Shqiperia njeh kalendarin e Brazil 2014

Shqiperia njeh kalendarin e Brazil 2014
Është zbardhur kalendari i ndeshjeve për ekipin tonë kombëtar në eliminatoret e ardhshme për Botërorin Brazil 2014. Dështuan tratativat për kompromis dhe gjithçka u vendos nga tërheqja e goglave nga shorti, megjithatë mund të konsiderohet një short i favorshëm për ne. Aventura e kuqezinjve do të nisë me Qipron në shtëpi, më 7 shtator të vitit të ardhshëm dhe do të përfundojë në Ishullin e Afërditës, më 15 tetor të vitit 2013.

Përfaqësuesit më të lartë të ekipeve që bëjnë pjesë në Grupin E, Norvegjisë, Zvicrës, Sllovenisë, Shqipërisë, Qipros dhe Islandës, janë mbledhur në Zvicër për të diskutuar datat e ndeshjeve. Të pranishëm ishin të gjithë trajnerët e skuadrave të këtij grupi, Hitzfeld i Zvicrës, Stojanoviç i Sllovenisë, Lagerbeck i Islandës, Olsen i Norvegjisë dhe Nioplias i Qipros, ndërsa mungonte vetëm ai i Shqipërisë, e cila aktualisht është pa një trajner. Delegacioni shqiptar përfaqësohej nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe dy ish-futbollistët e Kombëtares, Alban Bushi dhe Edvin Murati.

Zgjedhja e dy ish-figurave të shquara të së kaluarës të futbollit shqiptar u bë pas mungesës së trajnerit, por edhe se pse ata e njohin mirë pjesën teknike të bisedimeve, por njohin edhe disa nga gjuhët e pjesëmarrësve në mbledhje. Negociatat filluan në orën 9:00 të mëngjesit dhe gjatë tratativave, të cilat zgjatën deri në orët e para të pasdites, kanë zhvilluar vetëm një pushim të vogël. Me gjithë dëshirën e mirë, delegacionet përfaqësuese të ekipeve të Grupit E nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët për një kalendar që të mund të miratohej me konsensusin e të gjithëve.

Negociatat janë shoqëruar me debate dhe mosmarrëveshje, duke kulmuar me ndërprerjen e tyre, pa asnjë rezultat. Duke mos gjetur zgjidhjen nga bisedimet, atyre u është dashur t’i falen verdiktit të goglave të shortit. Për Shqipërinë, goglat i tërhoqi Alban Bushi, dora e të cilit ka përcaktuar edhe kalendarin e Kombëtares sonë në eliminatore. Katër ditë më pas, udhëtojmë për t’u përballur me Zvicrën e pesë shqiptarëve, në datën 11 shtator. Starti është shumë i ngjashëm me atë të kualifikueseve të fundit të Euro 2012 të Polonisë dhe Ukrainës, kur e nisëm me Rumaninë dhe e mbyllëm po me Rumaninë.

Në fakt, ndeshja e parë e përfaqësueses sonë do të jetë ajo përballë Qipros, më 7 shtator 2012, në një stadium që nuk dihet, për shkak nw atw kohw në “Qemal Stafa” duhet të jenë duke u zhvilluar. Takimi i parë në fushën kundërshtare për Shqipërinë është më 11 shtator në Zvicër. Në muajin tetor, në harkun kohor të katër ditëve do të ketë përsëri dy takime, por këtë radhë në shtëpi. Më 12 tetor kuqezinjtë presin Islandën, ndërsa më 16 vjen kombëtarja sllovene. Në vitin 2013 kuqezinjtë do të zhvillojnë më shumë takime. I pari dhe më i vështiri, në mars, në Norvegji. Në qershor skuadra skandinave është mysafire në Tiranë, ndërsa më 6 shtator, Kombëtarja shqiptare udhëton drejt Sllovenisë. Katër ditë më vonë, një udhëtim tjetër drejt Islandës së largët, ndërsa takimi i fundit në shtëpi, është më 11 tetor kundër Zvicrës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama