Uidhers: Shqiperia po behet si Ukraina dhe Rusia

Shkruar nga:  
Postuar më: 5 muaj mė parė

Uidhers: Shqiperia po behet si Ukraina dhe Rusia
Uidhers: Shqiperia po behet si Ukraina dhe Rusia

Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, John L. Uithers II ka hequr për herë të parë dorashkat diplomatike dhe ka folur hapur për qeverinë shqiptare dhe të ardhmen e vendit, e cila nuk duket fare e ndritur. Në një intervistë të dhënë për edicionin shqip të “Zërit të Amerikës” (Voice of America), Uidhers ka shprehur shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Intervista e plotë do të transmetohet sot, por “Shekulli” ka siguruar disa pjesë të saj.

Madje ambasadori amerikan e ka krahasuar vendin tonë me dy nga vendet e tjera të Europës që kanë bërë hapa pas në lidhje me demokracinë dhe janë bërë shembulli negativ i dhunës shtetërore. “Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria, e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, gjë që ne presim t’i ketë një demokraci e zhvilluar”, tha ambasadori Uithers në intervistën e parë që jep që kur përfundoi mandatin në Shqipëri. Në Hungari qeveria ka përdorur gjykatat për të mbyllur dhe sulmuar mediat opozitare; në Ukrainë është arrestuar kryetarja e opozitës dhe një sërë përfaqësuesish të tjerë ndërsa në Rusi zgjedhjet u manipuluan dhe Putin ka shtypur përdhunisht protestat e opozitës duke kërkuar që të marrë vetë një mandat tjetër në krye të shtetit. Një situatë të ngjashme me këto tre vende, Uidhers po e shikon edhe në Shqipëri.

Në intervistën për VOA, ish-ambasadori amerikan në Tiranë thotë se fakti që Shqipëria nuk po arrin të zgjidhë dukuri të tilla si korrupsioni, problemet në sistemin e drejtësisë dhe konfliktet politike, janë probleme të shkaktuara nga udhëheqësit politikë në vend që i quan përçarës dhe jo bashkues. “Problemet e politikes nuk vijnë nga ambienti, por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë, nuk u vjen nga zemra”.

Kryeministri Berisha dhe zyrtarë të tjerë të mazhorancës i kanë vlerësuar qëndrimet e ambasadorit amerikan si personale dhe jo si politika zyrtare të SHBA-së, por Uidhers i ka hedhur poshtë këto zëra duke shpjeguar se qëndrimet e tij ndaj kryeministrit, apo ndaj udhëheqësit të opozitës, apo ndonjë personaliteti tjetër në Shqipëri, nuk ishin personale por një analizë për veprimet që nuk ishin në përputhje me parimet e demokracisë.

Jep një mendim mbi këtë temë:

Reklama


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema tė nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA