Si ndiheni pas humbjes në finale?
Është një ndjenjë e pamëshirshme. Është çmenduri të mendosh që humbëm sërish në finalen e Champions-it. E kishim gjithçka nën kontroll. Kundërshtari, thuajse nuk rrezikoi asnjëherë, derisa shënuam ne. I vetmi moment ku pata frikë, ishte kur arbitri akordoi tri minuta shtesë në fund dhe rezultati ishte 1-1.
A është akoma më zhgënjyese, kur mendoni se e luajtët finalen në fushën tuaj dhe ndaj një ekipi që u cilësua më inferior se ju?
Unë nuk kam parë asnjë finale të Bajernit që të dominojë në këtë mënyrë në fushën e lojës. Pa diskutim që ne ishim superiorë, gjithsesi nuk i shfrytëzuam rastet që patëm. Kur ndeshja shkoi te gjuajtjet e penalltive, mendova se fituam. Porta ishte në krahun e tifozëve tanë, Mata e humbi të parën dhe Lahm, i cili gaboi ndaj Realit, u tregua i saktë. Por, pikërisht atëherë kur mendova se fituam, ndodhi ajo që me të vërtetë më duket e pabesueshme.
Meqë përmendët penalltitë. Mendoni se ajo që humbi Roben ishte fatale?
E gjithë skuadra vendosi që 11-metërshin ta godiste Arjen dhe, kur merret një vendim i tillë, sigurisht që bëhet fjalë për një ekzekutues të mirë. Më erdhi keq që nuk shënoi dot, pasi shanse të tilla nuk duhet të shpërdorohen në finale të Championsit, gjithsesi tashmë duhet të pranojmë realitetin.
Çfarë ishte ajo që nuk ju pëlqeu nga skuadra gjatë ndeshjes?
Pati vërtetë disa gjëra që nuk më pëlqyen dhe i kritikova futbollistët. U bënë disa gabime që nuk falen në ndeshje të një rëndësie të tillë.
Nuk fituat asnjë trofe sivjet. E cilësoni si të dështuar këtë sezon?
Jo, nuk është i dështuar. Është një sezon i mirë, jo shumë i mirë.
Keni filluar të mendoni për sezonin e ardhshëm?
Është ende herët, por fakti që nuk kemi fituar trofe këto dy vite, nuk duhet të na vërë nën presion. Mendoj se do të bëjmë blerje të rëndësishme në merkato për të plotësuar edhe ato boshllëqe që kemi në ekip. Kjo do ta shtojë akoma më shumë optimizmin te futbollistët.
Po largime do të ketë?
Unë thashë që kemi në plan ta përforcojmë skuadrën, por është shumë herët për të thënë nëse do largohet kush, apo sa lojtarë të tjerë do vijnë. Gjithsesi, blerjet do të jenë super.
Një pyetje e fundit që, mbase ka nevojë për një arsye konkrete. Cili ishte shkaktari për humbjen në finalen e Champions-it?
Nëse dikush e gjen, të më njoftojë…
Samer: Në finale fitoi antifutbolli
Matias Samer e ka kritikuar ashpër stilin e lojës që praktikoi Çelsi në finale, duke deklaruar se triumfoi antifutbolli. “Është e turpshme që një skuadër, e cila mendon vetëm për mbrojtje, të triumfojë në Ligën e Kampioneve. Askush nuk ndjeu emocione nga Çelsi, por vetëm një mërzitje. Një ekip që largonte topat nga zona për më shumë se 100 minuta gjatë finales. Nuk ndodhi gjë tjetër, veçse fitoi antifutbolli. Nëse vazhdohet me të tilla paraqitjesh, popullariteti do të jetë gjithnjë në rënie”, – deklaroi Samer.











