Regjistroni domainin tuaj .al

Fatos Kongoli: Liria në kuti shkrepësesh

Shkruar nga:  
Postuar më: 8 vite mĂ« parĂ«

Fatos Kongoli: Liria në  kuti shkrepësesh
Fatos Kongoli: Liria në kuti shkrepësesh

Autor i një vargu librash, ai shquhet sidomos për romanet e tij. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari e Serbi, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha evropiane si Le Monde, Le Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, L'Express, Magazine Littéraire, Der Tagesspiegel, etj. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit Velia (2000). Fitues i çmimit ndërkombëtar "Balkanika"-2002, Kongoli është gjithashtu fitues i çmimit "Penda e Artë" në Shqipëri (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin "Shkrimtari i vitit" për 2006-ën, ndërsa romani "Lëkura e qenit", përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani.

Ngjarja

Diku, në një apartament luksoz, në një prej pallateve të larta, më të rejat e kryeqytetit ndodh një krim. Vrasësi është një gazetar, pronar i apartamentit, i cili pas një bashkëjetese prej dy vjetësh, sapo është ndarë me mikeshën e tij, gjithashtu gazetare drejtuese e një emisioni të përjavshëm televiziv me VIP-a. Në vazhdën e një teknike tashmë të sprovuar të autorit, romani zhvillohet në dy kohë. Koha reale: dy javë të muajit korrik të vitit 2004, kur gazetari në një gjendje psikike të rënduar, kryen aksidentalisht krimin. Dhe koha tjetër që përfshin jetën e këtij personazhi të ditëve tona, lindur tridhjetë e dy vjet të shkuara, në një apartament modest, në një pallat modest, në një lagje modeste të kryeqytetit. Një jetë e ndrydhur dhe e mbyllur në përmasat e një kutie shkrepësesh….

Titulli: Jetë në një kuti shkrepësesh.

Autori: Fatos Kongoli

Roman

Shtëpia botuese: Toena

Çmimi: 600 lekë.

Ai zbulon universin e së zakonshmes. Por mënyra se si e bën këtë është ndryshe. Tashmë i sprovuar në penën e tij, Fatos Kongoli arrin të sjellë diçka thellësisht reale, që pasi e ka filtruar në imagjinatën e vet bëhet edhe më e prekshme, më njerëzore. Dhe me një gjuhë që godet më tepër….

"Jetë në një kuti shkrepësesh" përmes përjetimesh dëshmon edhe për hapësirat e ngushta të jetës ku është zhytur një pjesë e mirë e jona. Në një shoqëri ku pabarazia sociale dhe moskomunikimi vendosin si përballë dy pasqyrash ligësinë, poshtërsinë e më tej dobësinë njerëzore në kërkim të shpëtimit…

Sapo jeni shfaqur me një libër të ri. Çfarë sillni ndryshe në paraqitjen tuaj kësaj radhe?

Mendoj se në këtë libër në radhë të parë është i ndryshëm trajtimi, personazhet. Shumëçka është e ndryshme, që unë nuk mund ta them dot me dy fjalë.

Në qendër të romanit është një gazetar. Pse? Mos lidhet kjo edhe me faktin që për disa vite keni punuar si gazetar?

Nuk e kam zgjedhur qëllimisht. Idenë e këtij romani unë e kam krijuar në kokë kohë më parë. Fakti që është gazetar, është i rastësishëm. Për mua, më tepër rëndësi kanë ato që ndodhin në roman, ideja që përcillet. Pavarësisht se aspekti që ky punon gazetar ka rëndësinë e vet. Unë i njoh mjediset e gazetarisë. Jam përpjekur që nëpërmjet këtij personazhi të shfaq të gjitha shqetësimet e mia.

Duke pasur parasysh këtë fakt, por dhe detaje të tjera të librit të krijohet ideja se në një pjesë të madhe bëhet fjalë për një libër autobiografik…

Mua më kanë pyetur gjithmonë për librat e mi, nëse janë apo jo autobiografikë. Në fakt, gati gjithçka lidhet me ngjarje të jetës sime vetjake. Por personazhet e mi të të gjithë librave në përgjithësi, edhe janë edhe s'janë nga jeta reale. Ata sigurisht janë nga jeta reale, sepse i përkasin një realiteti të caktuar. Por nuk janë, sepse janë prodhim i fantazisë sime. Ata janë të ndërtuar, janë tipa që ndoshta ekzistojnë në jetë kështu. Por i kam ndërthurur unë, vijnë nga brendësia ime. Në këtë pikëpamje nuk kanë asgjë reale, janë të prodhuar. Pastaj varet nga vërtetësia, nga besueshmëria e tyre nëse janë realë për lexuesin apo jo.

Në këtë vijë, në ç'mënyrë i ndërtoni personazhet tuaja? Ç’përfaqësojnë ata për ju te ky roman dhe ç'doni të përcillni përmes tyre?

Personazhet e mi, siç është vënë shpesh në dukje nuk janë heronj. Janë njerëz të zakonshëm, njerëz anonimë në përgjithësi. Por në vetvete ata kanë personalitetin e tyre, kanë jetë dhe përjetime shumë interesante. Kështu që në këtë pikëpamje unë i ndërtoj këta personazhe. Nuk synoj të jap ndonjë mesazh apo të nxjerr ndonjë moral përmes tyre. Unë kam shumë vlerësim për lexuesin dhe është ai që sipas mënyrës së vet mund të "vjeli" mesazh.

"Jetë në një kuti shkrepësesh". Si mendoni se mund të gjenden hapësira në përmasa 'shkrepësesh' dhe pse ky titull?

Titulli "Jetë në një kuti shkrepësesh" sigurisht është metaforik. Përveç të tjerash, në këtë libër të fundit, mua më ka interesuar edhe një fakt. Shfaqjet skizofrenike të shoqërisë së sotme shqiptare të tranzicionit lidhen midis të tjerash edhe me faktin e dimensioneve të ndrydhura, të hapësirave të tyre të jetesës që kanë qenë të ngushta, të ndrydhura. Kjo, padyshim ndrydh edhe botën e brendshme, psikologjinë e personazheve. Dhe kjo shfaqet në forma shpesh të dhimbshme.

Mendoni se shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në kuti shkrepësesh?

Mendoj se po.

Po për një shkrimtar sa e vështirë është të gjejë lirinë në një jetesë me përmasa të tilla?

Hapësira është e brendshme, konkrete. Është një koncept shumë i gjerë. Hapësirën njeriu e ka brenda vetes. Edhe lirinë, apo mungesën e lirisë. Mund të them se unë sot gjej lirinë time vetjake. Kaq.


Bisedoi: B. Goce -Gazeta Matropol

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi