma nëse rroku është muzika e revoltës dhe të rinjve?

Jo. Çdo brez, ka prototipat e tij, të cilët kanë një mentalitet të ndryshëm për sa i përket stilit të jetesës. Një gjeneratë nuk është kurrë një trup i vetëm dhe të mendosh këtë është një iluzion. Në të gjitha epokat njerëzit kanë pasur dëshirën e rebelimit, solidarizimin me të tjerët që kishin një grup të caktuar idesh dhe rregullash. Pastaj revolta nuk ndodh vetëm nga të rinjtë, por edhe nga një moshë e mesme.

A mendoni se rolin kryesor për afirmimin e muzikës rrok e ka media?

Jo, mendoj të kundërtën se suksesi i parë i rrokut nuk ka ardhur nga media. Ishte një sukses nga shfaqjet e drejtpërdrejta. Vetëm ai që dinte fjalë kalimin mund të merrte pjesë në koncertet tona të viteve ‘50-të, që organizoheshin në një lokal të vogël në pjesën perëndimore të Amerikës. Mendoj se media i ka prezantuar këto këngë, pasi fenomeni ishte shumë i njohur nga të gjithë. Pra në këtë rast, mund të them se media ka luajtur një rol sekondar. Mendoj se media ka pasur një ndikim shumë të madh në transformimin e rrokut në biznes, që në ditët e para të prezantimit. Duke qenë se televizioni ka shumë impakt te të gjithë njerëzit është përdorur kjo metodë për kthimin e kësaj të fundit në një biznes. Për artistët e rinj, të cilët duan të afirmohen sot, është shumë më e vështirë se njëherë e një kohë.

Ju keni shkruar një këngë për kohën: çfarë kuptimi ka koha për ju?

Lindemi, rritemi dhe vdesim. Koha kalon, dhe kaq. E rëndësishme është të dish se si e përdor këtë kohë para vdekjes. Disa zgjedhje mund t‘i bëjmë ose mund t‘i shmangim, vetëm se pak më vonë ato mund të komplikohen. Ndoshta sfida më e madhe e jetës është që të përqendrohemi te zgjedhjet të cilat janë të drejta dhe t‘i përmbushim këto. Dhurata më e bukur është të dish të jetosh në një mënyrë më të mirë, dhe kjo arrihet në bazë të zgjedhjeve që janë bërë më parë. Kemi një shtëpi shumë luksoze, hamë ushqim të zgjedhur, teksa pjesa tjetër e mbetur nuk ka asnjë nga këto të fundit. Duke qenë se e kemi kapërcyer problemin e nevojave primare, tani duhet që të ndihmojmë veten dhe botën për të bërë një zgjedhje të mirë. Për fat të keq, ashtu siç kam shkruar edhe në Perfect sense, qeveritarët janë më shumë të zënë në vendet e tyre të punës, se sa në bashkëpunimin për të bërë diçka të vlefshme.


Cocker

Unë, i pavdekshëm si bluz


Është konsideruar edhe ky si "një këngëtar i vjetër". Por Joe Cocker nga Sheffied, nuk është vetëm një legjendë i Woodstockut, e një nga vokalistët më të mëdhenj të historisë së rrokut, por edhe një nga interpretuesit më të mëdhenj në ditët e sotme, i cili është i aftë të ngjitet në krye të klasifikimeve, t‘i mbushë sallat plot e përplot, si dhe të prodhojë disqe. Cocker është i bindur se po jeton "moshën e tretë" në Colorado, por në fotot e faqes së tij të internetit duket si një "gjysh" i kënaqur nga koha e kaluar dhe nga qetësia e sotme. "Jam më shumë se 60 vjeç, bëj ende koncerte të muzikës së viteve ‘60-të dhe kam shëtitur të gjithë botën. Isha në Gjermani kur ra muri, isha në New York më 11 shtator të vitit 2001. Kam parë të gjitha ngjyrat e kohës, kam kaluar kohë shumë të bukura, por ndër to dhe të këqija. Vazhdoj akoma të bëj, atë që di mirë të bëj. Nëse je një muzikant i vërtetë nga të gjitha anët, nuk e ndjen kohën që të kalon pas".

Si ka mundësi që "luanët e vjetër" të rrokut vazhdojnë të kenë akoma shumë sukses?

Sepse dimë të bëjmë muzikë të mirë, nuk besoj se ka një tjetër arsye. Të gjithë ata të brezit tim i kanë rrënjët e tyre të thella muzikore në bluzin e madh amerikan. Jemi rritur duke dëgjuar muzikën bluz dhe ajo është baza e muzikës që bëj unë dhe miqtë e mi. Mendoj se kjo i bën gjërat që të duken të pavdekshme, në sensin që i rezistojnë kohës, nuk kanë nevojë për ndryshime stili. E di që me kalimin e viteve, teknologjia ka arritur kulmin e saj, por di që edhe që këngët janë po ato, të lidhura ngushtë me bluzin, e cila është një muzikë shumë më e vjetër se unë dhe do të rezistojë edhe pas meje.

Domethënë rroku po rritet në një farë mënyrë...

Besoj se kështu ka qenë gjithmonë. Janë muzikantët që janë të rinj. Muzika ka një lloj maturie edhe në vitet ‘60-të. Është e vështirë të thuash se muzika e "Beatles" ose e Dylan nuk ka pasur një pjekuri para 40 vjetëve. Rroku ka pasur gjithmonë dy shpirtra, një "të ri" dhe të përgjithshëm dhe një tjetër që aspironte të ishte art dhe ndryshe nga të tjerët të qëndronte përgjithmonë.

Keni menduar ndonjëherë se mund të arrinit deri këtu?

Jo, unë mendoj se të gjithë ne do të anashkalohemi me ardhjen e një gjenerate tjetër bashkë me muzikën e re, që do të mund të tërhiqte publikun. Por jo... Çdo vit dalin risi, që sigurisht tërheqin më tepër të rinjtë, bëhen modë, po ashtu çdo vit vijnë artistë të rinj, të cilët meritojnë të jenë të konsideruar si të mëdhenjtë e muzikës. Por nuk na kanë nxjerrë ende jashtë skene, sepse ne jemi akoma në gjendje t‘u ofrojmë diçka të mirë publikut dhe ai na kërkon sërish, do të na dëgjojë se çfarë bën akoma brezi i vjetër, pa elementë artificialë dhe shumë kompjuter.

Teksa viziton faqen tuaj të internetit është e lehtë të kuptosh se publiku juaj varion në mosha të ndryshme. Janë të shumtë ata që kanë moshën tuaj, të tjerë rreth të dyzetave, por duhet thënë se ka edhe shumë të rinj. Si shpjegohet kjo?

Kjo gjë më kënaq, sepse unë e di se muzika që bëj, nuk është "për të vjetrit". Kam përshtypjen, se të rinjtë më kanë dëgjuar dhe pëlqyer nga prindërit e tyre, kështu që publiku im i vjetër fillon të rinovohet nga këto hyrje. Por edhe unë kur kam qenë i ri, dëgjoja muzikë të vjetër bluz dhe nuk më interesonte fare mosha por muzika e tyre.

Keni menduar t‘i jepni fund?

Kam kaluar kohë të vështira, dhe disa herë për shkak të alkoolit e drogës, arrija në një pikë që mund t‘i humbisja të gjitha. Por kam pasur fatin të takoja gruan time, Pam, dhe nëpërmjet saj rigjeta vetveten. E dashuroj shumë profesionin tim, sepse e adhuroj muzikën dhe nuk mund të jetoj pa të. Nëse nuk do të isha bërë një këngëtar, do të vazhdoja të këndoja gjithsesi nëpër klube, apo kudo që të më ftonin. Kështu që do të vazhdoj të këndoj, deri sa të kem zë të pranueshëm për publikun.

Marre nga :  Gazeta Shqip

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi