Shteti dardan 2400 vjet me pare

Shteti dardan 2400 vjet më parë

Mbretëria dardane shtrihej në territorin e sotëm të Kosovës dhe të Maqedonisë Veriperëndimore, në Serbinë Jugore dhe një pjesë të Sanxhakut. Dardanët, ashtu si dhe ilirët e tjerë u bashkuan 2400 vjet më parë në mbretërinë e tyre. Studimet mbi etnosin ilir dhe origjinës së tyre kanë treguar se, kultura ilire është formuar në këtë truall në bazë të kulturave më të vjetra të epokës së Bronzit. Dardanët ilirë që jetuan në truallin e Kosovës së sotme janë pasardhës të drejtpërdrejtë të grupeve etnike që e populluan këtë pjesë të Evropës qysh nga fundi i Neolitit. Grekët i quajnë ilirë ata popuj të cilët jetojnë mbi Maqedoninë dhe Thrakinë prej kufirit të Kaonëve dhe Tesprotëve deri te lumi Istros (Danubi).


Fisi ilir dardan
Një ndër shtatëdhjetë fiset ilire, që banonin në një trevë të gjerë, ku zemrën e trojeve të tyre e përbënte Kosova e sotme, ishin dardanët. Herodoti në veprën e tij “Historia”, të cilën e shkroi në mesin e shekullit V para Krishtit, shkruan: Nga tokat e ilirëve, duke rrjedhur në drejtim të veriut, lumi Agri mbasi futet në tokat e tribalëve derdhet në lumin Brong, kurse Brongu në Istër. Ndërsa Straboni, gjeograf i njohur i shekullit I para Krishtit, i cili përshkruan gjendjen etnike të Ballkanit antik nënvizon: -....nga ana e Adriatikut janë fiset ilire, ndërsa nga ana e Pontit fiset thrake; në kufi me Thesalinë është Rodopi, mal shumë i lartë pas Hemit, dhe nga ana tjetër, në veri, viset ilire, d.m.th vendi i autoriatëve dhe dardanëve. Mbështetur në lidhjet etno-kulturore të këtij rajoni, fisi ilir dardan mendohet se është përhapur në kufijtë që mund të ndiqen në veri të Novi Pazarit, Nishit, në të gjithë Kosovën, Maqedoninë Veriore si dhe në rrethet Kukës dhe Tropojë të Shqipërisë Verilindore.


Dardanët para mbretit Longar
Historia e shtetit dardan nuk njihet që në fillimet e tij, pasi mungojnë të dhënat nga burimet e autorëve antikë. Shteti dardan shfaqet në histori në shekullin IV para Krishtit, pra 2400 vjet më parë, kur maqedonët sulmuan shtetin ilir. Në dokumentacionin historik të kohës që është e lidhur me vitin 344 para Krishtit, nuk përmendet emri i mbretit të dardanëve. Më pas, gjatë shekullit III para Krishtit, Dardania shfaqet në skenën politike si shtet i organizuar mirë me një forcë të fuqishme ushtarake. Kjo vërehet qartë në ndihmën ushtarake që ata i ofrojnë Maqedonisë, të cilët në këtë kohë ishin në luftë mes fiseve barbare kelte. Në këtë kontekst këto ngjarje janë të evidentuara nga Justini, i cili shkruan:- ... vetë mbreti i Maqedonisë, Ptolemeu, e priti i shkujdesur lajmin e afrimit të galëve. Ai u soll me përbuzje ndaj propozimit të dardanëve, të cilët i çuan fjalë me anë të delegatëve, se mund t’i jepnin 20 mijë luftëtarë në ndihmë. Në mënyrë fyese ai u tha se kjo është punë e Maqedonisë: Maqedonët që nënshtruan të gjithë Lindjen nuk kanë nevojë për dardanët për të mbrojtur kufijtë e tyre. Kur i thanë këto fjalë mbretit të dardanëve, ai u përgjigj se së shpejti mbretëria e lavdishme maqedone do të bjerë nga papjekuria e një të riu. Historianët antikë nuk thonë se cili ishte mbreti dardan që i propozoi Ptolemeut aleancën kundër galëve dhe as arsyen e vërtetë politike të refuzimit të saj. Po ashtu, historianët nuk përmendin emrat e mbretërve dardanë edhe në ngjarjet e mëvonshme historike, periudhë kjo kur Dardania del në skenë politike si një fuqi kërcënuese për Maqedoninë. Së bashku me mbretërinë ilire të Agronit, mbretëria dardane po rritej dhe forcohej shumë në krahasim me mbretëritë e tjera që ishin në atë kohë në Ballkanin e sotëm. Ne nuk dimë ende emrin e mbretit që udhëhoqi në këtë kohë kur disa ngjarje na tregojnë se mbretëria dardane luante një rol mjaftë të rëndësishëm në Ballkan.


Pozita gjeografike
Falë pozitës së rëndësishme, në komunikacionin antik të Ballkanit, pasurive minerare, si në ar, argjend, hekur, zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë etj., mbretëria dardane menjëherë filloi të luajë një rol shumë specifik në ngjarjet që zhvilloheshin në atë kohë në botën e lashtë. Gërmimet arkeologjike dhe burimet historike dëshmojnë se dardanët në kohën historike formuan shtetin e tyre dhe arritën një zhvillim të dukshëm ekonomik dhe shoqëror. Kryeqyteti i mbretërisë dardane ishte Domastioni, i cili në këtë kohë kishte monedhën e tij me emrin e qytetit. Në simbolet e monedhës janë përdorur çekani i minatorit, që dëshmon se qyteti ishte qendër e një treve me minerale argjendi. I ndodhur pranë minierës së argjendit, në tokat e dyestëve, ky qytet u krijua si një qendër zejtarësh e organizuar politikisht në shembullin e qyteteve të kohës. Argjendi dardan ishte një nga burimet kryesore të veprimtarisë monetare, i cili kishte pushtuar tregjet në qytetet si Apollonia, Dyrrahu në shekujt IV-I para Kr. Kaq e rëndësishme ishte ky aktivitet sa Plini, një historian antik, thotë se: ....rrathë ari që vinin nga Dardania dhe prandaj quheshin dardanë.

 
Organizimi i mbretërisë dardane
Mbretëria dardane kishte një ushtri të rregullt, të madhe, me këmbësorinë dhe kalorësinë. Nga historia mësojmë se dardanët kishin mbretin i cili nuk e drejtonte i vetëm. Për krah tij ishin miqtë e mbretit, burrat më të mençur, drejtuesit e ushtrisë me komandantin e kalorësisë, komandantin që ruante kufijtë e mbretërisë, përfaqësues në mbretëri të tjera fqinje etj. Ajo që ne njohim më mirë në fazën e parë të organizimit të mbretërisë dardane, është organizimi i ushtrisë si dhe zhvillimi i zejtarisë. Megjithëse në Dardani ka mbizotëruar popullsia fshatare, në të ka qenë e zhvilluar edhe jeta qytetare. Qendër-banimet e fortifikuara ose gradinat e Kosovës, të zbuluara në një numër relativisht të madh, tregojnë qartazi mbi zhvillimin e jetës urbane të kësaj periudhe. Duke i krahasuar me qendrat e fortifikuara të mbretërisë ilire ato sapo kishin filluar të merrnin tiparet e qendrave të vogla qytetare.


Mbretëria dardane gjatë sundimit të Longarit
Longari është sundimtari i parë dardan që ne njohim me emër, i cili çliroi Paioninë në vitin 231 para Krishtit. Në fund të shekullit III para Kr. ushtria dardane së bashku me ushtrinë ilire arritën të çlirojnë disa krahina, të cilat më parë ishin pushtuar nga maqedonasit. Në këtë betejë dardanët kapën 20000 robër. Sipas burimeve historike, dardanët kishin krijuar një mbretëri të fuqishme në brendi të Ballkanit. Në këtë kohë ata forcojnë miqësinë me shtetin ilir. Mbretëria dardane dhe ajo ilire të shqetësuara vazhdimisht nga ushtria ekspansioniste maqedonase, lidhën aleancë me Romën për të mbrojtur kufijtë e mbretërive. Më pas dardanët me mbretin e tyre Longar, zhvilluan luftime me mbretërinë maqedonase së bashku me mbretin ilir Skerdilaidin dhe Republikën e Epirit. Gjatë mbretërimit të Longarit, dardanët njohën një zhvillim shumë të madh ekonomik dhe ushtarak në Ballkanin Qendror. Tashmë ata kishin një ushtri të rregullt të organizuar dhe të armatosur. Kjo vërehet mjaft qartë në betejën që vuri përballë njëra-tjetrës ushtrinë e armatosur rëndë të dardanëve, kundër kalorësisë së lehtë të stërvitur mirë të maqedonasve, e cila përfundoi pa fitoren e asnjërës palë. Taktika që përdori ushtria dardane në këtë betejë bëri që ajo të mos kishte humbje dhe të mos mbetej asnjë rob në duart e ushtrisë maqedonase.

Mbretërit Bato dhe Monun
Historia e mbretërisë dardane në periudhën e sundimit të mbretit Bato dhe Monun është e lidhur në planin diplomatik me aleancat që ky shtet kishte me shtetin ilir dhe Romën. Kjo aleancë antimaqedonase shprehet mjaftë qartë në vitet 200-176 para Krishtit. Në këtë periudhë dardanët e futën në koalicionin antimaqedonas në aleancë me Romën dhe mbretëri të tjera, të cilat kishin qenë seriozisht të kërcënuara nga mbretëria maqedonase. Tek Livi përmendet në vitin 200 para Krishtit, Batoja, i biri i Longarit, si mbret i dardanëve. Ai thotë.....erdhën mbretër të ndryshëm e prijës fqinjë të maqedonasve, midis të cilëve Pleurati, i biri i Skërdilaidit dhe Batoja i biri i Longarit. Filipi V i Maqedonisë duke ndjerë rrezikun e humbjes së luftës me dardanët që tashmë kishin sulmuar mbretërinë maqedonase, thirri në këtë luftë një fis barbar i cili jetonte në veri të Danubit, që njihen me emrin bastarnëve, të cilëve ju premtua që pasi të shkatërronin dardanët të vendoseshin në tokat e tyre. Tit Livi shkruan se, qëllimi i Filipit ishte...që të zhdukte fisin e dardanëve dhe të vendoste në tokat e tyre bastarnët. Ky plan më pas u realizua nga i biri Perseu.

Vendbanimet, kultura dhe veshjet
Shfaqja e një serë vendbanimesh buzë luginave të lumenjve, në periudhën e Bronzit (2100-1200 para Krishtit), shpjegohet me krijimin e një tërësie etno-kulturore gjeografike që shtrihet në territorin e Kosovës antike. Riti i varrimit, kultura materiale si dhe mjaft elementë të tjerë përbërës, tregojnë se banorët e kësaj treve në shek. XII-VIII para Krishtit, kishin krijuar një njësi etnografike e kulturore të përbashkët. Nisur nga materiali arkeologjik i zbuluar mendohet se, gjatë kësaj periudhe në Ballkanin Qendror, në Dardani, është krijuar një njësi etnografike që ka karakteristikat e veta kulturore, të cilat reflektohen dhe në zbukurimet e veshjeve. Kjo veçori e përgjithshme, përkrah shumë shenjave të tjera, dëshmon se rruga e formimit të etnosit ilir në truallin e Dardanisë nuk është e veçantë nga zhvillimi i kulturës ilire në përgjithësi. Historianët e kohës antike kanë shkruar se Dardania kishte shumë qytete të mëdha që ndodheshin afër minierave ose pranë rrugëve kryesore tregtare. Dardanët ishin dhe zejtarë shumë të zotë sa prodhimet e tyre u njohën dhe në vende të tjera të lashta të botës mesdhetare.

Mbretëria dardane në shekullin IV-I para Krishtit
Mbretëria dardane shtrihej në territorin e sotëm të Kosovës dhe të Maqedonisë Veriperëndimore, në Serbinë Jugore dhe një pjesë të Sanxhakut. Dardanët, ashtu si dhe ilirët e tjerë u bashkuan 2400 vjet më parë në mbretërinë e tyre.

Ku shtrihej mbretëria dardane
Treva ku u formua mbretëria dardane ndodhej në zemër të Ballkanit dhe është trualli ku historianët e vjetër kanë vendosur fisin e madh të dardanëve. Ky rajon në kohën e lulëzimit të mbretërisë dardane arrinte në veri deri në lumenjtë e Agros (Morava e Ibari) dhe qyteti Nais, në kufirin me autoriatët e skordiskët. Në jug mbretëria dardane shkonte deri te rrjedhja e lumit Axios (Vardar) duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë e Penestinë. Ndërsa në lindje, lumi Margos (Morava Perëndimore) e ndante Dardaninë nga Trakia. Në perëndim lumi Drin dhe mali i Sharrit e kufizonin nga trualli i shtetit ilir. Dardania e lashtë në vija të përgjithshme i përgjigjet territorit të sotëm të Kosovës.

Si shprehet një historian i vjetër për dardanët
…dardanët kanë kaq shumë skllevër sa dikush kishte njëmijë….kurse të tjerë edhe më shumë. Secili nga këta (skllevër) në kohë paqe punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri, duke pasur si prijës të zotin e vet.

Beteja e udhëhequr nga Monuni
Beteja e zhvilluar në vitin 176 para Kr. e udhëhequr nga i biri i Longarit, Monuni, ishte shumë dramatike. Ja si përshkruhet kjo nga Tit Livi...Posa mësuan këtë tërheqje, e cila i la bastarnët vetëm me forcat e tyre, ata (dardanët) i ndanë trupat në dy ushtri, njëra prej të cilave duhej të marshonte drejt armikut dhe ta sulmonte në ballë, ndërsa tjetra do ta sulmonte nga prapa pasi të sillej nëpër rrugë të fshehta. Por beteja filloi para se kjo ushtri t’i dilte prapa armikut dhe dardanët të mundur u tërhoqën në qytet, i cili nuk ishte veçse dymbëdhjetë milje larg lëmit të bastarnëve. Fituesit e rrethuan menjëherë qytetin, të bindur se armiqtë do të dorëzoheshin që të nesërmen nga frika, ose do ta pushtonin menjëherë me anë të forcës. Ndërkohë, ushtria tjetër e dardanëve, që e kishte bërë rrugën e vet, duke mos ditur humbjen e së parës, e gjeti pa mbrojtje lëmin e bastarnëve dhe e shtiu në dorë pa asnjë mundim. Ja se çfarë shkruhet për një nga betejat që zhvilloi mbreti i dardanëve me ushtrinë maqedonase, më të fortën e asaj kohe: Tit Livi.....kur dardanët kthyen flamujt dhe u vendosën në radhë të rregullt përballë armikut, beteja u zhvillua si një luftë e vërtetë….
……U vranë pak, të plagosur pati më shumë, por asnjë nuk u zu rob, sepse në raste të rralla dalin nga radhët e tyre dhe të shtrënguar të gjithë së bashku luftojnë ose tërhiqen. Në këtë kohë mbretëria dardane ishte mirë e organizuar, gjë që reflektohet në disa drejtime. Ekonomia dardane e bazuar në zejtari, bujqësi dhe blegtori ishte integruar në qarkullimin tregtar të vendeve të Mesdheut.

Prodhimet bujqësore dhe blegtorale në Dardani
Prodhimet bujqësore apo blegtorale si dhe argjendi dardan ishin shumë të rëndësishëm për qytetet ilire të bregdetit Adriatik si, Dyrrahu dhe Apollonia dhe më gjerë. Rruga që lidhte dardanët me ilirët e bregdetit ishte padyshim ajo e Drinit. Nëpërmjet saj qytetet ilire të Scodrës (Shkodrës) dhe Lisit (Lezhës) bënin tregti me qytetet dardane. Po ashtu të dhënat historike për këtë periudhë tregojnë se në mbretërinë dardane kishte marr hov rritja e jetës qytetare, si p.sh. në qytete si Domastioni, Uskana, Draudaku etj. Njëkohësisht kishte filluar zbatimi i programit të ndërtimit të një sërë kështjellave, të cilat do të mbronin tërë territorin e mbretërisë. Natyrisht, programe të tilla mund të realizoheshin vetëm nga një mbretëri e organizuar mirë, e cila administronte resurset natyrore dhe potencialin ekonomik të shtetit.

Marre nga : Veriu.com


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama