'Ketu fillon historia'
Shkruar nga:
Postuar më: 4 muaj mė parė
'Ketu fillon historia'
“Nuk dëshirojmë turbullira dhe ngatërresa, nuk duam të prishet paqja në mes të kombeve që janë në gadishullin e Ilirisë. Dëshirojmë vetëm dhe kërkojmë me gjithë zemër bashkimin e farës shqiptare, përparimin e saj si në punë të mendjes si në lumturi të jetës dhe në begati”
Të dashur bashkëqytetarë e bashkëkombas,
Këto fjalë të Atit të kombit shqiptar, Ismail Vlorës, të thëna prej tij në agun e lindjes së shtetit tonë, nuk tregojnë vetëm gjeninë dhe aspiratën e këtij burri të madh shteti. Ato më shumë se kurrë tingëllojnë dhe sot aktuale, në vitin e 100 të Shqipërisë, të cilën me aq mund e krijuan patriotët e mëdhenj shqiptarë të drejtuar nga plaku i Vlorës.
Sot ne jemi mbledhur këtu nën frymëzimin e mesazhit dhe veprës së tij, në këtë ditëlindje të babait të shtetit shqiptar, me përunjësinë që jo vetëm ta kujtojmë atë, por edhe me detyrën sublime që të nderojmë jetën dhe veprën e themeluesit të Shqipërisë. Me Ismail Vlorën nis lindja por edhe jeta jonë në këta 100 vjet. Me këtë burrë të mençur nis rruga jonë e bukur, por edhe e vështirë si shtet i lirë dhe i pavarur. Pas tij vjen vetëm historia.
Kjo histori nis me të dhe prej këtu, nga Vlora e Ismail beut por dhe nga Vlora jonë. Ndaj sot jemi mbledhur jo vetëm për të respektuar atin e madh të kombit, por gjithë jetën tonë. 100 vitet e shkuara ishin sakrifica sublime jonë që bota të na njihte “si një kurm e një komp të shqiptarëve që rrojnë tubërisht në Shkodër, në Kosovë, në Manastir e në Janinë…”, pra ashtu siç na bashkoi Ismail Vlora.
Mijëra vitet e ardhshme do ta konsolidojnë gjeninë e profecisë së tij. Dy muaj më parë, në mitingun e zhvilluar në përkujtim të 28 Nëntorit, Bashkia e Vlorës çeli zyrtarisht vitin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Sot, në këtë ceremoni homazh, ne çelim kalendarin e aktiviteteve në kuadrin e këtij përvjetori. Zgjodhëm këtë ditë, jo thjesht dhe rastësisht, por me një mendim të qartë. Dita e lindjes së Ismail Vlorës është edhe startimi i veprimtarive për t’i uruar Shqipërisë 100 vjetorin e pavarësisë. Sepse 28 Nëntori dhe Ismail Vlora, janë një. Nuk mund të flasësh për Pavarësinë e Shqipërisë, pa përmendur plakun e urtë të Vlorës, ashtu siç nuk mund të përshkruash figurën dhe protagonizmin e tij, pa këtë ngjarje madhore, më të shkëlqyerën në historinë e shqiptarëve.
Prandaj dhe simbolika e kësaj dite në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar është e shumëfishtë. Shqipëria e re lindi këtu dhe këtu duhet të nderohet. Ajo ka një emër, ka një ideator, ka një burrë shteti që orientoi në një drejtim të vetëm potencialet, faktorët dhe aktorët patriotikë mbarëshqiptarë, duke ngritur në një piedestal të ri vlerat e Kuvendit të Lezhës, duke konkretizuar përpjekjet shumëshekullore të shqiptarëve dhe duke ridimensionuar idetë e rilindasve për Shqipërinë e shumëëndërruar.
Në këtë kohë të turbullt të mbushur me “patriotë” politikë dhe “spekullantë partiakë” që serviren sikur “digjen” për Shqipërinë dhe etërit tanë themelues, nderimi për Ismail Vlorën është minimumi që Bashkia e Vlorës, dhe i gjithë qyteti ynë, mund të bëjë për Të, për qytetarët tanë, për Shqipërinë por edhe për brezat e ardhshëm. Eshtë ky nderim që nuk na lë dot të heshtim kur shohim sesi në këtë 100 vjetor të pavarësisë, në mënyrë tinzare dhe të djallëzuar, po përpiqet të anashkalohet Vlora, po synohet të lihet në harresë Flamuri, po kërkohet që të lihet në hije Ismail Vlora. Por nuk mund të errësohet dielli nga asnjë re e zezë, as nga retë historike dhe as nga ato politike.
Ne vlonjatët, nuk kemi nevojë për shkëlqimin e aktiviteteve butaforike të iniciuara nga qeveria, që synon dukshmërisht të zhvendosë epiqendrën e veprimtarive në kryeqytet, sepse i bëjmë gjërat me shpirt dhe me zemër. Ne nuk kemi nevojë për farsën e atyre që synojnë ta politizojnë këtë ngjarje dhe të përfitojnë gjithashtu politikisht prej saj. 28 Nëntori dhe 100 vjetori i kësaj ngjarjeje të shënuar, nuk kanë nevojë për mantelin e asnjë partie. Ato u përkasin të gjithë shqiptarëve, brenda e jashtë vendit, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e diasporë.
Ne vlonjatëve, na mjafton historia ashtu sikundër ajo është. Krenohemi me vlerat e saj, të cilat na mbushin në jetën e përditshme, na bëjnë të ndihemi shqiptarë. Por, ne nuk mund të heshtim kur këto vlera shkelen, minimizohen, apo anashkalohen, kur faktorë të caktuar synojnë përfitime të momentit dhe të perspektivës. Nga ky vend ku jemi mbledhur, nga ky vend ku prehet burri i madh i kombit, ne i themi qeverisë ta shohë drejt në sy historinë dhe ta respektojë atë, të respektojë Vlorën dhe vlonjatët, të respektojë 28 Nëntorin dhe vetë Ismail Vlorën.
Në të kundërt, historia të ndëshkon.
Si kryetar i Bashkisë së Vlorës kam qenë vazhdimisht i prirur për të bashkëpunuar institucionalisht, për të ofruar potenciale institucionale dhe njerëzore, për të krijuar urat e nevojshme të bashkëpunimit të ndërsjelltë. Sepse kam bindjen e patundur se vetëm kështu do të përcjellim tek shqiptarët mesazhet e mëdha të rilindasve, të protagonistëve të Pavarësisë Kombëtare e patriotëve të mëdhenj, të Ismail Vlorës e Isa Boletinit.
Vetëm kështu, 28 Nëntori do të shërbejë si një moment bashkimi dhe jo ndarjeje. Asnjë mbret a president, asnjë kryeministër a zyrtar tjetër i lartë, asnjë regjim monarkik a demokratik, diktatorial apo autoritar nuk mund t’i afrohet në panteonin kombëtar veprës së Ismail Vlorës dhe aktit themelues të Shqipërisë 100 vjet më parë.
Jo vetëm sepse të gjithë këta sëbashku herë kanë ecur përpara dhe herë pas në rrugën e themeluesve të shtetit, apo sepse jo rrallë herë kanë vënë seriozisht në dyshim veprën e Atit tonë. As sepse të gjithë këta kush më shumë e kush më pak e çuan Shqipërinë e mezi-bërë më 1912, herë në pushtime të huaja e herë në cënim sovraniteti, me proteksione, vuajtje, dhunë dhe eksode biblike.
Më shumë se për të gjitha këto, ka një fakt të thjeshtë si drita e diellit: Ismail Vlora është Flamuri, është Shqipëria. Pas tij, dihet, vjen vetëm historia.
Të dashur bashkëqytetarë,
Ne sot nisim kremtimin e aktiviteteve për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë pikërisht nga 24 janari, ditëlindja e Ismail Vlorës. Prandaj dhe, prej ditës së sotme, duke ju bashkuar rrjedhës së këtyre aktiviteteve, në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, është vendosur portreti i Ismail Vlorës. Nga ky vend unë i drejtohem Presidentit të Republikës, Zotit Bamir Topi, duke i propozuar vendosjen e këtij portreti në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë, në të gjitha zyrat dhe mjediset institucionale të Republikës së Shqipërisë.
Kjo nuk është thjeshtë një nismë e Shpëtim Gjikës, por një propozim i dalë nga qyteti i Flamurit dhe Pavarësisë, nga qyteti i Ismail Vlorës, nga populli vlonjat që ruan me fanatizëm vlerat e krijuara në shekuj. Vendosja e portretit të Plakut të Urtë të Vlorës në zyrat e institucioneve nuk shmang askënd. Ai i bën nder vetë institucioneve, në themel të të cilave qëndron historia e Shqipërisë, qëndrojnë 28 Nëntori dhe ideatori i kësaj ngjarjeje, Ismail Vlora.
Prandaj dhe portreti i tij i vendosur në të gjitha institucionet e vendit, është nderimi që i bëjmë vetes tonë dhe vetë Shqipërisë. Ky vit, 2012-a, do të jetë jo vetëm viti i festimeve por edhe i bashkimit të të gjithë shqiptarëve këtu, në qytetin e flamurit. Duke përkujtuar veprën e Atit të madh të shtetit tonë, ne do të ftojmë të gjithë shqiptarët “të rrojnë si një kurm e një komp tubërisht” siç thoshte Plaku i mençur, të paktën një ditë në kryeqytetin e Flamurit, në kryeqytetin e Ismail Vlorës, në qytetin tonë por dhe të të gjithë shqiptarëve.
Kam nderin dhe privilegjin që si kryetar i bashkisë së Vlorës të ftoj të gjithë shqiptarët, nga Prishtina dhe Elbasani, nga Ulqini e Tirana, nga Durrësi, Gjirokastra, Shkodra, Shkupi, Tetova, Lezha, Kukësi, Janina, Dibra e Filati, nga Peja, Struga, Mati, Tropoja, Saranda, nga Prizreni e nga kudo ku flitet shqip; por edhe arbëreshët e Italisë, diasporën në Amerikë, arvanitasit e vjetër por edhe emigrantët e rinj kudo ku janë; që një ditë gjatë vitit 2012 të vijnë në Vlorë. Të nderojmë 1912-tën por edhe 100 vjetorin, të nderojmë të shkuarën por edhe të ardhmen. Sëbashku do t’i presim dhe do ta bëjmë Vlorën shtëpinë e madhe të shqiptarëve gjatë këtij viti.
Në sfondin e dekorit të kësaj ceremonie, në logon e saj, shkruhet qartë: “Këtu fillon historia”. Po! Këtu nis historia e Shqipërisë së Pavarur, këtu, në Mekën e shqiptarizmit. Kjo është e vërteta e madhe që nuk mund ta ndryshojë askush.