Rezultatet e provimit te Letersise MSH 2012

Rezultatet e provimit të Letërsisë MSH 2012
Shpallen rezultatet e letërsisë. 6000 të rinj vlerësohen shkëlqyeshëm

Publikohen rezultatet e provimit të parë të maturës shtetërore, letërsisë dhe gjuhës shqipe. Maturantët do të mund të njihen me notat nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Arsimit, ndërsa sot, në të gjitha shkollat e mesme, do të listohen rezultatet respektive për secilin maturant. Pas rreth dy javëve, vlerësuesit publikuan rezultatet në sajtin zyrtar të MASH-it, ndërsa sipas informacioneve numri i mbetësve është më i vogël krahasuar me vitet e mëparshme. Ndonëse jozyrtarisht, duke iu referuar një bilanci të përgjithshëm paraprak, rezulton se mbi 1 mijë maturantë janë vlerësuar me notën 4, ndërsa mbi 6 mijë të tjerë kanë marrë notën 10, shkëlqyeshëm.

Vjet, Autoriteti i Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve bëri me dije se nga 42 mijë maturantë që iu nënshtruan testit të letërsisë, nuk kanë arritur ta kalojnë atë rreth 5 për qind, ndërsa rreth 9 për qind e tyre janë vlerësuar me notën 10. Madje ata shtuan se 5-a dhe 6- a ishin notat që kishin marrë një numër i konsiderueshëm të rinjsh. Kështu, duke sjellë në vëmendje rezultatet e vitit të kaluar duket qartë që vlerësimi i nxënësve të maturës 2012 është më i lartë se ai i vitit të kaluar. Testi i letërsisë u zhvillua më datë 2 qershor në klasat e shkollave të mesme dhe në auditorët e fakulteteve, ambiente që u përdorën sivjet për herë të parë për të shmangur kopjet dhe për të garantuar një proces transparent.

Korrigjimi

Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet, drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Nxënësve, Alfons Harizaj, tha se do të bëhen publike hap pas hapi rezultatet e maturantëve, deri në shpalljen përfundimtare të tyre. Kjo praktikë u provua në testin e parë të maturës, gjuhës shqipe dhe letërsisë, ndërsa pritet të aplikohet edhe në testimet e tjera. Kjo sipas Harizaj, për të mbajtur në kontakt të vazhdueshëm si maturantët ashtu edhe prindërit e tyre, të cilët janë në ankth për të mësuar mbi rezultatet e testimeve. E megjithatë, Harizaj shton se kjo praktikë e re synon edhe zhvillimin e një procesi transparent për të gjithë.

Duke iu referuar udhëzimit të provimeve të maturës shtetërore 2012, publikimi i notave u bë dy ditë më parë në sajtin zyrtar të MASH-it, ndërsa sot nxënësit do të gjejnë nëpërmjet numrit të identifikimit notën që i takon. Zyrtarisht mësohet se kandidatët për student, duke nisur nga sot, do të kenë në dispozicion rreth 7 ditë për t’u ankimuar mbi vlerësimin, ndërsa nuk është bërë ende i ditur numri i nxënësve që është kapur me kopje gjatë zhvillimit të testimit, të cilët do të përjashtohen nga provimet dhe do të duhet të presin vitin e ardhshëm për t’ju nënshtruar sërish këtij procesi.

Gabimet

Duke iu referuar të dhënave paraprake, rezulton se nga testet e korrigjuara, maturantët janë vlerësuar me më pak pikë në punimin e esesë. Ndonëse në testin që përmbante pyetje me alternativa dhe me shtjellim, nxënësit janë vlerësuar mesatarisht, dobët dhe pozitivisht, në bazë të përgjigjeve, në ese, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë marrë pak pikë. E megjithatë, kjo nuk është e vetmja pikë e dobët e maturantëve. Vlerësuesit ngrenë shqetësimin për gabimet e shumta drejtshkrimore që vërehen në përgjigjet e të rinjve, të cilat janë të patolerueshme, duke marrë parasysh nivelin e tyre.

Bilanci

Duke iu referuar një bilanci paraprak, rezulton se mbi 1 mijë maturantë janë vlerësuar me notën 4, ndërsa 6 mijë të tjerë kanë marrë notën 10

Shqetësimi

Vlerësuesit ngrenë shqetësimin për gabimet e shumta drejtshkrimore që vërehen në përgjigjet e të rinjve, të cilat janë të patolerueshme



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama