Ne Diten e Librit nis Viti i Mitrush Kutelit

Në Ditën e Librit nis Viti i Mitrush Kutelit

“Libri dhe nxitja e leximit  do të mbeten prioritet i politikave tona”, u shpreh të hëhën Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, në Ditën Ndërkombëtare të Librit.  Sipas tij, “në këtë këndveshtrim po plotesohet  kuadri ligjor si dhe po vendosen  marrëdhënie korrekte të individit, grupeve të interesit dhe  institucioneve me ligjin e librit”. Po dje në ditën Ndërkombëtare të librit, Ministri Pango u shpreh se në nderim të këtij emri të madh të letrave shqipe, gjatë të gjithë vitit do të organizohen një mori veprimtarish memuaristike dhe konferenca. Ai përmendi me këtë rast organizimin e  konferencës që do të zhvillohet mes dy bibliotekave kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës në vjeshtë të këtij viti, si dhe promovime të botimeve të zgjedhura nga ky autor etj. Çmimet kombëtare në letërsi “Penda e argjendë për përkthimet” këtë vit do të quhen “Penda e Argjendtë Dhimitër Pasko”, cilësoi ministri i Kulturës.

Mitrush Kuteli, i cilësuar nga kritika shqiptare si rrëfimtari i njohur në prozë, në të gjithë veprën e tij letrare dëshmoi thellim në jetën shpirtërore të njeriut, duke e parë atë gjithnjë të ballafaquar me jetën, vdekjen dhe dashurinë. Mjaft të dukshme në veprën e tij, mbeten personazhet veprues në prozat e tij të njohura, ku radhiten "Xha Brahua i Shkumbanores", "Natë kollozhegu", "Vjeshta e Xheladin Beut", "Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit", "Më kot...", "Lumi i madh", "Fshati im e pi rakinë", "Parvera në Transilvani", ku përfshihen dhe disa krijime të tij në vargje si "Poem’ kosovar", "Balta shqiptare", "Poemi i Shëndaumit" dhe "Po të vdes në dhe të huaj".

Mitrush Kuteli, i cili mbaroi studimet ekonomike në Bukuresht (Rumani), u lidh me letrat shqipe që në vitin 1928, kur filloi të botojë artikuj kritikë për shkrimtarët shqiptarë dhe tregime në Shqipërinë e re të Kostancës. Ndërkohë, në galerinë e personazheve të tij dhe në shqipen që e ruajti me fanatizëm, në fillim përfshiu njerëz dhe figura që i kishte parë me sytë e tij në shtëpi si, Dervish Hima, Avdyl Ypi, Mihal Grameno, Telemak Gërmenji, Mendu Zavalani, Themistokli Gërmenji, nëpërmjet të cilëve ruajti frazeologjinë e gjuhës së gjallë popullore në çdo vend dhe situatë. Vitin e kaluar Ministria e Kulturës e kishte shpallur vitin 2006, si vitin e Ismail Kadaresë. Festimi në Shqipëri prej disa vitesh i ditës botërore të librit u konsiderua nga ministri Pango si “një shenjë që ne tashmë bashkëndajmë të gjitha vlerat kulturore të botes së qytetëruar dhe jemi pjesë e identitetit të saj kulturor”. Prej vitesh, çdo 23 prill, në të pesë kontinentet, festohet Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit. 
 

Marre nga : Gazeta 55


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama