Kuvendi tre deputetet refuzojne Keshillin E dorezojme imunitetin

Kuvendi, tre deputetet refuzojne Keshillin: E dorezojme imunitetin
Me një letër personale, tre deputetët Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj nuk kanë pranuar të paraqiten në Këshillin për Rregulloren e Mandatet, duke deklaruar se qëndrimin e tyre do ta mbajnë në seancën kur të votohet për heqjen e imunitetit. Mbledhja e pritur me shumë bujë, ku mazhoranca mendonte se mund ta kishte në favorin e saj, dështoi, pasi tre opozitarët kanë kërkuar të bëjnë mbrojtjen e tyre në seancë. “Të nderuar anëtarë të këshillit, nga ana e Prokurores së Përgjithshme është paraqitur kërkesa për dhënien e autorizimit penal ndaj meje, Besnik Baraj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Me shkresën tuaj, në datën 22.01.2012, jam njoftuar të paraqitem në Këshill për të marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj kërkese. Mbështetur në pikën 2, të nenit 118 të rregullores së Kuvendit, përmes kësaj shkrese, ju bëj me dije se e pranoj heqjen e imunitetit parlamentar dhe jam i gatshëm t’i nënshtrohem procedimit penal nga organi i prokurorisë. Qëndrimin tim do ta bëj publik në seancën plenare të Kuvendit, kur të shqyrtohet kërkesa”, shkruan Baraj në shkresën e njëjtë edhe për dy kolegët e tjerë. Kërkesa e letrës është bërë prezent nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, së cilës nuk i është mjaftuar vetëm 5 minuta kohë për të zgjedhur dy relatorët që do të përpilojnë raportin. Këshilli vendosi të japë autorizimin për procedim penal të kërkuar, dhe ngarkoi deputetët Viktor Gumi dhe Damian Gjiknuri t’i paraqesin relacionin përkatës seancës së ardhshme plenare. Deputeti socialist, Taulant Balla, nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ka shprehur vullnetin për lëshimin e imunitetit, por ndërkohë shprehet se edhe Kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm duhet të hetohen. “Ne, të gatshëm për të kontribuuar në zbardhjen e krimit shtetëror të 21 janarit. Në vijim të qëndrimit tonë, në mbështetje të hetimeve të mëtejshme, siç edhe ju informova më parë, sot shprehëm dakordësinë tonë lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit, për t’i lejuar kështu prokurorisë një hetim të plotë. Po Saliu dhe Luli? A është i gatshëm edhe Saliu të heqë dorë nga imuniteti?

Ripërsëris thirrjen që hetimi të përfshijë edhe urdhëruesit e plumbave kundër protestuesve. Ne duam drejtësi!”, shkruan socialisti Balla. Pasi dy relatorët Gjiknuri i PS-së dhe Gumi i PD-së të përpilojnë raportin, Këshilli i Rregullores duhet të mblidhet ta miratojë atë. Më pas do të votohet në seancën kuvendore. Sipas rregullores së Kuvendit, votimi në seancën plenare është i fshehtë dhe ai merret pasi deputetët kanë shpjeguar ose u janë përgjigjur pyetjeve të kolegëve rreth kërkesës së Prokurores së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të tyre. Tre deputetët akuzohen për shkelje të nenit 262 të Kodit Penal. Kryeprokurorja Ina Rama kërkon realizimin e një hetimi të mëtejshëm për të sqaruar pozicionin e 3 deputetëve të opozitës, në raport me veprën penale “të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Ndryshe nga mbledhja e kaluar, ajo e djeshme ishte shumë e qetë. Këshilli s’pati debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Ajo që binte në sy ishte se në sallë kishte me tepri prani të punonjësve të shërbimit të brendshëm të Gardës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama