Akuza per plagjiature ish-studentja padit kryegjyqtarin Sander Simoni

Akuza per plagjiature, ish-studentja padit kryegjyqtarin Sander Simoni
Një padi e pazakontë është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Tiranës, e cila pritet të shprehet me vendim pas pak ditësh. E drejta e autorit lidhur me një botim ka përfshirë në gjyq dy njerëz të drejtësisë. Kryetari i komanduar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, është paditur për plagjiaturë nga kolegia e tij, Irida Kacerja, gjyqtare në Shkodër. Ish-studentja akuzon kryetarin e Gjykatës se ka botuar me emrin e tij temën e saj të diplomës në Shkollën e Magjistraturës. Një pretendim i tillë është ngritur nga gjyqtarja Kacerja në tetor të vitit të shkuar, kur, sipas saj, është njohur me një botim të Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave ligjore. Paditësja pretendon se ky botim është punimi i saj i diplomës në Magjistraturë, ku pedagog udhëheqës ka qenë gjyqtari Sandër Simoni. Fillimisht, paditësja ka kërkuar nga gjykata konfiskimin e të gjitha kopjeve të këtij manuali dhe asgjësimin e tyre. Më tej, në padinë e saj gjyqtarja kërkon që i padituri ta shpërblejë për dëmin pasuror dhe moral që i është shkaktuar nga botimi i punimit të saj, në emrin e gjyqtarit Sandër Simoni.

Në padinë drejtuar Gjykatës së Tiranës, gjykatësja e Shkodrës  kërkon: “Detyrimin e palës së paditur të shpërbleje dëmin pasuror dhe moral të shkaktuar nga botimi në mënyrë të padrejtë nën emrin e tij dhe duke shkelur të drejtën e autorit të shkrimit me titull Hetimi dhe Gjykimi i Veprave Penale të Trafikimit”. Ky punim, sipas saj, është botuar në manualin për identifikimin, trajtimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, e botuar nën siglën e Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara. Në mbështetje të padisë, gjyqtarja Irida Kacerja ka depozituar në Gjykatë një sërë provash, që, sipas saj, tregojnë se punimi i botuar me emrin e kolegut të saj Sandër Simoni është plagjiaturë dhe për këtë duhet të dëmshpërblehet.

Në morinë e provave, gjyqtarja Kacerja ka depozituar edhe një kopje të botimit me siglën e Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave ligjore të integruara, e cila mban emrin e gjyqtarit Simoni, si dhe kopjen e materialit të diplomës. Por ky pretendim është kundërshtuar nga gjyqtari Simoni, i cili nëpërmjet avokatit të tij ka depozituar në gjykatë provat që, sipas tij, vërtetojnë se punimi është realizuar prej tij. Duke mos qenë dakord me qëndrimin e gjykatës, në seancën e datës 12 qershor, pala paditëse ka kërkuar përjashtimin e gjykatëses, por kjo kërkesë është rrëzuar, si e pabazuar në ligj. Tashmë, gjykata ka administruar provat e palëve, si dhe ka dëgjuar prej tyre konkluzionet përfundimtare.

Edhe pse çështja është regjistruar në Gjykatën e Tiranës në tetor të vitit të shkuar, deri tani janë zhvilluar vetëm tetë seanca gjyqësore. Gjatë këtyre seancave gjyqtarja Elbana Lluri është njohur me pretendimet e kolegëve të saj, duke i dhënë fund edhe shqyrtimit gjyqësor të kësaj padie të pazakontë, kur bëhet fjalë për njerëzit e drejtësisë. Në përfundim të gjykimit është vendosur data 25 qershor për shpalljen e vendimit, ku do të sqarohet se cila prej palëve ka të drejtë.

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama