14 te vdekur ne aksident/ Fjalet e fundit te shoferit Mbahuni se s’kam frena

14 te vdekur ne aksident/ Fjalet e fundit te shoferit: Mbahuni se s’kam frena
Aksident tragjik në Qafën e Vishës në Himarë, ku autobusi me 32 studente të Gjuhë-letërsisë nga Elbasani ka dalë nga rruga dhe ka rënë 80 metra në humnerë. Plagosen rëndë edhe 20 studente. Banorët: Ishte një kaos i vërtetë dhe terreni shumë i vështirë

Himarë Ekspedita drejt Sarandës e 32 studenteve të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit është ndërprerë tragjikisht dje në Himarë, duke shkaktuar dhimbje në të gjithë vendin. Autobusi me të cilin ata udhëtonin ka dalë nga rruga, për t’u kthyer në një grumbull hekurishtesh në pikën fundore të humnerës 80-metërshe, ku u përplas pas disa fluturimeve në ajër. Përmasat e këtij aksidenti që në momentet e para u raportuan të ishin tragjike: 12 studente dhe shoferi 55-vjeçar i autobusit humbën jetën, ndërsa 20 të tjerë morën plagë të rënda. Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit bëri me dije se aksidenti ndodhi rreth orës 16.15 minuta të pasdites së djeshme, në vendin e quajtur Qafa e Vishës në Himarë. “Autobusi me targë El 2274 B, me shofer Pëllumb Çelën, 55 vjeç, i mbushur me studentë të universitetit, ka dalë nga rruga”,-tha zëdhënësja e policisë, Klejda Plangarica.

***

Të parët në vendngjarje kanë mbërritur kalimtarë të rastit dhe banorë të Himarës, të cilët fillimisht kanë dhënë alarmin, e më pas janë përpjekur të ndihmojnë kë të mundin nën gërmadhat e autobusit të aksidentuar. Dëshmitarë në vendngjarje i thanë dje “MAPO”-s se pak minuta pas aksidentit gjendja ishte e tmerrshme. “Ishte një kaos i vërtetë, ndërsa terreni shumë i vështirë”,-pohoi për mediat Arturi, i cili shtoi se i gjithë populli i Himarës u ngrit në këmbë për t’u ardhur në ndihmë të aksidentuarve. Helikopterë të policisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mbrojtjes janë nisur drejt vendit të aksidentit, së bashku me ambulancat dhe ekipet mjekësore të Himarës, Vlorës dhe Sarandës. Në krye të operacionit të shpëtimit kanë qenë edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Për më shumë se dy orë, dhjetëra forca të policisë, ushtrisë dhe zjarrfikëseve kanë mundur të nxjerrin trupat e plagosur dhe ata të pajetë nga autobusi, ndërsa më pas tragjedia është zhvendosur në spitalin e Himarës.

***

Më shumë se spital, ai i Himarës është një qendër shëndetësore, e cila shërbeu dje si stacion i parë për të plagosurit dhe si morg për viktimat. Mjekë të këtij spitali thanë dje se që në momentet e para kanë mbërritur të vdekur shoferi Pëllumb Çela dhe 10 studente vajza, ndërsa dy vajza të tjera ndërruan jetë në spitalin Ushtarak, pasi u transportua me helikopter. Ndërkohë, 20 të plagosurat vetëm sa kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Himarës. Ato janë transportuar me helikopterë drejt spitalit rajonal të Vlorës, ndërsa studentët në gjendje më të rëndë drejt Spitalit Ushtarak. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, 13  studente të Gjuhë-letërsisë ndodheshin nën kujdesin intensiv të mjekëve të Ushtarakut, një prej të cilave në gjendje kritike për jetën.

***

Studentet që humbën jetën dje në aksidentin e Qafës së Vishës në Himarë ishin në fundin e studimeve të tyre për Gjuhë-letërsi, në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Shkaku i udhëtimit të tyre drejt Sarandës ishte një ekspeditë mësimore, e udhëhequr nga tre pedagogë të këtij universiteti, të cilët gjithashtu ishin në udhëtim. Ishin rreth 75 studente, të dy grupeve A dhe B të degës Gjuhë-letërsi pjesëmarrëse në këtë ekspeditë, por në autobusin e aksidentit tragjik po udhëtonin vetëm 32 prej tyre.

Të plagosura në spitalin Ushtarak

Shegushe Habo

Anisa Çabo

Doriana Kumbria

Antoneta Taçe

Eranda Bato

Alma Deda

Kaltra Pollozani

Elsa Shtylla

Efisiana Karriqi

Mirsie Biba

 

Të plagosura në Spitalin e Vlorës

Dorina  Stafa
Ina  Janulla
Besiana Dani
Erikela  Daja
Ardiola Mustaku
Ergita Opingari
Juliana Kuqi
Griselda Zeneli
Ticiana Hysaj
Liri Hasa
Desiana Sheneti
Adisa Çelaj
Anisa  Hysa

KRONOLOGJIA

16.15

Policia njoftoi se autobusi me targë El 2274 B ku udhëtonin 32 studentë të Universitetit të Elbasanit ka dalë nga rruga në aksin rrugor Vlorë-Himarë, në vendin e quajtur Qafa e Vishës.

17:20

Policia konfirmoi vdekjen e 10 studenteve dhe drejtuesit të autobusit 55-vjeçarit Përllumb Çela. Ekipet e shpëtimit thanë se u nxorrën nga autobusi i aksidentuar të gjithë të plagosurit

18:20

Helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë  transportuan në Spitalin Ushtarak 4 studente të plagosura, njëra prej të cilën ndërroi jetë pak minuta më pasë si pasojë e plagëve të marra

18:40

Mjekët e spitalit të Himarës thanë se të gjithë të plagosurit janë transportuar drejt spitalit të Vlorës dhe atij Ushtarak. Në Himarë ndodhen vetëm trupat e 11 viktimave të aksidentit.

18:45

Publikohet dëshmia e parë e njërës prej studenteve që ndodhej në autobusin e akisentuar. Ticiana Hysa tha se autobusi ecte shpejtësi të madhe, çka ka sjellë edhe aksidentin

19:47

Drejtori i Spitalit Ushtarak Bedri Mihja konfirmoi viktimën e 12 të aksidentit e cila sipas tij mbërriti e vdekur në spital, ndërsa dy prej të plagosurave janë në gjendje të rëndë

Fjalët e fundit të shoferit: Mbahuni se nuk më mbajnë frenat

Ekspertë nga policia e Vlorës në vendngjarje thonë se ka shenja që frenat e mjetit nuk kanë funksionuar. Prokuroria: Po verifikohet mundësia e një problemi shëndetësor të shoferit në momentin e daljes nga rruga

Vetëm një nga 6 gomat e autobusit të tragjedisë së djeshme në Himarë ka lënë shenjë frenimi në asfalt, pak metra prej vendit nga ku ai ka dalë nga rruga, duke sjellë tragjedinë e 13 të vdekurve, mes të cilëve edhe shoferi i mjetit, dhe 20 të plagosurve. Burime nga policia e Vlorës në vendngjarje thonë se ka shenja të qarta që frenat e mjetit nuk kanë funksionuar ndërsa ai ka qenë duke zbritur në të tatëpjetë dhe ka pasur shpejtësi të konsiderueshme. Ndërkohë, sipas ish-deputetit të Vlorës, Ardian Kollozi që ndodhej në spital, një mjek ka mësuar nga një e plagosur se para përplasjes shoferi u ka thënë studenteve: “Mbahuni se nuk më mbajnë frenat”.

Shkaku

Ekspertët nga vendngjarja thonë se hetimet rreth aksidentit tragjik vijojnë, megjithëse nga gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes dhe dëshmitë e para, duket se ka pasur tejnxehje të frenave të autobusit, të cilat në një moment kur ai ka qenë në zbritje dhe në kthesë nuk kanë funksionuar dhe shoferi s’ka mundur dot të ulë shpejtësinë e mjetit në të cilin udhëtonin 32 studentë. Sipas ekspertit, por edhe dëshmitarëve të parë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, mjetit duket se i janë nxehur frenat gjatë kohës që ka zbritur Llogaranë dhe shoferi që nuk e ka kuptuar këtë, ka vazhduar të ngasë pa ulur shpejtësinë. Nxehja e ferrotave ka zvogëluar deri në minimum fërkimin dhe ka bërë të pamundur uljen e shpejtësisë së makinës në një moment kur drejtuesi i autobusit ka dashur ta bëjë këtë. Studentë të mbijetuar thanë se autobusi ka dalë nga rruga duke bërë 3 apo katër përmbysje në ajër, gjë që tregon se shpejtësia e tij ka qenë e lartë. Ndërkohë që mjekët thonë se nga të mbijetuarit kanë mësuar se shoferi vetë u ka pohuar studentëve se nuk kishte frena.

Ndërkohë, studentë të autobusit tjetër pranojnë se automjeti i tragjedisë ka qenë më shpejt se ata dhe se i ka parakaluar në një moment, ndërsa thonë se nuk kanë mundur ta shohin më atë dhe kanë mësuar për aksidentin vetëm kur kanë mbërritur në pikën ku e kishin lënë të takoheshin.  Burime të policisë se Vlorës në vendngjarje thonë se mjeti ka qenë i pajisur me 6 goma, katër në pjesën e pasme që ishte me dopiogomë dhe 2 në pjesën e përparme. Duket se shoferi ka tentuar të frenojë para katastrofës, por vetëm një nga gomat, ajo e krahut të shoferit, i është përgjigjur komandës së tij dhe në këtë moment ai e ka pasur të pamundur të marrë kthesën dhe fillimisht është përplasur në anën e sipërme të rrugës e më pas me bordurën e poshtme. Duke se shpejtësia e mjetit dhe forca me të cilën ai ka goditur në mbrojtëset e rrugës e ka bërë të pamundur që këto të bllokojnë rënien e autobusit në humnerë.

Hetimet

Një grup hetimor me përfaqësues nga prokuroria dhe ekspertë të aksidenteve është ngritur menjëherë pas ngjarjes dhe sipas burimeve nga policia e Vlorës, është duke hetuar për të verifikuar shkaqet e aksidentit. Edhe pse ekspertët pranojnë që shenjat flasin për probleme të frenave, grupi hetimor thotë se po heton në dy pista: atë të problemeve të mjetit, që sipas tyre është edhe pista kryesore, dhe atë të një problemi shëndetësor të shoferit, që mund t’ia ketë pamundësuar atij drejtimin e autobusit. Policia e Vlorës njoftoi se për zbardhjen e rrethanave të aksidentit është “ngritur një grup i posaçëm hetimor nën kryesimin e Prokurorisë së Përgjithshme, në përbërje të të cilit janë ekspertë kriminalistë, të policisë rrugore, si dhe të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë”.

Sipas tyre, pista e parë është ajo kryesore, por vetëm pas ekzaminimit të trupit të shoferit të makinës do mund të jepet edhe një version zyrtar nëse ky i fundit ka qenë në gjendje të drejtojë mjetin në momentin e aksidentit. Nga të dhënat e mbledhura prej policisë, dëshmitë e studentëve të mbijetuar, si dhe ato të pasagjerëve të autobusit tjetër që udhëtonte në të njëjtën rrugë, mjeti ka qenë duke ecur me shpejtësi, ndërsa pohohet se studentet në makinë i kishin kërkuar shoferit që të ngadalësonte. Dëshmitarët okularë të pyetur nga policia kanë deklaruar se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin sapo është futur në kthesë, duke u përplasur fillimisht me bordurën anësore të rrugës në krahun e djathtë të tij. Më pas nuk ka manovruar dot autobusin duke goditur bordurën anësore në krahun e majtë dhe ka përfunduar në humnerë. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e një ataku kardiak të shoferit, por ky dyshim do të konfirmohet vetëm pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama