Ikja e emigranteve ndihmon thellimin e krizes

Ikja e emigranteve 'ndihmon' thellimin e krizes
Greqia ndodhet në prag të humnerës ndërsa eksodi i të rinjve në vend vjen gjithnjë e në rritje. Në një analizë të Paolo Ribichini në sajtin dirittodicritica.com thuhet se të rinjtë në Greqi po përgatisin çantat në masë. “Pse të qëndrojmë në një vend të pashpresë “- thonë ata.

Situata pritet të përkeqësohet nëse Greqia do të dalë nga sistemi i monedhës së përbashkët, euro dhe do të rikthehej tek dhrahmija. Në Greqi papunësia ka arritur nivele rekord prej 21.7 për qind, ndërsa papunësia tek të rinjtë është në shifrat e 54 për qind. Në një sondazh të pak kohëve më parë rreth 10 për qind e të rinjve të diplomuar thanë se kanë vendosur të largohen, ndërsa 70 për qind e tyre e kishin marrë në konsideratë. Ndërsa 51 për qind e atyre që kanë marrë një master në vendin e tyre e kanë braktisur vendin. Gjermania dhe Australia janë destinacionet e tyre të preferuara. Megjithatë Australia duket si vendi më favorit për të emigruar.  Në Australi mundësitë për punësim janë të mëdha, sidomos  në sektorin teknik. Në vitin 2011 kërkesa për punë në Gjermani nga Greqia u rrit me më shumë se 80 për qind.

Ndër të tjera në shkrim një vend të veçantë zënë edhe emigrantët shqiptarë.  Veç rrjedhjes së trurit në Greqi, edhe emigrantët po largohen nga vendi. Nuk ka shifra të sakta por  shumë shqiptarë, të cilët kanë punuar vitet e fundit në ndërtim (industri që e ka ndihmuar shumë ekonominë greke deri në vitin 2009) janë duke u kthyer në shtëpi. Në Shqipëri sot  ndoshta ka më shumë mundësi zhvillimi.

Në industrinë e ndërtimit ka patur një rënie të ndjeshme të punësimit. Nëse në vitin 2008 ka patur 400 mijë punëtorë në sektorin e ndërtimit, tani numri është përgjysmuar, vetëm 200 mijë.   Sipas të dhënave që raporton Reuters, rreth 250 mijë shqiptarë janë kthyer në vendin e tyre. Dhe me ato miliona euro të fituara, është llogaritur që në bankat shqiptare kanë hyrë rreth 717 milionë euro, një arratisje që ndihmon për të shkretuar Greqinë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama