Regjistroni domainin tuaj .al

Pekini nën ethet e olimpiadës

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Pekini nën ethet e olimpiadës
Pekini nën ethet e olimpiadës

"Është veç koincidencë - thotë Shao Shiuei, nëndrejtori i departamentit të komunikimit në Komitetin Organizues. Datën e ka zgjedhur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ndërsa ora është ideale, për sa u përket transmetimeve televizive". Në rast se bëhet vërtet fjalë për koincidencë, është më e mira e mundshme. Në fakt, në traditën kineze numri tetë është me fat, një faktor tmerrësisht i domosdoshëm për një eveniment, i cili do të nisë në më pak se një vit.

Për herë të parë pas reformave dhe politikës së hapjes me botën e jashtme në vitin 1979, më e madhja ndër manifestimet sportive, do të tërheqë në Pekin, jo më pak se 600 mijë vizitorë dhe 20 mijë gazetarë të huaj. Që të gjithë duhet të mbeten me gojë hapur, pikërisht si Marko Polo përpara Kubilai Khanit. Kina nuk ka ndër mend ta lejojë këtë rast që t‘i shpëtojë, pa i treguar gjithë botës madhështinë e saj dhe sidomos suksesin e jashtëzakonshëm ekonomik.

Për t‘ia arritur kësaj sfide masat që duheshin marrë ishin vërtet të panumërta, një listë e stërgjatë, plotësimi i së cilës do të ishte jashtë mundësisë së çdo vendi tjetër. Duhej pastruar së pari qielli i Pekinit, një qytet ku dielli nuk shihet për shkak të smogut të frikshëm, duhej bërë çlirimi i rrugëve nga trafiku, ndërtimi i segmenteve të reja rrugore, ngritja e komplekseve sportive më mbresëlënëse, të cilët nuk mund të vërehen në asnjë kënd tjetër të globit, ndërtimi i 200 hoteleve të reja me katër-pesë yje, zhdukja e minjve, buburrecave e miliona insekteve të tjera, që gëlojnë nëpër shtëpi e hotele, deri edhe edukimi i njerëzve që të mos bërtasin apo të pështyjnë përdhe.

Të gjitha këto janë bërë, ose thuajse. "E vetmja vepër punimet e së cilës po vonohen, është stadiumi olimpik, që do të përurohet në marsin e vitit 2008 - thotë Shao Shiuei - ndërsa për sa u përket 130 milionë metrave katrorë të tjerë në ndërtim, punimet vazhdojnë sipas parashikimeve. Të gjitha veprat që po ndërtojmë do të shërbejnë për të përmirësuar të ardhmen e qytetit dhe do ta bëjnë më të mirë, ashtu si edhe nismat e marra për zvogëlimin e përmasave të ndotjes".

Duket e pamundur. Askush nuk mund të besojë, se nga rrugët e këtij qyteti, i madh sa Belgjika, një ditë mund të shihet ngjyra e kaltër e qiellit. Sipas Shao Shiuei, faji për një smog të tillë, është në një pjesë të madhe edhe i kantiereve të veprave olimpike, të cilët ngrenë mijëra tonelata pluhur. Përfundimi i tyre është parashikuar kohë përpara se të fillojë olimpiada, në mënyrë që pluhuri të mund të bjerë. Ndërkohë Pekini ka mbyllur 680 miniera, ka zhvendosur 190 fabrika çimentoje, çeliku e produkteve të tjerë ndotës, ka zëvendësuar 1 mijë e 4 qind impiante ngrohës me qymyr, ka nxjerrë jashtë përdorimit 3926 autobusë të vjetër dhe 30 mijë taksi po kaq të vjetra. Gjithashtu, është transferuar 80 kilometra më tej, kombinati i prodhimit të çelikut të grupit "Shougang", ku punojnë 15 mijë njerëz, i cili, që nga viti 1919 gjendej vetëm 17 kilometra larg sheshit Tienanmen. Edhe "Capital Iron & Steel", një tjetër gjigand i prodhimit të çelikut, ka transferuar shumë nga uzinat dhe do ta ulë ndjeshëm prodhimin gjatë olimpiadave. Në rast se këto masa nuk do të mjaftojnë, do t‘u ndalohet qarkullimi qindra mijëra makinave, dhe në rast se edhe kjo nuk do të mjaftojë, do të bombardohen retë me kripëra e akull të thatë për të provokuar shira.

Përpara telekamerave të së gjithë botës, gjithçka duhet të jetë e përkryer, pasi Kina nuk mund t‘ia lejojë vetes të bëjë një figurë të shëmtuar. Për Lojërat Olimpike të Athinës, mbajtur tre vite më parë, u shpenzuan rreth 7 miliardë dollarë; kinezët në total do të shpenzojnë 40 miliardë dhe duket se kanë parashikuar gjithçka, përfshi këtu edhe një aeroport rezervë në Hohot, në rast se ai i Pekinit nuk ia del ta përballojë fluksin e vizitorëve. Mbetet vetëm një makth, nga i cili autoritetet kineze nuk arrijnë të çlirohen, ai që Olimpiada mund të shndërrohet në një skenë të aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut apo të pavarësisë së Tibetit.

"Kemi bërë shumë hapa përpara në këtë drejtim - thotë Çeng Hong, nëndrejtor i Televizionit Qendror në Kinë, një gjigand shtetëror me 16 kanale tematikë, dy ndër të cilët janë ndërkombëtarë - dhe jam i sigurt se Olimpiada do të kthehet në një stimul për përshpejtimin e reformave, pasi mundësitë e popullsisë për të pasur kontakte me botën do të shtohen ndjeshëm. Një ligj i ri do t‘u japë gazetarëve të huaj, mundësinë të lëvizin lirisht nëpër qytete e të flasin me kë të duan. Do të jetë në fuqi deri në tetorin e vitit 2008, por unë shpresoj që të mos shfuqizohet më pas".

Ndër hutongët e paktë tradicionalë të mbetur tashmë në Pekin të mbuluar me tjegulla ngjyrë gri, apo në pallatet e mëdhenj, fasadat e të cilëve janë të mbushura me kondicionerë, duket se askush nuk është i interesuar në mënyrë të veçantë për Olimpiadën, por klasa e mesme e tregtarëve ka kuptuar tashmë si mund të fitojë para. Në pritje të turistëve, mund të fillohet me banorët lokalë. Restorantet ku hanë kampionët kinezë vetë- promovohen, duke mbushur vitrinat me fotot e tyre, ndërsa parukierët e Liu Ksiang (medalje e artë në 110 metra me pengesa), e të yllit të basketbollit amerikan Jao Ming, janë të mbytur nga kërkesat e klientëve, që duan të imitojnë modelin e flokëve të këtyre idhujve kinezë. Në restorantin e Ju Qiaos, i cili frekuentohet rregullisht nga skuadra kombëtare e volejbollit, porositet vetëm pulë alla "Kung-Pao", pjata e parapëlqyer e skuadrës, ndërkohë që shitjet e bluzave, kapelave e sendeve të shumta, origjinale e false, shkojnë prej kohësh shumë mirë. Klima është mjaft e gëzueshme dhe optimiste. Janë të shumtë ata që mendojnë, se ashtu si Olimpiada e Seulit ndihmoi për demokratizimin e Koresë së Jugut, ashtu edhe ajo e Pekinit, do të ndihmojë Kinën të dalë nga 5 mijë vjet diktaturë. Diçka të tillë duhet ta ketë pasur ndër mend edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jacques Rogge. Kur e pyetën përse mbështeste kandidaturën kineze, u përgjigj se kishte 1.3 miliardë arsye për ta bërë (numri i popullsisë së Kinës).


Marre nga : Gazeta Shqip

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi