Peci jashte rrezikut per jeten

Peci, jashte rrezikut per jeten
Dy ditë pas sulmit ndaj ushtarakëve shqiptarë të misionit në Kandahar, Ministria e Mbrojtjes pret ende trupin e ushtarakut të vrarë, Kapiten Feti Voglit, i cili ende nuk dihet saktësisht se kur do të mbërrijë në atdhe. Në të njëjtën kohë një lajm i mirë ka ardhur për për gjendjen më të fundit shëndetësore të nën/tetar Aleksandër Pecit, i plagosur rëndë gjatë të njëjtit sulm.   Në një komunikatë Ministria e Mbrojtjes sqaron se nën/tetar Peci është transferuar në një spital në bazën ajrore të Bagramit, spital i specializuar për ndërhyrje të vështira kirurgjikale. Ushtaraku shqiptar i është nënshtruar për disa orë një ndërhyrje kirurgjikale. Operacioni ka përfunduar me sukses, thotë Ministria e Mbrojtjes dhe nën/tetar Aleksandër Peci ndodhet tërësisht jashtë rrezikut për jetën. 

Ministria njofton gjithashtu se pasi gjendja  e tij shëndetësore të jetë në nivel të qëndrueshëm për të përballuar kushtet e udhëtimit, ai do të transferohet për një trajtim mjekësor më të gjatë dhe më të hollësishëm në Gjermani. Ky lajm ka ngrohur zemrat e familjarëve të ushtarakut të plagosur, të cilët deri më tani kanë kaluar nga zia e orëve të para në ankthin për shëndetin e birit të tyre. 

CNN: Krimi pas një grindjeje

Rrjeti televiziv amerikan CNN hedh dritë mbi incidentin e ndodhur në fshatin Robat në Kandahar ku humbi jetën kapiteni Feti Vogli dhe u plagos rëndë nën/tetar Aleksandër Peci. Duke cituar zyrën e shtypit në Kandahar, CNN raporton se forcat e aleate, gjatë misionit të tyre ishin duke shpërndarë në fshat fletëpalosje ku bëhej thirrje të rinjve të fshatit të shkonin në shkollë. Trupat aleate, mes të cilëve edhe grupi i parë special i forcave shqiptare, shoqëronin për të siguruar personelin e agjensisë së ndihmës amerikane USAID-it, për të bërë të mundur hapjen e shkollave në këtë fshat.

Për të njëjtin mision referoi edhe Ministria e Mbrojtjes pak orë pas ngjarjes. Sipas CNN gjatë shpërndarjes së fletëpalosjeve ka filluar konflikti i trupave aleate me policët afganë, motive i së cilës nuk bëhet e ditur. Afganët kanë reaguar me armë ndaj forcave aleate ku mbeti i vrarë kapiteni shqiptar, pikërisht për këtë veprim. Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes nuk u përcaktua qartë dhe vazhdon të ngelet jozyrtare motivi pse afganët hapën zjarr ndaj kompanisë shqiptare. Ndërkohë që CNN ngre dyshimet e saj përsa i përket milicisë vendase. Sipas saj ky është rasti i 42 që policia vendase vret apo plagos forcat aleate duke e vënë në pikëpyetje të madhe transferimin e ruajtjes së rendit dhe të sigurisë pikërisht tek kjo forcë në 2014. Pikërisht për një incident të ngjashëm, pak muaj më parë, ku humbën jetën 4 ushtarë, Franca kërcënoi se do të tërhiqte përpara afatit trupat e saj.

Qeveria, heshtje për ushtarët 

Këshilli i Ministrave e ka nisur mbledhjen e përjavshme këtë të mërkurë duke mbajtur një minutë zi për kapitenin Feti Vogli të vrarë në Kandahar, Afganistan.   Kryeministri Berisha vizitoi në mbrëmjen e së martës, familjen e nën/tetarit të plagosur, Aleksandër Peci. Kryeministri Berisha u shpreh se gjendja e Aleksandrit është përmirësuar dhe të dhënat e deritanishme japin shpresë se Aleksandri do të bëhet mirë.   Duke vlerësuar misionin fisnik që Aleksandri dhe kolegët e tij po realizojnë në Afganistan, kryeministri tha se në këtë detyrë të rëndësishme, ata përfaqësojnë me dinjitet vendin dhe kombin shqiptar. 

Kryeministri u përcolli familjarëve përshëndetjet e Komandantit të ISAF, Gjeneralit John Allen, i cili nëpërmjet telefonatës me kryeministrin Berisha shprehu vlerësimin për aftësinë e ushtarakëve shqiptarë në përmbushjen me sukses të detyrave të ngarkuara. 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama