Shpejtesia shkaku i aksidentit tragjik (Foto)
- Botuar: 15 vite më parë
- Shkruar nga:
RËNIA: Pasi ka shembur bordurat në anë të rrugës, autobusi ka nisur rënien e lirë poshtë rrugës dhe ka përfunduar në shtratin e një përroi rreth 60 metra më poshtë
MANOVRA: Pas përplasjes me shpatin e malit në të djathtë, shoferi e ka kaluar mjetin në krahun e majtë të rrugës dhe ka frenuar fort, por pa mundur të kontrollojë mjetin
KTHESA: Përpara se të hynte në kthesë, shoferi është afruar shumë në krahun e djathtë të rrugës, duke u përplasur dy herë me shpatin e malit
ZBRITJA: Autobusi kishte marrë shpejtësi gjatë një zbritjeje në një pjerrësi rreth 16 % për rreth 600 metra
Lëvizja me shpejtësi të madhe në një rrugë të panjohur dyshohet se ka qenë shkak për humbjen e kontrollit të mjetit nga shoferi 55-vjeçar nga Elbasani, Pëllumb Çela, i cili humbi jetën bashkë me gati gjysmën e pasagjerëve të autobusit të tij. Burime zyrtare nga grupi hetimor që është ngritur për zbardhjen e ngjarjes nga policia dhe Prokuroria e Vlorës, thanë dje në mbrëmje se nuk ishte arritur ende në një konkluzion përfundimtar në lidhje me shkaqet e aksidentit të rëndë, por dyshimet kryesore janë për tejkalimin e shpejtësisë nga ana e drejtuesit të mjetit.
Disa nga vajzat e mbijetuara, që ishin në gjendje më të mirë dhe u dërguan në spitalin e Vlorës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, i thanë dje gazetarit të “Shqip” në Vlorë se shoferi ecte shumë shpejt dhe në momentin e fundit ka bërë një manovër të gabuar. “Ai po zbriste me shpejtësi dhe kur doli në kthesë, nuk arriti të manovronte, megjithëse u përpoq të frenonte dhe të kthente timonin”, tha njëra nga vajzat e plagosura, ndërsa bartej me barelë në një autoambulancë për të lëvizur nga spitali i Himarës për në atë të Vlorës.
Një tjetër fakt që përforcon versionin e të mbijetuarave është gjurma e frenimit që autobusi ka lënë në asfalt. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes thanë se në kthesën ku autobusi ka dalë nga rruga dukej qartë shenja e frenimit të fortë, që zgjaste për gati dhjetë metra.
Duke u nisur nga dëshmitë e të mbijetuarave dhe gjurmët e lëna në asfalt, një ekspert i policisë rrugore të Vlorës tha se shpejtësia e autobusit ka qenë mbi normat e lejuara dhe për këtë arsye shoferi e ka pasur të pamundur të marrë kthesën e fortë.
Por, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, deklaroi dje pasdite se nuk përjashtohej mundësia që shoferi të kishte pësuar atak kardiak gjatë drejtimit të mjetit. Gjithsesi, edhe Burgaj theksoi se kjo mbetej vetëm një hipotezë, ndërkohë që edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tha se duhej verifikuar gjendja shëndetësore e shoferit. Për të sqaruar sa qëndron kjo hipotezë, një ekip ekspertësh të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë udhëtuan dje në mbrëmje drejt Himarës për të kryer ekspertizën e trupit të shoferit Çela.
Zyrtarisht, anëtarë të grupit hetimor i thanë gazetës “Shqip” se nuk mund të thuhet asgjë derisa të përfundojë ekspertimi i sistemit të drejtimit dhe sistemit të frenimit të autobusit, ndërkohë që përpara përcaktimit të shkakut të aksidentit do të duhet të dalin edhe konkluzionet e mjekësisë ligjore që do të zbardhin shkakun e vdekjes së shoferit 55-vjeçar dhe gjendjen fizike të tij.
Tragjedia: Qeveria: 22 maji, ditë zie kombëtare
Për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në të cilin humbën jetën 11 studente në lulen e rinisë së tyre, Këshilli i Ministrave vendosi të shpallë datën 22 maj, ditën e martë, ditë zie kombëtare. Kryeministri, në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor. Për të qenë i pranishëm në ditën e zisë dhe për të ndarë dhimbjen dhe zinë me familjet e viktimave dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, sipas Kryeministrisë Berisha po bëhet gati për t’u nisur drejt Tiranës. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, sot ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do mbahet një minutë heshtje. Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës do të transmetojë muzikë funebre. Për përballimin e shpenzimeve për varrimin e viktimave është ngarkuar Ministria e Brendshme.