Ekspertet Ja verejtjet tona per akreditimin

Ekspertet: Ja verejtjet tona per akreditimin
Ndërsa Prokuroria e Tiranës njoftoi dje se po thellon hetimet mbi diplomën e Renzo Bosit, zbulohen detaje të tjera rreth kësaj historie, por më në përgjithësi, edhe në lidhje me akreditimin e Universitetit Kristal në vitin 2009.

Java ka rënë në gjurmë të një raporti që një grup ekspertësh të arsimit hartuan në pranverën e atij viti, pas ftesës së bërë nga APAAL (Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë). Ky ekip specialistësh, i cili quhej Grupi i Vlerësimit të Jashtëm (GVJ), bëri disa vizita në periudhën pranverë-verë 2009 në këtë Universitet, sipas një axhende të krijuar në bashkëpunim me APAAL. Në fund të këtij procesi, gjatë të cilit ekspertët u njohën me dokumentacionin bazë të “Kristal”, u hartua draft-Raporti i Vlerësimit të Jashtëm, i cili ju vu në dispozicion APAAL. Nga ana e tij, APAAL ja dërgoi këtë draft-raport Universitetit Kristal, i cili bëri vërejtjet e veta mbi tekstin e raportit.

E gjitha kjo është një procedurë në vetvete burokratike, e cila ndiqet për çdo rast akreditimi të një institucioni privat të arsimit të lartë. Në vitin 2009, kur është prodhuar ky dokument, universitetet private ndodheshin në valën e shqyrtimit, nga ana e instutucioneve shtetërore, për marrjen e akreditimit, në bazë të të cilit do të nisnin punën normale.
Në rastin e Universitetit Kristal, procedura ka qenë e njëjtë, megjithëse në konkluzionet e parashtruara në raportin e Grupit të Vlerësimit të Jashtëm (GVJ), janë vënë në dukje mjaft probleme, të cilat, sipas ekspertëve duheshin korrigjuar, si kusht për ta akredituar universitetin në fjalë.

Së pari, raporti ka nënvizuar kërkesën që Kristal të konstituojë regjistrin themeltar të studentëve, në përputhje me normat ligjore në Republikën e Shqipërisë. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që pas mbylljes së afatit të regjistrimit të studentëve, askush nuk duhet lejuar që të regjistrohet gjatë sezonit në vijim. Prezenca në raport e kësaj kërkese nënkupton se mund të jenë vënë re parregullsi në këtë aspekt.

Së dyti, raporti kërkon që institucioni privat në fjalë duhet të garantojë hedhjen e notave të çdo studenti në një regjistër të posaçëm elektronik apo tradicional, për përfundimit të çdo sesioni provimesh dhe përputhjen e tyre me fletët e notave. Pretendimet e raportit nënkuptojnë se ka qenë prezent rreziku i mospërputhjeve të notave.

Së treti, sipas raportit të ekspertëve të jashtëm, Kristal duhet të përmbushte detyrimin ligjor për burimet njerëzore akademike, sipas dispozitave përkatëse të ligjit për arsimin e lartë. Ka qenë dhe mbetet një sëmundje e të gjithë arsimit të lartë privat, ajo e mos-plotësimit të strukturës akademike me pedagogë me kohë të plotë dhe me titujt akademikë përkatës.

Ky raport, me këto vërejtje kryesore, ju paraqit në tetor 2009 Këshillit të Akreditimit, instanca superiore e vlerësimit të institucioneve private që presin akreditimin. Por në të kundërt, ai nuk u bë kurrë publik online, në faqen e internetit të APAAL, ashtu siç e kërkonte ligji. Këshilli i Akreditimit u njoh me vërejtjet raportit të ekspertëve të jashtëm. Ai thirri gjithashtu në një seancë dëgjimore ekspertët që kishin hartuar raportin, duke marrë në fund vendimin për “akreditimin me kushte të Universitetit Kristal”. Ishte vetëm një procedurë formale, miratimi nga ana e ministrit, të këtij vendimi të Këshillit të Akreditimit.

Raporti në fjalë, i cili fare mirë mund të mos ketë qenë i vetmi në vazhdën e akreditimit të universiteteve private në Shqipëri, dëshmon sesi arsimi privat (jo i gjithi, natyrisht), ka pasur qysh në hapat e tij të parë defekte dhe deformime të rënda, të cilat kanë prodhuar më pas situata si kjo e sotmja, me djalin e Umberto Bosit, “troftën” e famshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama