Artet figurative. Piktura mesjetare

Krahas degëve të tjera të kulturës, në mesjetë morën zhvillim edhe artet figurative. Skulptura si gjini kryesore e arteve figurative, ashtu si në vendet e tjera të Europës Juglindore edhe në tokat shqiptare pati një zhvillim të kufizuar, qoftë për numrin, qoftë për vendin që zinin prodhimet e saj. Skulptura nuk mori këtu funksion të pavarur. Ajo i shërbeu si element dekorativ arkitekturës, në formë elementesh zbukuruese të lidhura me ballina ndërtesash, me porta e dritare, shtylla e gurë varresh. Edhe atje ku gjenden dekoracione plastike mjaft të zhvilluara, si në kishën e Mesopotamit pranë Sarandës, në kishën e manastirin e Deçanit, ato nuk dalin nga karakteri i një relievi të vendosur në muret e jashtme dhe nuk mund të qëndrojnë më vete. Po kështu kishte funksion ndihmës edhe skalitja e drurit, e argjendit etj.
Por në skulpturën ornamentale dhe në elementet e saj zbukuruese gjetën shprehje më shumë se në gjinitë e tjera të artit mesjetar elementet e artit popullor, që zhvillonin traditat e vjetra të njohura nga veshjet, nga shkorsat dhe nga qeramikat popullore. Këto ornamente ishin zbatuar në mënyrë më të përsosur e më të ndërlikuar, në materiale më të kushtueshme, si në orendi kishtare, potire, kapakë ungjijsh, në arka druri, në veshje të kushtueshme dinjitarësh, kishtarë e laikë etj. Këto janë pajisur me zbukurime të pasura në formë lulesh, nganjëherë edhe kafshësh e shumë më pak njerëzish.
Zhvillim të madh si gjini e pavarur e artit mesjetar morën artet figurative e sidomos piktura që pati një përhapje më të gjerë.
Por pjesa më e madhe e krijimtarisë artistike të mesjetës së hershme e të vonë, si ajo e mozaikëve, e miniaturës së dorëshkrimeve, ikonostasëve, ikonave, afreskeve dhe skulpturave, për shkak të rrethanave tepër të vështira që kaloi Shqipëria, të luftërave e pushtimeve të shumta, nuk ka mundur të arrijë deri në kohën tonë.
Piktura si gjini u nxit nga kisha e krishterë sidomos nëpërmjet veprave ikonografike. Krijuesit e pikturës mesjetare ishin në përgjithësi klerikë e murgj, që kishin punishtet e tyre pranë manastireve ose kishave. Por edhe kur ishin laikë, ata ishin lidhur pas kishës si porositës kryesorë. Nuk njihen emra piktorësh deri në shek. XV, sepse ata zakonisht nuk e vinin emrin në veprat e veta. Nën udhëheqjen e piktorit mjeshtër punonin disa ndihmës ose nxënës, të cilët merrnin pjesë në pikturimin e veprës, duke plotësuar hollësitë e dorës së dytë.
Gjini kryesore të pikturës mesjetare ishin në shekujt e parë mozaikët. Më vonë zhvillohet gjerësisht piktura monumentale murale (afresket), si dhe piktura në tablo, ikonat.
Teknika e mozaikut në vendin tonë ishte trashëguar që në kohën antike. Shek. IV-VII paraqiten me disa vepra të rëndësishme, si Bazilika e Ohrit, Bazilika e Linit (Pogradec), Bazilika e Arapajt (Durrës), Bazilika e Bylisit (Ballsh), mozaiku i Baptiserit të Butrintit etj. Piktura e mozaikëve paraqiste tematikën e zakonshme kishtare e bashkë me të edhe figura perandorësh, princash etj., me familjet e tyre si ktitorë të kishave. Një vepër e bukur është ruajtur në mozaikun mural të gjetur në kishën e amfiteatrit të Durrësit. Duke shkuar përtej karakterit thjesht ornamental të mozaikëve antikë, mozaiku i Durrësit krijon komplekse skenash me figura njerëzore, me një ndërthurje të bukur gurësh prej qelqi të ngjyrosur, të përzier me copëza guri natyror e tulla. Figurat njerëzore janë veshur me petka të kushtueshme të ngrira pa respektuar format reale të trupit, kurse fytyrat e njerëzve ruajnë karakterin individual. Mozaikët e Durrësit përfaqësojnë veprat më të hershme mesjetare të njohura në vendin tonë që trajtojnë figurën njerëzore, qofshin këta shenjtorë abstraktë ose njerëz realë.
Po nga fusha e mozaikut janë ato të periudhës së shek. VI-VII, si mozaikët e manastirit të Shën Nikollës në Mesopotam të Delvinës etj. Janë miniaturat, dorëshkrimet fetare, të cilat i gjejmë në kodikët si ai i shek. VI, të njohur me emrin “Kodiku i Purpurt i Beratit”. Këto dorëshkrime janë të ilustruara me figura të vizatuara e të pikturuara si Evangjelistë që shkruajnë ungjillin, me ornamente të ndërthurura me shpendë dhe dekore lulëzore etj. Ato janë të realizuara nga piktorë profesionistë të asaj kohe d.m.th. nga ikonografë dhe shquhen për kaligrafi të përkryer me shumë hijeshi dhe me ngjyra të kultivuara. Miniatura e dorëshkrimeve mesjetare shihet më e përpunuar nga fundi i shek. XI ose në fillim të shek. XII me miniaturën e kodikëve të Vlorës, ku bie në sy një sintetizim i elementeve të stilit bizantin që sapo kishte arritur formimin e tij të plotë me ato të traditës së artit antik.
Po në këtë kohë zhvillohen gjini të tjera në artet figurative me pikturën në teknikën e afreskut. Në shpellën eremite të Bllashtojës si dhe në atë të liqenit të Prespës, të cilat ndodhen larg qendrave të banuara, por në vende shumë të bukura, gjenden piktura murale në teknikën e afreskut dhe që kanë interes për origjinalitetin ikonografik me paraqitjen e shumë skenave të pazakonshme për Bizantin dhe me një stil të lartë e të pastër bizantin. Po kështu në këto shpella janë gjetur ikona me vlerë që i takojnë po këtij shekulli, si ajo e Shën Mërisë me Krishtin dhe dyert e bukura të Bllashtojës (Prespë-Korçë), ku skena e ungjillëzimit është e realizuar vetëm me paraqitjen e figurës së Gabrielit përballë Shën Mërisë duke mënjanuar çdo gjë përreth.
Një fragment afresku që i përket shek. XII, në të cilin paraqitet martiri Eufemi, të hasur shumë rrallë në ikonografinë tonë, ruhet mbi një shkëmb të fshatit Kallmet pranë Lezhës.
Realizimi i miniaturës së nivelit të lartë në Shqipëri, përkon në kohë edhe me zhvillimin e pikturës monumentale të shek. XII, si të Rubikut dhe me atë të Shën Marisë së Cerkës (Leskovik), si dhe me afresket e kishës së Marmirojt në Orikum të Vlorës.
Piktura murale u zhvillua në lidhje të ngushtë me destinacionin e saj si pjesë përbërëse e monumenteve arkitektonike. Fillimet e saj hetohen qysh nga shek. IX-X, ajo zhvillohet me ritme më të shpejta në shek. XIII-XIV. Zhvillimi ekonomik e politik i vendit krijoi rrethana më të përshtatshme për një zhvillim më intensiv të këtij arti. Duke u larguar nga tiparet universale karakteristike për stilin bizantin në përgjithësi, tani fillojnë të krijohen veçori dalluese me ngjyrë vendase.
Ndër veprat e shumta të krijuara nga gjysma e dytë e shek. XIII dallohen veçanërisht afresket e kishës së Rubikut, ato të manastirit të Pojanit, të kishës së Shën Triadhës në Berat, të Maligradit në liqenin e Prespës, të kishës së Mborjes etj. Si punë të kualifikuara shumica prej tyre qëndrojnë në nivelin e monumenteve më me rëndësi të vendeve fqinje, duke dëshmuar për një shkallë zhvillimi të barabartë.
Në afresket e kishës së Rubikut që mbajnë datën 1272 bie në sy në mënyrë të veçantë skena e kungimit të apostujve. Ndërmjet shenjtorëve tradicionalë, të paraqitur këtu, për herë të parë është përfshirë edhe figura e një shenjti vendas, Shën Asti. Në pikturën e Rubikut, ndonëse në një formë ende jo plotësisht të përcaktuar, kanë gjetur fillimin e tyre disa tipare që dëshmojnë një orientim deri-diku drejt traditës antike.
Kjo prirje, duke u zhvilluar më tej, u dha monumenteve tipare të veçanta që dallohen prej monumenteve bashkëkohëse të Ballkanit. Këtë orientim e gjejmë të dokumentuar sidomos në afresket e trapezarisë së manastirit të Pojanit.
Elemente laike dhe më realiste shfaqen në pikturën mesjetare veçanërisht në paraqitjet e portreteve të ktitorëve në fasadat e faltoreve, siç i ndeshim në Pojan e në Maligrad. Në hajatin e kishës së Pojanit (Apolonisë) gjejmë portretin familjar të perandorit Andronik. Ai paraqitet në qetësi të plotë, me fytyrë energjike dhe të pushtetshme. Rreth kokës së tij vërehet një brerore me ngjyrë të artë për t`i dhënë figurës së tij karakter hyjnor. Një vlerë të madhe kanë edhe afresket e kishës së Maligradit, ku në anën e jashtme të portës është paraqitur Qezar Novaku, fisnik i kësaj krahine, bashkë me familjen e tij. Si princi, ashtu edhe e shoqja dhe të bijtë janë veshur me stoli princore; sakoja e Qezarit është e stolisur me zhgaba dykrenare të përfshira brenda medalioneve.
Në shek. XIII - XIV në vendin tonë u krijuan vepra të shumta artistike, si ato të kishës së manastirit të Apolonisë (Fier) 1260-1328, ku pranë apsidës është pikturuar portreti i perandor Mihal Paleologut, të mbiquajtur Konstandini i Ri, si çlirimtar i Konstandinopojës nga latinët. Ai është paraqitur, së bashku me familjen e tij, me fytyrë energjike, e i pushtetshëm. Po të kësaj periudhe ishin afresket e kishës së Vaut të Dejës, ndërtesë e stilit romanik (të shkatërruara në vitet 60 të shek. XX).
Një përhapje shumë të gjerë pati edhe piktura e tablove, ikonografia. Shumica e ikonave ruajnë vlera artistike. Midis tyre ka edhe ikona të trajtuara në mënyrë më të gjerë në formë monumentale, por përgjithësisht ato japin skena të kufizuara nga ana tematike, shpeshherë i janë kushtuar vetëm paraqitjes së një shenjti. Ikonat janë pikturuar drejtpërsëdrejti në dërrasë ose në pëlhura të ngjitura në dërrasë.
Ikonat e pikturuara në dru në shek. XII, tre shekuj para pushtimit osman, që kanë mundur të ruhen deri më sot janë të pakta. Në këto ikona pasqyrohet stili i pastër bizantin, ku figurat pothuajse janë me qëndrim ballor dhe monumental, me lëvizje të kursyera dhe me stolisje në veshje. Ikona më të bukura të kësaj periudhe janë Shën Maria me Krishtin e tipit Odigitria, që do të thotë se Maria parandien dhe parashikon atë që do t`i ndodhë birit të saj, si dhe ikonat Dyert e Bukura që janë gjetur në kishën e Bllashtojës (Prespë-Korçë). Skena e ungjillëzimit te dyert e bukura është paraqitur tepër e thjeshtë, Shën Gabrieli në njërën dorë dhe në tjetrën Shën Maria. Këtu përveç dy figurave përballë njëra-tjetrës nuk është pikturuar gjë tjetër.
Lulëzimi dhe zhvillimi i Konstandinopojës në gjysmën e dytë të shek. XIII dhe gjatë shek. XIV pati një ndikim të thellë në ikonografinë në përgjithësi dhe në monumentet e kulturës shqiptare. Veprat që u realizuan në këtë periudhë, karakterizohen nga një kanun i rreptë i stilit bizantin të shkollës së Konstandinopojës, si dhe ai i Shkollës së Ohrit. Arti i Bizantit gjatë kohës së Komnenëve, por sidomos ai i kohës së Paleologëve, filloi të marrë tiparet e një arti të konsoliduar të një rryme artistike përparimtare që u quajt “Rilindja e artit Bizantin”.
Kjo rrymë përkon në Shqipëri me zhvillimin e fuqisë ekonomiko-shoqërore të vendit, me fuqizimin e aristokracisë shqiptare, me rritjen e fuqizimin e qyteteve dhe me krijimin e principatave shqiptare. Kjo i dha dorë ndërtimit të shumë kishave të zbukuruara me afreske dhe ikona.
Një vepër me vlera historike dhe artistike e shek. XIV është Epitafi i Glavinicës (manastiri i Shën Marisë në Ballsh), realizuar më 1373 prej qëndistarit Gjergj Arianitit. Aty është dhënë figura e Krishtit të shtrirë (të vdekur) që është qëndisur e tëra me ar dhe ka përmasat 1m dhe 70 cm.
Ikonat që u përkasin shekujve XIII-XIV janë më të shumta, si ajo e tre Jerarkëve e kishës së Shën Vlashit në Vlorë etj. Një prej përfaqësuesve të kësaj epoke është ikona me përmasa të mëdha, ajo e Shën Mëhillit. Mendohet të jetë bërë në një nga atelietë e rrethit të Korçës. Kritikë të huaj të artit bizantin e kanë quajtur “Xhokonda shqiptare”. Kjo ikonë evokon traditën e pasur të shkollës së Ohrit. Engjëlli Mihali kompozuar në plan ballor e monumental është i veshur me atributet e strategut të forcës qiellore dhe mban në njërën dorë globin e kristaltë, imazhin e Kozmosit, shënuar nga monogrami i Krishtit dhe i kryqit ortodoks.
Pikturimi i kësaj ikone lidhet dhe ngjason shumë me afresket e kishës së Shën Marisë (Ristozi) në fshatin Mborje të Korçës, pikturuar më 1390 nga piktorë anonimë, si dhe me afresket e kishës së Shën Marisë në shpellën e liqenit të Prespës pikturuar më 1369. Mundet që një atelje e shquar të ketë pikturuar shumë ikona dhe afreske në këto zona të Shqipërisë Juglindore, si dhe në Maqedoni, Serbi dhe në Greqinë e veriut.
Veprat e kësaj periudhe, duke përfshirë dhe ato të kishës së Trapezarisë (Apoloni) si dhe atë të Shën Triadhës në kështjellën e Beratit, dëshmojnë për konsolidimin e një arti në këto zona, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm për piktorët e shek. XVI.
Kultura e Bizantit qe burim kryesor për artin e krejt botës së krishterë të Lindjes. Por krahas ndikimit të tij, gjendet kudo edhe kultura vendase ku artistët e ndërthurën mirë artin bizantin me atë lokal. Si rezultat qe formimi i shkollave, secila prej tyre kishte traditat e saj specifikike e lokale, ndërsa të gjitha ishin të lidhura ndërmjet tyre me këtë tërësi bizantine.
Në shek. XV Shqipëria pushtohet nga osmanët pas betejash të njëpasnjëshme. Prandaj nga ky shekull nuk ruhet asnjë dokument ikonografik.
Rënia e Konstandinopojës dhe dobësimi i lidhjeve me këtë qendër, bënë që arti ikonografik, krahas lidhjeve të vjetra, të hyjë në një fazë të re, ku filluan të krijoheshin hapësira të mëdha drejt novatorizmit të ikonografisë kishtare deri në krijimin e shkollave dhe të individualiteteve. Krahas rënies së përgjithshme ekonomike bie influenca e fuqishme e Bizantit dhe, nga ana tjetër, rritet ndikimi i vendeve perëndimore. Si rrjedhim, arti ikonografik i mesjetës në vendet e Bizantit, si Greqia, Bullgaria, Rumania, Serbia e Shqipëria, dalëngadalë zhvillohet tani në formën e një arti pasbizantin në këto vende. Veprat e artit pasurohen me elemente kombëtare të shoqëruara me elemente etnografike popullore, si veshjet në pasqyrimin e tipave krahinorë si dhe në pasqyrimin e figurave të ktitorëve (dhuruesve të kishës) me tipare realiste dhe origjinale. Por megjithatë kjo veprimtari ikonografike vazhdoi të ishte e lidhur me traditën e vjetër bizantine dhe të Ohrit, si edhe me artin e Rilindjes Evropiane të asaj kohe, veçanërisht me atë të Venedikut dhe të ishujve të Mesdheut: Korfuzi, Kreta etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama