Gjenerata e te uriturve

Gjenerata e te uriturve
Një në katër fëmijë të vegjël në botë është i kequshqyer dhe nëse nuk do të vdesë, do të shndërrohet në një individ të paaftë fizikisht dhe moralisht. Një e katërta e fëmijëve në të gjithë globin nuk marrin ushqim të mjaftueshëm për t’u rritur siç duhet dhe 300 fëmijë në botë vdesin çdo orë nga mungesa e ushqimit. Këto janë disa nga rezultatet e një raporti të ri që nxjerr në pah efektet e krizës botërore të ushqimit.

Në të gjithë botën ekzistojnë 170 fëmijë nën moshën 5 vjeç, zhvillimi i të cilëve është tronditur, madje është ndërprerë nga të kequshqyerit për shkak të mungesës së ushqimeve dhe mungesës së qumështit të gjirit të nënave të tyre, edhe ato të kequshqyera. Dhe kjo situatë e rëndë është duke u përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe gjithnjë e më tepër. Ky është rezultati i një kërkimi të organizatës britanike ‘Save the Children’.

Në Pakistan, Indi, Peru dhe Nigeri – vende të cilat janë “shtëpia” e gjysmës së fëmijëve të uritur të botës – ngritja e madhe e çmimeve të ushqimeve së fundi, është duke i shtrënguar prindërit e fëmijëve të kequshqyer që të reduktojnë edhe më ushqimet për familjen dhe t’i shkëpusin fëmijët nga shkolla në mënyrë që të punojnë dhe të nxjerrin vetë që në moshë të njomë bukën e gojës.  Sipas raportit dhe sipas një sondazhi të posaçëm, prindërit thonë se nuk kanë mundur që t’i ngopin dot me bukë asnjë ditë fëmijët e tyre.

Një në gjashtë prindër nuk ka mundësi kurrë që të blejë mish, qumësht apo zarzavate. Më pas thuhet se gjashtë në dhjetë fëmijë në Afganistan nuk marrin ushqimin që u duhet për t’u rritur. “Nëse nuk do të ndërmerret asnjë lloj veprimi, atëherë gjysmë miliardi fëmijë do të pësojnë dëme të pariparueshme në rritje dhe shëndet gatë 15 viteve të ardhshme”, - bëhet e ditur në raport.

Gjatë 5 viteve të fundit, çmimi i ushqimit është rritur në të gjithë botën edhe për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit, ose të paktën kështu pretendohet, duke e bërë shumë më të vështirë sigurimin e bukës së përditshme. Të varfrit, të cilët i përdorin të gjitha të ardhurat e tyre në blerjen e ushqimeve elementare për familjen, janë ata që goditen edhe më shumë në këtë situatë. Një në katër prindër në vendet në të cilat është zhvilluar sondazhi është detyruar që të reduktojë, madje të përgjysmojë edhe atë sasi të pakët të ushqimit me të cilën është mësuar.

Në Indi, gjysmë milioni fëmijë janë të goditur nga kequshqyerja, ndërkohë që një pjesë e madhe ka mbetur fare pa ushqim. Në Afganistan, çmimi i ushqimit është rritur me 25%, ndërsa në vende të tilla të varfra si Kenia, çmimet janë rritur me 40%. “Save the Children” e përshkruan kequshqyerjen si një vrasës të heshtur, sepse shumë shpesh për të nuk flitet dhe ajo nuk konsiderohet aspak si një shkak i vdekjeve tek të miturit, kryesisht.

Kjo çon edhe në mungesën e marrjes së vendimeve dhe veprimeve konkrete për të shpëtuar dhe për t’iu ardhur në ndihmë kategorisë së mësipërme. Në veri të Afganistanit, Mohamed Jan peshonte gjysmën e peshës së një fëmije në moshën 7-vjeçare për shkak të kequshqyerjes dhe urisë. E ëma e tij, që ditën që e solli në jetë nuk kishe pasur kurrë mjaftueshëm qumësht gjiri për ta ushqyer foshnjën e saj, e cila nuk ka kaluar asnjë ditë me barkun plot.  E gjithë jeta e këtij fëmije, të gjitha vitet e tij, kanë qenë një zvarritje drejt vdekjes.

Si ky fëmijë janë me mijëra, me qindra mijëra të tjerë në një situatë tejet të vështirë dhe tragjike, dhe jo vetëm në Afganistan. Ky fëmijë u vu re nga një organizatë ndërkombëtare dhe u çua për t’u kuruar në Londër, por mijëra e qindra mijëra të tjerët që vazhdojnë të vuajnë nuk e kanë pasur fatin e tij. Kequshqimi është një ndër shkaqet e “fshehta” të vdekjes së fëmijëve të mitur në botë, një nga shkaqet frekuente, por të nënvleftësuara. Asnjëherë një shkak i tillë nuk është propaganduar me forcë dhe qëllimisht është lënë në harresë ose në plan të dytë. Ndërkohë që më shumë vëmendje kanë pasur shkaqet të tilla si malarja apo SIDA. Vdekshmëria e fëmijëve nga malarja është pakësuar tri herë krahasuar me vitin 200, ndërsa vdekjet nga të kequshqyerit sa vijnë e shtohen, dhe sidomos me rritjen e çmimeve të ushqimit, pas krizës financiare, ajo është shtuar shumë.

“Save the Children” bën të ditur se, pa një përqendrim më të madh të vëmendjes së të gjithëve në çështjen jetike të ushqimit të fëmijëve në vendet e varfra, ky fenomen do të vijë duke u shtuar në mënyrë të vazhdueshme. E ardhmja, nëse nuk do të veprohet, do të jetë shumë më e errët për këta fëmijë në të gjithë botën. Mbi 30 000 fëmijë vdesin çdo vit në Afganistan për shkak të kequshqyerjes dhe në veri të vendit numri i këtyre vdekjeve është shumë më i madh, edhe për shkak të një thatësire të madhe dhe të tejzgjatur që karakterizon rajonin dhe që i ka goditur kulturat bujqësore.

Por ajo çka është më tragjike dhe që përbën një problem më të madh, është fakti se pjesa më e madhe e fëmijëve të kequshqyer nuk vdesin, por shndërrohen në qenie krejtësisht të paafta për të përballuar jetesën. Ata janë të dobët fizikisht dhe mendërisht dhe shndërrohen në njerëz-hije, të paaftë për të përballur jo vetëm jetesën, por edhe menaxhimin e trupit dhe ekzistencës së tyre. Sipas një vlerësimi të bërë nga Banka Botërore, fëmijët e kequshqyer kanë një koeficient inteligjence shumë herë më të vogël dhe më të ulët se fëmijët e tjerë. Në këtë mënyrë, bie ndjeshëm edhe IQ i vendeve të cilët kanë një kontingjent të madh të fëmijëve të tillë. Si pasojë, e ardhmja e këtyre vendeve është shumë e zymtë dhe ato shndërrohen në vende handikapate, pa një rini aktive dhe të zonjën për të çuar më tej drejtimin dhe fatet e vendit. Kjo ka ndikimin e vet në shkollim dhe në të gjitha fushat e tjera të jetës.

Dhjetëvjeçari i fundit është ndër më të vështirët dhe më të rëndët në këtë aspekt. Kjo, sepse është një dhjetëvjeçar që ka parë në mënyrë të vazhdueshme përkeqësim të situatës, duke filluar nga kushtet klimatike e deri tek ato të rritjes së çmimeve të ushqimit si pasojë e krizës financiare. Megjithatë, janë shënuar edhe disa rezultate pozitive. Kështu, sipas raportit, është përmirësuar situata e vdekjeve foshnjore për shkak të përmirësimit deri diku të kushteve mjekësore të nënës dhe fëmijës. Kështu, nga 12 milionë vdekje në vit që ndodhnin në vitet ’90, këtë dhjetëvjeçar kjo shifër është përgjysmuar.

Por duket se përparimi në këtë drejtim në vitet e para të dhjetëvjeçarit të kaluar është duke u ndalur pikërisht për shkak të krizës financiare dhe të gjitha pasojat që kjo krizë ka tek të varfrit e botës që nga viti 2007, kryesisht në rritjet shumë herë të çmimeve të produkteve bazë bujqësore. ‘Save the Children’ është duke u përpjekur që të ndërgjegjësojë Kryeministrin britanik, Cameron që me rastin e mbledhjes së liderëve botërorë në Londër, në Olimpiadën e verës, të organizojë një takim me liderët në lidhje me masat që duhen marrë për të luftuar urinë e fëmijëve në botë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama