Regjistroni domainin tuaj .al

Kulla e Pizes dhe nje kulle monument kulture ne Orosh

Shkruar nga:  
Postuar më: 8 vite më parë

Kulla e Pizes dhe nje kulle  monument kulture  ne Orosh
Kulla e Pizes dhe nje kulle monument kulture ne Orosh

E prapë, specialistët fajësojnë qeverinë italiane se pikërisht kur ata ia kanë gjetur më në fund anën "drejtpeshimit" të kullës, ajo nuk po gjen paratë për punimet shtesë që do të përbënin dhe aktin final të shpëtimit të saj. Pa kurrfarë droje se mos qeveria do t‘ua marrë për të keq. Por nëse historia e Pizës është histori e saj dhe atë kullë relike monumentale me siguri do të vazhdojmë ta shohim ashtu në këmbë mahnitëse - halli është te kullat tona shqiptare, që ndonëse secila në veçanti nuk ka historinë e asaj të Pizës, kanë sidoqoftë historinë e tyre të përbashkët thuajse unikale. Çështja nuk është për të bërë krahasime, por për të lëshuar vërtet alarmin për ato monumente kulture, që sidomos në zonat e thella e të largëta, pak nga pak po kthehen në rrënoja në sytë tanë, ditën për diell, ani pse qeveritarët ndërrojnë poltronët kohë pas kohe, ashtu si dhe drejtuesit vendorë që nuk mund të jenë dorëjashtë në këtë mes.

Nëse nuk kemi dhe aq të dhëna se kur kanë nisur, dimë ndërkohë se kullat ekzistojnë, ruhen e mbrohen nga shteti (paçka se formalisht), pasi historia e këtyre trevave është dhe histori e kullave, katedraleve, mbishkrimeve apo stemave si ajo e shtetit të Arbrit, histori e gurit e drurit. Shtetarët, sigurisht që e dinë këtë gjë, problemi është që të ketë një tjetër vëmendje nga deri sot, pasi më pas këtyre "muzeve" në terren nuk do t‘u mungojnë as vizitorët, ku ata të huaj nuk u kanë munguar kullave prej disa shekujsh, madje shpesh duke i lënë të shkruara dëshmitë e tyre për vitalitetin e pazakontë të njeriut shqiptar ndër male. Si pa e kuptuar po bjerret një traditë e vyer që ka mbetur ende kacavarur në ca kulla të vetmuara, nga ato që na sjell herë pas here vizitori i tyre i paepur, publicisti i mirënjohur, Fatos Baxhaku, përmes reportazheve të tij të së dielës, duke na kujtuar se miti i tyre nuk ka qenë i kotë dhe as i rastit. Prej 30 vjetësh një kullë në Orosh mban në portën e saj etiketën: "Monument Kulture - mbrohet nga shteti", por që vetëm ajo etiketë dhe emri i arkivuar në katalogun e monumenteve të kulturës i ka mbetur.

Është një kullë tipike katërkatëshe që nuk ka ndonjë datim a mbishkrim, por që mund të jetë dhe e shekullit XV, përderisa ndonjë kullë tjetër aty kishte pasur punishte armësh qysh në kohën e Skënderbeut. Shkuam këto ditë atje dhe nuk u ngjitëm dot nëpër shkallë, as deri në katin e dytë, pasi gjithçka ishte në rrënim të plotë, gjer muret të çara. Nga çasti në çast ajo kullë "monument kulture" e Oroshit mund të shembet dhe askush nuk i del për zot dhe pse një zot duhet ta ketë, pikërisht atë që i ka vënë tabelëzën në portë, shtetin. Nëse për kullën e famshme të Pizës janë harxhuar miliarda, për këtë kullën tonë të Oroshit nuk do të duheshin mbase më shumë sesa për një gjysmë vile private, nuk po themi nga ato të "përfolurat" e qeveritarëve të tranzicionit. Sigurisht që nuk është fjala thjesht për një objekt, për një kullë a për një urë, por për të gjitha ato objekte të hershme që janë shpallur vlera muzeale nga shteti e që pasurojnë fondin e trashëgimisë sonë kulturore.

Kulla shqiptare ka qenë padyshim një simbol i qëndresës dhe mbijetesës në këto troje, aty janë përkundur djepat nën ëmbëlsinë e ninullave, janë kënduar këngët e kreshnikëve me lahutë, janë thurur nenet e Kanunit të Lekës, janë dhënë kushtrimet për luftërat mbrojtëse të qindvjeçarëve. Kulla nuk ishte thjesht një banesë, por një minikështjellë dhe studiuesit e kanë thënë fjalën e tyre për të, ngase historia jonë ka qenë dhe histori e mbijetesës dhe qëndresës nëpër kulla e kështjella. Nëse në 1944-ën çlirimtarët mbetën në histori për fitoren antifashiste, ata ndërkohë gabuan duke i vënë zjarrin partizan kullës së Gjomarkajve në Orosh, një monumenti shenjëzues të traditës. Ndoshta këtu e kështu nisi zemërimi i "kohës së re" me kullat duke i parë ato si simbol të së vjetrës, reaksionares, regresit. Por sot, kur gjithkund monumentet e kulturës po restaurohen, nuk ka kuptim që kullat apo të tjera monumente t‘i djegë pluhuri i harresës. Historisë së nesërme do t‘i mungojnë, por dhe turizmit malor, kur dihet që nuk ka turizëm pa histori.

Një tjetër shqetësim ka filluar të artikulohet kohët e fundit në fshatrat e luginës së Fanit të Vogël nga do të kalojë autostrada e re Durrës - Kukës, ku përflitet se projekti nuk ka mbajtur dhe aq parasysh se ndër ato shtëpi që do të shemben, mund të ketë dhe ca kulla që kurrsesi nuk duhet t‘i humbasim për shkak të vlerave historike që mbartin, ndër të cilat mund ta kapë lapsi "padashur" dhe kullën e Oroshit për të cilën po bëhet fjalë. Objekte të tilla mbase me shumë se të zotët, lipset t‘i mbrojnë institucionet e trashëgimisë kulturore. Muaj më parë u ngjiten në Munellë rreth treqind veta për të vendosur një pllakë përkujtimore në një kullë të Kimzës, pse aty në vitin 1911 qe formuar një qeveri shqiptare, një nga ato organizime që do të paraprinin krijimin e shtetit shqiptar të 1912-ës. Po të mos ishte vënë ajo pllakë, ajo kullë tashmë pa njeri brenda do të ishte shuar bashkë me historinë e saj.

Kësisoj, nëse u gjetën ca para nga Ministria e Kulturës për të mos e lejuar Bunën t‘i vente më thellë në themele manastirit të Shën Shirgjit në Shkodër, nëse dhe objekte të tjera janë marrë ku e ku nëpër duar nga specialistët e monumenteve të kulturës (dhe për këtë duhen lëvduar si ata, si funksionarët shtetërorë që i mundësuan fondet), nëse Butrinti iu nënshtrua një projekti madhor të UNESCO-s, është e udhës të kthehen sytë dhe nga malësitë, nga ku të gjithë duket se po ikin, por që nuk është kështu. Mundet të jemi më të vëmendshëm ne vetë, kur të huaj si zonja Marianne Graf, një austriake e mirënjohur nga Goessendorf-i, e cila kryeson shoqatën "Albania-Austria Partnership", ka iniciuar së fundi një projekt të shkëlqyer për rimëkëmbjen e godinës së Kuvendit Françeskan të Rubikut, një nga monumentet tona mesjetare më të spikatura dhe po punon me përkushtim për ta kthyer atë në një funksion të ri, në një "qendër shqiptare dialogu".

Në shumë vite kjo zonjë e nderuar ka kryer një vepër bamirësie kuptimplote në shërbim të komuniteteve të Mirditës, Pukës e të tjerë, ashtu si dhe në Kosovë në vitin 1999; ka publikuar në shqip dhe gjermanisht dhe një album me vlera të rralla njohëse për Shqipërinë e Veriut - nga Petrela në Jezercë, ndër botimet më të mira të llojit, promovuar kohët e fundit në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës. E pra, ndër punët e saj të shumta, bamirësinë e ka shtrirë dhe thellë në të shkuarën, në rrënjët e së vjetrës, duke përzgjedhur për restaurim "kullën" e françeskanëve, e një moshe me kullën e Pizës. 18 prilli është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Ministria e Kulturës ka lëshuar sinjalin se monumentet do të jenë objekt ruajtjeje nga ana e saj, duke lajmëruar kështu më shumë përgjegjshmëri ndaj trashëgimisë kombëtare, madje ka pasur dhe një reagim serioz të kësaj ministrie ndaj dëmtimeve të vërejtura kohët e fundit në disa objekte si "Shpella e Trenit" në Devoll të Korçës, me status të dyfishtë si monument kulture dhe natyror mijëvjeçar.

Kur rrezikohen monumentet, kur shemben kullat, urat, muret e vjetra të historisë, "shembet" një identitet i yni dhe kjo është e pafalshme për një qytetërim modern, të cilit s‘duhet t‘i shkasin nga duart monumentet dhe t‘i mbeten ndër këmbë rrënojat. Inventarët dhe pasaportat e thata të objekteve muzeale nuk i hyjnë kujt në punë nëse nuk i kemi vetë ato të vitalizuara. Është për t‘u përmendur fakti i bukur, ku vitet e fundit falë ndjeshmërisë së subjekteve private, kemi jo vetëm muzeun e parë privat në kryeqytet, por dhjetëra lokale që kanë imituar e stilizuar traditën shqiptare në mure, pajisje, kulinari e të tjerë në shumë qytete të vendit. Janë institucionet përkatëse të specializuara, njësitë e pushtetit vendor ato që lipset të sensibilizojnë më shumë, të paraqesin dhe mbështesin projekte për monumentet që fatmirësisht ende i kemi.


Marre nga : Gazeta Shqip

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi