Miratohet drafti
Në seancën e djeshme Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi vetëm me votat e maxhorancës draftin e ri të hartuar nga Ministria e Transporteve, dhe që ka për qëllim të pajisë me hipotekë qytetarët, të cilët banojnë në apartamente të ndërtuara nga investitorë ‘të larguar’ apo të falimentuar.
Maxhoranca
“Natyrshëm ky projektligj, ky amendim që kërkohet sot i ligjit bazë, prek një numër më të vogël, por vjen këtu pikërisht për të mbështetur një kategori të caktuar qytetarësh, të cilët kanë paguar dhe për fajin jo të tyrin, por të investitorit, nuk e hipotekojnë dot për mungesë të kolaudimit. Eshtë e përcaktuar qartë që në nenin 1 të këtij projektligji, që bëhet fjalë pikërisht për investitorë, apo ndërtues që nuk kanë emëruar kolaudatorin pa shkak të vlefshëm ligjor, brenda tre vjetësh dhe që figurojnë të çregjistruar, kanë falimentuar dhe janë likujduar”, tha deputeti demokrat, Ardian Turku. Ligji prek ato apartamente, të cilat kanë përfunduar së ndërtuari, dhe tek të cilat banojnë qytetarë, por që nuk kanë përfunduar proceset e regjistrimit dhe kolaudimit, për shkak se ndërtuesit kanë falimentuar.
Opozita
Eduard Shalsi, deputet i PS-së tha dje se ligji është i paplotë dhe që në fillim i dështuar, pas nuk paraqet as statistika se sa pallate dhe familje preken nga ky draft, dhe për më tepër nuk është bërë një konsultim me pushtetin vendor, që do të marrë këtë kompetencë. “Kemi shqetësime serioze në lidhje me aplikimin e këtij ligji. E konsiderojmë të pamundur edhe në amendimet e dyta. Jemi gati të vendosim ekspertizën tonë për të parë edhe njëherë këto amendime të dyta në mënyrë që të shkojmë në parlament me një ligj që do të zgjidhë probleme. Ligji i Legalizimeve ka një eksperiencë që megjithëse është amenduar në mënyrë të pambarimtë shumë nga problemet, ende nuk i ka ezauruar”, tha Shalsi.
Kostoja
Sipas draftit, kostot për regjistrimin e këtyre ndërtesave dhe kolaudimin e tyre deri në marrjen e hipotekave i ngarkohen njësive të pushtetit vendor. Për këtë shkak ligji krijoi që në fillim përplasje mes Ministrisë së Transporteve dhe Bashkisë së Tiranës, që është më e prekura financiarisht nga ky ligj. Sipas përllogaritjeve paraprake të ekspertëve të Ministrisë së Transporteve, mendohet se ky ligj do ti kushtojë pushtetit vendor jo pak, por gati 100 mijë lekë (1 milionë lekë të vjetra) për çdo ndërtesë (pallat) që duhet hipotekuar. Dhe duke marrë parasysh faktin që sidomos në Tiranë janë dhjetra familje që jetojnë në pallate të pahipotekuara, kostoja e këtij ligji mund të shkojë në miliona lekë deri në përfundim të të gjithë procesit.











