Drejtori ekzekutiv i Gazpromit, Alexey Miller, në mbledhjen e mbajtur pikërisht për rrjedhën e jugut më 20 dhjetor të vitit të kaluar, ka folur për aktivitetet që pritet të fillojnë shumë shpejt që ky projekt të bëhet realitet.
“Kemi gjithçka që është e nevojshme që të shpejtohet fillimi i ndërtimit të rrjedhës së jugut. Kemi bazën rregullatore, interes të madh nga ana e pjesëmarrësve në këtë projekt, paratë e nevojshme, si dhe porositë e gazit nëpërmjet kompanive të mëdha nga deti i Zi. Interesi për projektin është mjaft i madh, kurse ne jemi të përgatitur që ta plasojmë atë”, ka thënë Miller.
Sipas të dhënave zyrtare të Gazpromit, rrjedha e jugut do të fillojë nga Rusia, nën Detin e Zi, ku një pjesë do të kalojë nëpër Rumani e Serbi drejt Kroacisë, kurse pjesa tjetër do të shkojë drejt Bullgarisë, do të anashkalojë Maqedoninë dhe do të kalojë nëpër Greqi, në fund do ta anashkalojë Shqipërinë në jug dhe do të ngjitet nëpërmjet detit Jon me Italinë.
Zyrtarisht ky projekt pritet të fillojë në dhjetor të vitit 2012, në të cilin janë paraparë të investohen miliarda dollarë për ta furnizuar Evropën me energji të re, shkruan portali Zhurnal. Të rikujtojmë se në hartën e parë të publikuar të Gazpromit, ishte paraparë që tubacionet të kalojnë nëpër Maqedoni dhe Shqipëri, e që do të ishte distancë më e shkurtë dhe më e sigurt për rajonin.











