Sfilata Nuset Vip te Geraldina Sposa-s

Sfilata: Nuset  Vip  të  Geraldina Sposa-s

Ose edhe një i kuq flakë, apo një kombinim mjaft ekstravagant me xhinsin. Pa folur pastaj për modelet. Për shembull fustani i dasmës mund të mos jetë fare fustan. Mund të jetë fund me bust, apo mund të jetë bust me pantallona… Mund të jetë dhe minifund… I imagjinoni dot të gjitha në një pasarelë të vetme? Për më tepër të veshura nga vajzat më të njohura të sfilatave dhe ekraneve. Nëse po, atëherë keni imazhin e plotë të sfilatës së “Geraldina Sposa”-s, të zhvilluar si çdo fillim vere mbrëmë në Sheraton.

Këtë vit janë prezantuar tetëdhjetë veshje nga nëntë modele. Përveç modeleve më të kërkuara sot për sot në Tiranë, të ardhura nga “Super Models of the World”, apo Zhakut, vajzës ekstravagante që çdo vit është e pranishme në sfilatat e “Geraldinës”, kësaj radhe është shfaqur për herë të parë si modele Orinda Huta: nuk është shfaqur kurrë në këtë pozicion, por që duket sikur ka lindur e tillë, parakalon gjithë elegancë, gjithë ojna, pozon përpara kamerave dhe aparateve sikur të ketë bërë gjithë jetën këtë punë. Pastaj në fund qershia mbi tortë: nën tinguj e “You’re simply the best” shfaqet Jonida Maliqi. E veshur me fustanin e zgjedhur për reklamën e sallonit “Geraldina Sposa” ajo është zgjedhja e këtij viti, e një tradite sfilatash që çdo vit kurorëzohen në fund nga një emër i njohur i botës së spektaklit. Këtë vit Jonida qe një zgjedhje e natyrshme nga salloni: “Sepse është një vajzë e mrekullueshme, ka një look gjithmonë të ndryshueshëm dhe profesionalisht është shumë e qëndrueshme”. Sepse për ta të qenit i qëndrueshëm ka një rëndësi të veçantë. Kjo është e vetmja sfilatë në Shqipëri që zhvillohet rregullisht si një traditë e nisur që në vitin 1995: çdo fillim vere është takimi i përvitshëm me sfilatën e nuseve të “Geraldinës”, që përkon me çeljen e sezonit të dasmave në Sheraton.

Këtë vit është prezantuar për të parën herë edhe linja e Ellie Saab, stilisti i njohur me origjinë libaneze që për herë të parë lançohet në Shqipëri. Nëse bota e ka njohur si stilistin e përzgjedhur nga yjet e Hollivudit për tapetin e kuq të çmimeve Oscar, Shqipëria po e njeh për të parën herë nëpërmjet krijimeve të tij të veshjeve nusërore, të cilat ai i krijon ekskluzivisht për linjën spanjolle të veshjeve të nusërisë “Pro Novia”. Emri i tij ka pushtuar fundjavat e "Fashion Tv" në mbarë botën, ndërsa në Shampes Elysse, bulevardin mbarëbotëror të modës, është quajtur njeriu që vesh zonjat me diell. Pikërisht sepse veshjet e tij kanë shumë shkëlqim: materiale të shkëlqyeshme, perla, gurë të çmuar.

Por veç shkëlqimit, në sfilatën e mbrëmshme është prezantuar edhe një linjë e re, shumë më trendy. Quhet “Azura” dhe shquhet për stilin mjaft rinor: veshje tradicionale të kombinuara me xhinsin. Për të kënaqur edhe ato që një veshje nusërie u duket gjëja me demode në botë.

Pak histori

Ishte viti 1995, kur për të parën herë u bë një sfilatë e mirëfilltë me veshje nusesh dhe tradita vazhdon të përsëritet si një rit vit pas viti. Fillimi i qershorit tashmë e ka shënuar edhe këtë datë në agjendën e jetës mondane: sfilata e “Geraldina Sposa” -s. Ishte pikërisht emri i zgjedhur për sallonin e veshjeve të nusërisë, ai që dha edhe idenë e sfilatës së parë. Gjithçka për hir të Mbretëreshës Geraldinë. Prandaj, në atë 3 qershor të parë të sfilatave, në vitin 1995, slogani dukej më se i gjetur: “Ndjehu mbretëreshë, nusëro me Geraldina Sposa”.

Tradita në thelb mbetet po ajo, ndonëse shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo sfilatë e parë.

"Sepse tani 'Geraldina Sposa', veç cilësisë së veshjeve, ekskluzivitetit të linjave të njohura spanjolle, mund të llogarisë edhe përvojën e gjithë këtyre viteve organizime si dhe sallën luksoze të Sheraton-it".

Ku veç sfilatave të qershorit, organizon dhe dasma, pikërisht ato dasma që janë të destinuara të hyjnë në kronikat rozë të kryeqytetit për hir të luksit, elegancës dhe shumë herë edhe të personazheve VIP.


Marre nga : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama