Transferimi i konfliktit të investimeve greke
Kompania greke nuk ia ka dalë të zgjidhë konfliktin në Shqipëri. Për më shumë se dy vjet, askush nuk e ka dëgjuar argumentin e saj, as kërkesën për të mbrojtur investimin e bërë. As dy deputetë të Parlamentit Grek, zëvendësministra të qeverisë socialiste greke të kohës etj, nuk kanë mundur të marrin përgjigje nga Sali Berisha, në zyrën e tij, në më shumë se një rast.
Mbetej hapi i fundit, Washingtoni! Nuk kishte asnjë hapësirë tjetër ligjore, edhe për një “mangësi” të vetë kompanisë, të cilës i mungonte një detaj, por mjaft kuptimplotë në kontratën e lidhur herët, me ish ministrin shqiptar Ylli Bufi për të ngritur depozitat e naftës në portin e Durrësit, por pa kontraktuar pontilin e depozitave me Autoritetin Portual të Durrësit, si pronari i vetëm i tyre.
As ish Drejtorja Rajonale e Bankës Botërore, me origjinë greke, Orsalia KALANTZOPULOS, as letra e saj drejtuar ish zëvendësministrit të METE-s, nuk sollën gjë. Qeveria nguli këmbë shqiptarçe, “si mushka” dhe depozitat u bllokuan, por nuk u prishën. Veprimtaria tregtare e ndërpre dhe u dhanë dy lejë për ndërtim depozitash të reja bregdetare, në Porto Romano dhe në zonën e ish Uzinës së Sodë PVC dhe Treportit në veri të Vlorës (Petrolifera).
Por që grekët ishin larg tyre, deri në “vdekjen” graduale të biznesit të tyre. Tashmë “Mamidoil” sha dhe “Global” sha (Helenic Petroleum) kanë “perënduar”!( I fundmi investitor i huaj, turku i Vil Oil, u “dorëzua” edhe ai, shiti kompaninë dhe iku!) Për grekët e “Mamidoil” ka mbetur hallka e fundit, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve për Investime (ICSID), për përballjen me të cilën, kryeministri firmosi të mërkurën plot 100 mijë dollarë amerikanë dhe 70 mijë euro!
Retrospektivë
Më 1 mars 2010 u largua edhe punonjësi i fundit nga baza e depozitave të karburantit të shoqërisë greke “Mamidoil” në Portin e Durrësit. Në këtë mënyrë, kjo shoqëri prezente në tregun shqiptar prej 10 vjetësh, u largua përfundimisht duke shënuar kështu spostimin përfundimtar të saj nga tregu. Mamidoil-Jetoil ishte e përfshirë në tregtimin dhe shpërndarjen e produkteve të naftës dhe kontrollonte një rrjet të gjerë prej afro 560 stacione të gazit në Greqi. Kompania është kompania më e madhe greke, në pronësi private tregtare të naftës. Mamidoil-Jetoil gjithashtu tregtonte markën e saj (JETOIL), lubrifikantë të cilësisë së shkëlqyer nëpërmjet rrjetit të stacioneve të saj.
Mamidoil-Jetoil zotëron depon e vetme më të madhe private të naftës në Greqi, të vendosur në Selanik, në Greqinë Veriore, me një kapacitet prej 200.000 m3, të aftë për të akomoduar anije deri në 150,000 ton, stacion hekurudhor të ngarkimit, me një kapacitettë përditshëm prej 12.000 ton, kapacitet që manipulonte mbi 2.000.000 MTS në vit dhe që shërben si pikë ngarkimi për aktivitetet e Grupit të Ballkanit, edhe për furnizimin e tregut verior grek.
Mamidoil-Jetoil është një furnizues fizik i të gjitha llojeve të karburanteve detare. Dega bunkering vepron në të gjitha portet kryesore greke dhe në det të hapur. Kompania është një nga furnizuesit bunker më të mëdhenj në tregun grek dhe jo vetëm.
E krijuar në vitin 1969 nga fondacioni me të njëjtin emër, u instalua në Shqipëri në vitin 2001, nën emrin Mamidoil Albanian.
MAMIDOIL-ALBASNIAN SA zotëronte një strukturë 14,000 m2 në Durrës, që nga viti 2001, ku ajo ruante produkte për përdorim ekskluziv në tregun shqiptar, kishte instaluar 5 tankera me një kapacitet total prej 12.000 m3, të përshtatshme për ruajtjen e karburantit sipas standarteve europiane, dy komplekse për rimbushjen e autoboteve me 4 pompa ngarkimi, etj., etj.
Seanca e parë, në Paris dhe… pritshmëritë
Nuk ka informacion për seancën e parë të zhvilluar në Paris, në 6 Prill të këtij viti. Palët kanë preferuar heshtjen, në pritje të vendimit. Zyra e Avokatit të Shtetit nuk ka dhënë asnjë njoftim publik, kompania (pjesa e administratorëve që ka mbetur ende në Shqipëri) nuk ka preferuar të flasë para daljes së vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investime (ICSID). Informacioni i vetëm publik ka të bëjë me vendimet e qeverisë në mbledhjen e saj të rregullt të ditës së mërkurë. Investitorët grekë presin shumë, mbase jo rikthim në depozitat e Durrësit, për dëmshpërblimin e investimit të ndërprerë në mes, sipas tyre, të padrejtë dhe arbitrar, nga ana e Qeverisë Shqiptare.
Në anën tjetër, Qeveria nuk ka komentuar asgjë lidhur me këtë konflikt, që sigurisht që ka pasoja, nëse është në disfavor të qeverisë. Sipas autoriteteve, për depozitat e stokimit të nënprodukteve të naftës në Portin e Durrësit nga ish Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit (MEPP) ishin lidhur kontrata qiraje me disa shoqëri, sikurse janë “Global Petroleum Albania” sh.a., “Mamidoil” sh.a., “Evroil” sh.a. (Kontratë Emfiteoze) dhe “Kastpetrol” sh.a.
Hileja e emfiteozës greke…
Sipas autoriteteve aktuale të METE: “Për shoqëritë “Global Petroleum Albania” sh.a., “Mamidoil” sh.a. dhe “Evroil” sh.a. janë dhënë “leje tregtimi” të një trajte të veçantë, në zbatim të kërkesave të VKM. nr 704, datë 21.12.2000, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 129, datë 18.3.1999, të Këshillit të Ministrave, "Për procedurat dhe kushtet për dhënien e lejeve e të autorizimeve për tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre", të ndryshuar”, kërkesa të cilat janë ripërcaktuar edhe në në pikën 2 të Kreut IV të VKM nr. 170, datë 25.4.2002, “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e lejeve e të autorizimeve për tregtimin e naftës , gazit e nënprodukteve të tyre”, në të cilën përcaktohet se: “2. ...
Bëjnë përjashtim nga kushti i plotësimit të kapacitetit më të vogël, sipas kësaj pike, shoqëritë anonime që kanë marrëdhënie kontraktore, sipas dispozitave ligjore në fuqi, për depozitat e karburanteve në portin e Durrësit. Kushti i kapacitetit më të vogël i depozitave, i vendosjes në to të mjeteve matëse dhe i kalibrimit të tyre, duhet të plotësohet brenda 18 muajve pas fillimit të zbatimit të masterplanit, në territorin e depozitave të karburanteve në portin e Durrësit”. Për këtë arsye në “lejet e tregtimit” të dhëna shoqërive të mësipërme specifikohet: “E vlefshme për një periudhë deri 18 muaj pas daljes së vendimit për zhvendosjen e depozitave në Portin e Durrësit, por jo më shumë se 10 vjet”.
Pikërisht këtu “djalli fshihet në detaje”. Dhe ato do të zhbirohen nga Tribunali i Konventës së Washingtonit, të cilit nga Qeveria Shqiptare i është “ofruar” argument ligjor e juridik i ligjit nr 8450, dt 24.02.1999, sipas të cilit: “Shteti përcakton politikën e zhvillimit të veprimtarive në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve te tyre, si dhe ushtron funksionin e tij rregullator, në përputhje me nevojat e vendit, të mbrojtjes kombëtare dhe të sigurimit publik, duke respektuar parimet e ekonomisë së tregut”.
A do të pijë ujë kjo në ICSID?!
Dy fjalë për ICSID:
ICSID (Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investime ) është një institucion autonom ndërkombëtar, themeluar në bazë të Konventës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të investimeve ndërmjet shteteve dhe shtetasve të shteteve të tjera.
ICSID apo Konventa e Uashingtonit, përfshin mbi 140 shtete anëtare. Konventa përcakton funksionet, mandatin, organizimin dhe thelbin e ICSID. Qëllimi kryesor i ICSID është që të sigurojë lehtësira për pajtimin dhe arbitrimin e mosmarrëveshjeve të investimeve ndërkombëtare.
Konventa ICSID është një traktat shumëpalësh formuluar nga Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (Banka Botërore). Ajo u hap për nënshkrim më 18 mars 1965 dhe hyri në fuqi më 14 tetor 1966.
ICSID u krijua nga Konventa si një forum i paanshëm ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ligjore mes palëve, përmes pajtimit, apo procedurave të arbitrazhit. ICSID luan një rol të rëndësishëm në fushën e investimeve ndërkombëtare dhe zhvillimit ekonomik dhe është konsideruar si institucioni kryesor ndërkombëtar i arbitrazhit investitor-shtet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.











