Historia e një burri dhe një gruaje, të cilët takohen një ditë gjatë rrjedhës së jetës së tyre të mërzitshme dhe dashurohen ndërsa dy bashkëshortët e tyre të dënuar në burg presin të marrin amnistinë, do të shfaqet në datat 14-20 janar në Nju-Jork. Filmi hapet me Elsën, e cila numëron paratë që ka marrë nga fabrika e tekstileve vetëm pak ditë pasi fabrika është mbyllur. Është pikërisht dita kur anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duket se do të sjellë prosperitet, por nga rrethanat që tregohen në film duket se kjo është një perspektivë e largët. Në fakt është e njëjta gjendje dëshpërimi që ka çuar përtej hekurave edhe bashkëshortin e Elsës, i cili luan me fatin e tij në një lojë kumari me shpresën se do të mund të rrisë fitimet për të mbijetuar dhe për të përmirësuar statusin social të familjes së tij. E njëjta gjendje dëshpërimi ka çuar në burg edhe bashkëshorten e Shpëtimit. Kështu nis historia e regjisorit Bujar Alimani, një histori që i dha dhe çmimin e jurisë në Festivalin e Berlinit, një sukses më shumë i kinematografisë shqiptare në Berlinalen e zhvilluar në muajin shkurt, bashkangjitur këtij suksesi edhe çmimin “Ariu i Argjendtë” që mori një tjetër bashkëprodhim shqiptaro-amerikan, “Falja e Gjakut”.
“Amnistia”, përfaqësuesja e kinemasë shqiptare në çmimet “Oscar” ka fituar edhe tri çmime në Leçe si: çmimin ‘CinEuropa 2011’, çmimin ‘Fipresci’, Çmimin special të jurisë në Festivalin e Berlinit etj. Sipas regjisorit Bujar Alimani, prodhimi i filmit “Amnistia” ka kushtuar 700 mijë euro dhe është produkt i ‘Fantasia Ldt’, ‘Arizona Films’ dhe ‘90 Production’, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Greqisë dhe ‘Euroimages’. Shpërndarja e filmit ishte parashikuar në Francë, ndërkohë që në Greqi dhe Shqipëri filmi e ka përfunduar ciklin e shfaqjeve. Nju-Jorku doli si mundësi vetëm kur filmi “Amnistia” arriti të ishte propozimi i Shqipërisë për në “Oscar”. Filmi, sipas regjisorit Alimani, përcjell një mesazh të fortë, edhe pse dialogjet aty janë të pakta. “Edhe në tre filmat e mi me metrazh të shkurtër që kam realizuar, flitet pak. Një qasje ndryshe kjo nga filmat shqiptarë, ku dialogjet janë një pjesë shumë e rëndësishme.
Por unë kam një armë të fortë në dorë; imazhin. Ndoshta këtu ka ndikuar formimi im si piktor”, - shprehet Alimani, i cili filmit të tij i ka dhënë ngjyrat e konjakut. Gjatë realizimit të këtij filmi ai ka pasur disa pika reference, regjisorë të huaj të cilët jo vetëm e kanë cekur tapetin e kuq të “Oscar”-it, por madje kanë qenë dhe fitues si Loach, Leigh, Bergman, nga të cilët Alimani shprehet se ka mësuar artin e heshtjes. Sigurisht që për realizimin e këtij filmi janë hasur vështirësi, të cilat i janë shpërblyer Alimanit. “Pjesa më e madhe e regjisorëve shqiptarë kërkojnë shumë para për prodhimin e filmave të tyre, ndërkohë që mund të bëhet një film i thjeshtë me pak para, por që përcjell mesazhe të forta. Ashtu si kinemaja iraniane”, - thotë ai.