“Kjo ngjarje nxori në dritë që me këta njerëz abuzohet edhe financiarisht. Këta njerëz nuk e marrin dot atë që ju jepet, nga donatorët dhe nga shteti shqiptar, sepse nuk mbërrin tek ata. kjo është e lidhur me shoqërinë civile dhe me shoqata të tjera të huaja që punojnë në Shqipëri. Avokati i popullit do të kërkojë një hetim nga Kontrolli i Lartë të Shtetit dhe nga Prokuroria, dhe njëkohësisht do të njoftohen donatorët se çfarë ndodh me fondet që ato dhurojnë në mënyrë që të ato të përdoren dhe të shpërndahen sa më mirë” – tha zoti Karamuça.
Sipas tij, Avokati i popullit po ashtu do të kërkojë transparencën e një serie projektesh mbi 10, 5 milionë euro nga Bashkimi Europian dhe dhurues të tjerë ndërkombëtarë, se si zbatohen ato në terren me bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë. Siç njofton Zëri i Amerikës, duke iu referuar të dhënave zyrtare, në Shqipëri jetojnë rreth 20 mijë qytetarë të komunitetit rom, por veprimtarët e kësaj fushe mendojnë se numri i tyre është më i madh, sepse një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk regjistrohen në gjendjen civile brez pas brezi, duke i mohuar vetes një seri të drejtash njerëzore dhe kombëtare Në mjediset e Avokatit të popullit prej 8 ditësh po qëndrojnë të strehuara 8 familje rome, gjithsej 50 vetë.











