Qeveria pezullon per nje vit licensen e Kristal-it

Qeveria pezullon per nje vit licensen e 'Kristal-it'
Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit ka marrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të licensës së universitetit privat “Kristal”. Në vendim thuhet se licensa hiqet për një periudhë 1-vjeçare. Një vendim i tillë vjen pas nisjes së hetimeve nga prokuroria për shkak të publikimit nga drejtësia italiane të fakteve se djali i Umberto Bosit kishte marrë diplomë në këtë universitet pa e frekuentuar. Këshilli i Ministrave thuhet se vendosi “pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së shkollës së lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”,  për të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë”.

Në vendim theksohet se gjatë periudhës së pezullimit, ky universitet nuk do të pranojë studentë të rinj për një vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. MASH gjatë periudhës së pezullimit, do të marrë masat për ushtrimin e inspektimit periodik, çdo 3 muaj, në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë. Në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, universiteti “Kristal”,do i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi dhe MASH do të propozojë masat përkatëse.

*    *    *

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet lidhur me pajisjen e djalit të Umberto Bosit me diplomë të një universitet privat që operon në Tiranë.

Task-Forca e Prokurorisë ka kërkuar verifikim e sistemit TIMS për hyrje të Renzo Bosit në territorin shqiptar.

Zbulimi i diplomës shqiptare u bë nga prokurorët e Napolit dhe Milanos, të cilët po hetojnë shpërdorimin e parave të taksapaguesve italianë të cilat kanë shkuar për financimin e partisë Liga e Veriut.

Nga kontrollet e ushtruara u zbulua një diplomë e lëshuar nga Universiteti Kristal, në shtator të vitit 2010 për djalin e Bosit, Renzo Bosi. Diploma ishte e degës Menaxhim Biznesi dhe rezultatet e tij ishin të shkëlqyera.

*   *   *
Djali i Umberto Bosit me diplomë shqiptare, dyshohet ta ketë blerë

Renzo Bossi, djali i Umberto Bossit, themeluesit të Ligës së Veriut, rezulton i diplomuar në Shqipëri, në një universitet privat që operon në Tiranë. Zbulimi është bërë nga prokurorët e Napolit dhe Milanos.

Hetuesit dyshojnë se diploma, e cila mban datën shtator 2010, mund të jetë blerë me paratë e Ligës së Veriut. Notat e djalit të Bossit rezultojnë të shkëlqyera. Kjo dëshmohet edhe nga skanimi i diplomës, publikuar nga e përditshmja italiane “La Repubblica”.

Renzo Bossi, rezulton se është diplomuar për Menaxhim Biznesi, në nivelin e parë. Në fotot e gazetës italiane tregohet se ai është i regjistruar me numër amze 482 dhe notat e tij janë 8 e lart. Në këtë pikë lindin edhe dyshimet pasi rezultatet e tij në arsimin italian ishin jo shumë të kënaqshme dhe për këtë mediat italiane e quajnë atë “Troftë”.

Umberto Bossi, ka dhënë dorëhejqen nga drejtimi i Ligës së Veriut për shkak se nga të dhënat paraprake rezulton se ka shpenzuar paratë e taskapaguesve që kanë shkuar për financimin e partisë së tij. /La Repubblica/

Në Facebook, në faqen e “La Repubblica” lidhur me këtë shkrim ka me qindra mesazhe. Shumica prej tyre janë ironizuese. Ja disa më pikantet:

“Diplomimi në Shqipëri është i mirë, por vetëm si proces”, thotë Giovanni F.

“Bosi është diplomuar në Shqipëri… Njësoj sikur Hitleri të ishte shkolluar në Izrael…” Nicola T.

“Shkollohen në Shqipëri dhe investojnë në Tanzani, ksenofobia e tyre është boshe”, Francesco A.

“Po Liga i urren shqiptarët! Hipokritë dhe hajdutë”. Angela R.

“Në Shqipëri? Epo, tani Liga ka një kauzë më shumë”, Alberto G.

“Kjo është një strategji për t’u thënë shqiptarve që kthehuni studioni në shtëpi”, Francesca O.

“Në Shqipëri? Ja pse ai nuk di të flasë”, Anna Z.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama