Zbulohen dy video te reja per vrasjet e 21 janarit

Zbulohen dy video te reja per vrasjet e 21 janarit
Hysni Peposhi i njohur si miku i demonstruesit të vrarë Hekuran Deda dhe që ishte në krah të viktimës ditën e demonstratës së 21 Janarit 2011, ka dorëzuar në prokurori dy video të regjistruara me celularin e tij personal, ku duken efektivët e Gardës së Republikës, të cilët qëllonin me armë zjarri drejt turmës së protestuesve. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të grupit hetimore që po heton vrasjen e katër demonstruesve dhe plagosjen e shtatë të tjerëve gjatë demonstratës së opozitës së bashkuar. Këto video celulari, sipas të dhënave nga të prokurorisë, tashmë janë dërguar për ekspertizë drejt zyrave të Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së), duke kërkuar pastrimin e figurës dhe qartësimin e pamjeve të regjistruara. Përgjigjen e këtyre ekspertizave, sipas prokurorisë, do të mbërrijnë brenda këtyre tre muajve nga zyrat qendror të FBI-së, të cilat i janë nënshtruar ekspertimit.

“Dëshmitari i vrasjes së Hekuran Dedës, shtetasi Hysni Peposhi gjatë marrjes në pyetje përveç se dëshmoi për vrasjen e shokut të tij Deda dhe plagosjen e reporterit Fatos Mahmutaj, dorëzoi në prokurori edhe dy video të regjistruara nga celulari i tij personal. Këto video, janë regjistruar para, gjatë dhe pas vrasjes së mikut të tij Deda. Objektivi i regjistrimit ka qenë drejtuar nga oborri dhe ndërtesa e Këshillit të Ministrave, nga ku efektivët e Gardës së Republikës qëllonin me armë në drejtim të turmës.

Nga këto pamje, regjistrimi nuk është tërësisht i pastër për shkak të cilësisë së dobët të kamerës së celularit. Por, ajo që vihet re është fakti se i akuzuari për vrasjen e Ziver Veizit, gardisti Agim Llupo duket duke qëlluar në drejtim të turmës”- thuhet nga prokuroria.

Këto pamje, pritet të pastrohen nga ekspertët e FBI-së dhe të qartësohet figura e efektivëve të Gardës, mes tyre edhe ajo e gardistit Llupo, ku nga tyta e armës së tij dallohet zjarri që del. “Drejtimi i qitjes nga efektivi i Gardës duket qartë se është në nivelin e njeriut në këmbë (drejt turmës) çka do të thotë se ai ka qëlluar drejt dhe jo në ajër siç pretendon gjatë deklarimeve të tija”-thuhet nga prokuroria.

Njëra nga këto video është filmuar para se miku i tij Hekuran Deda të qëllohet me armë zjarri, nga e cila gjeti vdekjen dhe plagosjes së reporterit Mahmutaj.

“Dëshmitari Peposhi së bashku me viktimën Deda dhe reporterin Mahmutaj kishte hipur në podiumin e vendosur nga një televizion kombëtar dhe po shikonin drejt ndërtesës së kryeministrisë. Videoja e parë e dëshmitarit Peposhi është regjistruar nga podiumi të cilin e kishte vendosur një televizion kombëtar. Pas një ndërprerje disa sekondash, ka filluar regjistrimin e videos së dytë po me celularin e tij në momentin që viktima Deda ishte kthyer për të zbritur nga podiumi dhe reporteri Mahmutaj që po raportonte për median ku punonte.

Në momentin që e ka konstatuar se i është qëlluar shoku, dëshmitari Peposhi e ka futur në xhep celularin pa e mbyllur nga regjistrimi, ku dëgjohen të bërtiturat e tij në emër të viktimës që kishte ndërruar jetë si pasoj e goditjes së plumbit në kokë”-thuhet nga prokuroria. Këto dy video, pritet që të pastrohen dhe t’i bashkëngjiten dosjes hetimore ndaj të dyshuarve të vrasjeve të 21 Janarit 2011 në protestën e opozitës së bashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama