A e mbani mend se çfarë ndodhi?
Janë pak çaste, por i mbaj mend. Po zbrisnim një dishezë kur dëgjova britmën e shoferit. Dhe pas tij të gjithë nisëm të ulërinim. Brenda pak sekondash ndjeva një supertronditje nga një goditje e fuqishme. Pas saj edhe një tjetër, edhe një tjetër. Derisa e pashë veten në humnerë.
Përse bërtiti shoferi dhe a tha ndonjë fjalë?
Shoferi nuk ka thënë asnjë fjalë, përveçse ka bërtitur. Atij iu bllokua timoni. Dukej sikur nuk po e kontrollonte dot më autobusin. Lëvizte duart mbi timon, por i qëndronin aty. Pa e lëvizur dot.
A ishte me shpejtësi autobusi?
Nuk jam specialiste, por mua nuk m’u duk se ishte me shpejtësi. Normale do të thosha.
A tentoi shoferi të frenonte?
Tentoi të frenonte dhe të manovronte me timonin.
Ku ishte e ulur ju kur shoferi po manovronte me timonin?
Unë isha e ulur në fund të autobusit.
Si mund t’i keni parë këto manovrime të shoferit duke qenë se ishit ulur në fund?
Unë vetëm një moment e pashë dhe ai vërtet po manovronte. Pavarësisht se nga larg, dukej. Ndërkaq të njëjtën gjë më tha edhe një shoqe. Ajo ka qenë e ulur pranë shoferit dhe më tha se ai u përpoq që të lëvizte timonin, por ai ngeci. Më pas kishte tentuar të frenonte, por tepër vonë, përfunduam të gjithë në greminë.











