Shpresa Vitia me e hirshmja shqiptare ne Britani

Shpresa Vitia, më e hirshmja shqiptare në Britani

19-vjeçarja, e cila studion për Psikologji në Universitetin Kingston mes emocionesh tha ekskluzivisht për Shqip se të triumfosh në një

konkurs të tillë bukurie në diasporë asnjëherë nuk është e lehtë. "Jam e lumtur nga ky sukses. Kam pasur një jetë të vështirë. E gjitha ka qenë një ëndërr. Kurrë nuk e kam besuar që një ditë do të fitoja këtë çmim". Përzgjedhja e saj nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi deri në momentin e fundit "rivalja" e saj më e afërt ka qenë vajza me numrin 12, Elisa Çaushi, një modele e re shqiptare në Londër. Tiranasja Çaushi nuk ka dalë duar bosh nga ky spektakël. Ajo fitoi çmimin e Miss Fotozhenisë

sponsorizuar nga kompania "Alsat-Satelaite" në Londër, e cila i dhuroi një dekoder me një abonim 12 mujor "DigitAlb".

"Ndihem e lumtur. Fitimi i këtij çmimi tregon se unë dukem e bukur në fotografi. Ky çmim është një shtytje e mëtejshme për atë që kam dëshirë të bëj. Të jem një modele në revistat britanike", u shpreh Elisa Çaushi. "Gjithçka surprizë. Një spektakël ku përjetova një eksperiencë të re", do të deklaronte Vlora Lokaj, e cila do të zgjidhej Miss Miqësia dhe shoqëruesja e dytë e Miss Shqiptarja 2007. Një triumf të dyfishtë do të kishte edhe vajza tjetër nga Tirana, Eni Labinoti, e cila studion për modë. Ajo fitoi dy çmime atë të Miss Elegancës dhe të shoqëruese së parë. "Dy çmime për mua do të thonë shumë. Është arritje. Tani duhet të mendoj seriozisht për t‘u marrë me spektakle mode" do të shprehej Labinoti tejet e lumtur. Ajo shkon më tej kur thotë se e dinte kush do të fitonte. "Që ditën e parë mendova se Shpresa do të ishte fituese. Ajo ishte më e gjata nga të gjitha me një avantazh që i dhuroi asaj fitoren". Të dyja vajzat nga Tirana, Eni Labinoti dhe Elisa Çaushi, ishin pretendentet kryesore për t‘i marrë kurorën e bukurisë, Blerta Halilit, Miss Shqiptarja 2006. Por fati kësaj here i ka buzëqeshur Shpresa Vitisë.

Surpriza e spektaklit në të cilin 7 bukuroshe u shpërblyen me çmime të ndryshme, ka qenë boksieri Kreshnik Qato, të cilit i ishte besuar drejtimi i tij së bashku me zonjën Arlinda Ballçaj. Rreth kësaj eksperience të re si show-men, Qato u shpreh se ai ndjeu më shumë emocion sesa në ato raste kur ngjitet në ring për të boksuar. "Jemi të lumtur që për të dytin radhazi mundësuam përzgjedhjen e më të bukurës së shqiptarëve në Britaninë e Madhe. E veçanta e Miss Shqiptarja 2007 ishte pjesëmarrja e vajzave jo vetëm nga Londra, por

edhe nga qytete të tjera, madje kishim edhe vajza nga Irlanda", tha Enkelejd Omi, producenti i spektaklit. Miss Shqiptarja 2007 zgjoi një interes të madh në komunitetin shqiptar, pasi është ndër të paktat evenimente kulturore me përmasa të tilla që zhvillohet në Britaninë e Madhe.

Kundërshtimi Paparazzit

Por përzgjedhja e Shpresa Vitisë si Miss Shqiptarja 2007 në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka kaluar pa polemika siç ndodh rëndomtë në të tilla konkurse bukurie. Juria ka pasur debate të zjarrta në lidhje me zgjedhjen e vajzës fituese. Zgjedhja e saj është kontestuar prej njërit nga anëtarët e jurisë. Fotografi i mirënjohur i gazetave britanike, Jani Jançe, anëtar i jurisë

tha për "Shqip" se përzgjedhja e 19-vjeçares nga Prishtina ishte e gabuar. "Për mendimin tim nuk u morën parasysh estetika apo bukuria e vajzave të tjera. Anëtarët e jurisë ishin jo në unanimitet të zgjedhjes". Më tej, Jançe, duke e parë çështjen nga këndvështrimi i një profesionisti tha se vajza fituese kishte trupin më të gjatë se këmbët. Nuk kishte aspak bukuri dhe se dukej 10 vjeçe më e madhe në moshë nga mosha e saj reale".

Në fund të votimit, juria vendosi me shumicë votash katër me tre që vajza fituese të jetë Shpresa Vitia. Kryetari i jurisë, Petrit Kucana, tha se ka qenë një zgjedhje jashtëzakonisht e vështirë por me sa duket shumica e anëtarëve të jurisë kanë parë përveç bukurisë edhe shumë elemente dhe komponentë të tjerë te kjo vajzë.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama