Principata e Arbrit

Ballafaqimi i Perandorisë Bizantine me normanët e Italisë dhe me kryqëzatat në shek. XI-XII, nxori në plan të parë rolin e shqiptarëve dhe të tokave shqiptare që u ndodhën në qendër të këtij ballafaqimi. Qëndrimi i shqiptarëve përcaktoi dukshëm zhvillimin e fushatave ushtarake të Perëndimit, ndaj pushteti qendror bizantin u përpoq ta mbante në anën e vet fisnikërinë shqiptare, duke e joshur atë me privilegje e tituj deri dhe me ofiqe të lakmueshme në ushtrinë dhe administratën bizantine. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XI në burimet historike përmenden familje fisnike shqiptare, si Skurra, Arianiti, Muzaka, Topia, Meksha, Jonima, Pliti, Blinishti, Kamona, që mbanin tituj të lartë bizantinë. Veçanërisht në shek. XII, shumë i përhapur ishte titulli sebast, që lidhet me periudhën e sundimit të dinastisë Komnene e posaçërisht me atë të Manuelit I (1147-1181). Luftërat e këtij perandori sa në Itali aq edhe në Ballkan, kryesisht kundër serbëve të Rashës, e rritën rolin dhe peshën ushtarake të faktorit shqiptar. Fisnikët shqiptarë ishin fuqizuar mjaft. Ndërkohë, ata shfrytëzuan privilegjet dhe ekskusitë e akorduara nga pushteti qendror, për të rritur shkallën e autonomisë së tyre. Ky proces zhvillimi politik autonom i feudalëve dhe i krahinave të veçanta eci më shpejt në trevën qendrore të Arbrit, me rol strategjik e ushtarak të posaçëm. Në gjysmën e dytë të shek. XII këtu kishte ndodhur me siguri një proces përqendrimi pushteti. Në vitin 1166 përmendet, në fakt, një prior Arbanensis (princ i Arbrit). Së bashku me disa klerikë të lartë nga Arbri ky mori pjesë në përurimin e kishës së re të Shën Trifonit në Kotorr. Në ceremoni merrte pjesë dhe "duka e komandanti" bizantin për Dalmacinë, Dioklenë e për Arbërinë, Isaku. Kjo tregon se priori i Arbrit, Andrea, e njihte ende formalisht sovranitetin bizantin. Megjithatë, në këtë kohë autonomia politiko-administrative e Arbrit ishte rritur së tepërmi, siç tregojnë edhe privilegjet e vitit 1153 të perandorit Manuel për kryeqendrën e Arbrit, Krujën. Duke u nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që vendosi me Papatin, perandori Manuel u tregua liberal edhe përsa u përket marrëdhënieve kishtare; në kohën e tij riti katolik njohu një përhapje të gjerë jo vetëm në Shqipërinë e Epërme, por dhe në atë Qendrore, posaçërisht në Arbër.
Këto zhvillime në Shqipëri, që përkonin në një plan më të gjerë me thellimin e procesit të feudalizimit të Perandorisë Bizantine, me dobësimin e pushtetit qendror dhe decentralizimin e tij, në fundin e shek. XII, çuan në krijimin e një strukture me tipare të qarta shtetërore në trevën e Arbrit dhe në kristalizimin e një dinastie sunduese vendase. Duke u nisur nga titulli "princ" (princeps), që papa Inocenti III i dha më 1208 njërit prej krerëve të saj, Dhimitrit, kjo strukturë shtetërore është quajtur zakonisht në historiografi "Principatë e Arbrit", njëlloj siç është quajtur "Despotat i Epirit", formacioni fqinjë me Principatën e Arbrit, me qendër në Artë, i cili kishte në krye një despot.
Pas rënies së dinastisë së Komnenëve dhe me ardhjen në fronin bizantin të dinastisë së dobët të Engjëllorëve, treva e Arbrit fitoi tiparet e një shteti të pavarur. Themelues i tij ishte Progoni (1190-1198), pushtetin e të cilit e trashëguan të bijtë, Gjini (1198-1206) dhe Dhimitri (1206-1216). Dokumentet e rralla të kohës nuk thonë se cilës familje të Arbrit i përkisnin këta. Ka shumë gjasë që sundimtarët e Arbrit në kapërcim të shek. XII-XIII t'i përkisnin familjes Skurra nga malësia e Tiranës, ku emri Skurrë ndeshet ende në toponiminë dhe antroponiminë e vendit. Emri i kësaj familjeje ndeshet vazhdimisht në burimet e shek. XII-XIII si ndër më kryesoret e Arbrit. Për pozitën e lartë shoqërore të saj flet edhe varri familjar i sebastit Mihal Skurra në kishën e Shën Mërisë së Brrarit i vitit 1201, apo varri i fisnikut tjetër nga kjo familje, Anton Skurrës, në kishën e Shën Ndout në Lezhë. Për pozitën e veçantë që kjo familje kishte në shek. XII-XIII në gjirin e fisnikërisë shqiptare, flet dhe fakti që pinjollë të saj lidhën krushqi deri edhe me familjen perandorake bizantine. Edhe princi Dhimitër i Arbrit u martua me mbesën e perandorit bizantin Aleksi II Engjëlli, Komnenën, lindur nga martesa e vajzës së këtij të fundit, Eudokisë, me mbretin e Serbisë, Stefan Nemanjën e Kurorëzuar. Princesha Komnena, që kishte lindur jo para vitit 1191, ishte në moshë të mitur kur aty nga viti 1202, iu blatua princit Dhimitër të Arbrit, gjë që në vetvete flet për karakterin politik të kësaj martese. Martesa e Dhimitrit të Arbrit me Komnenën synonte edhe të normalizonte marrëdhëniet me Stefan Nemanjën e Serbisë, i cili në vitet e fundit të shek. XII kishte mundur të pushtonte mjaft toka në Kosovë e në Diokle (Gentë). Nemanja e vazhdoi përparimin në thellësi të tokave shqiptare, duke marrë edhe trevën e Pultit (malësia në të dy anët e lumit Drin të bashkuar) që bënte pjesë në Principatën e Arbrit. Pas lidhjes familjare me Nemanjët e Serbisë, Principata e Arbrit ruajti në mënyrë të qëndrueshme shtrirjen Drin-Shkumbin, të përfshirë midis Lezhës, Durrësit, Ohrit e Dibrës.
Principata e Arbrit e arriti kohezionin e saj më të madh nën sundimin e Dhimitrit. Nën autoritetin e tij u vunë atë kohë edhe familje të shquara të Arbrit, siç qenë Jonimët, Plitët, Shtëpanët, Kamonat etj. Në një traktat paqeje të nënshkruar prej tij më 1210 me Republikën e Raguzës, Dhimitri i quan këta, sipas së drejtës feudale perëndimore, "njerëzit e mi" (homines mei). Edhe titujt "gjykatës" (iudex) apo "princ" (princeps) që i atribuohen Dhimitrit prej papës Inocenti III, flasin për pozitën e tij të dalluar në gjirin e fisnikërisë së Arbrit. Ato tregojnë gjithashtu se familja e princërve të Arbrit në kapërcim të shek. XII-XIII ishte e ndikuar nga kultura dhe feudalizmi perëndimor. Këtë e konfirmon edhe hapi i ndërmarrë më 1208 nga princi Dhimitër për të kaluar në ritin katolik, duke u lidhur me kishën katolike të Romës. Me gjithë ndikimet që modelet feudale perëndimore patën në organizimin dhe në ndërtimin e Principatës së Arbrit, tradita bizantine mbetej ende shumë e fuqishme. Vetë Dhimitri parapëlqente të përdorte titujt bizantinë me prestigj panhypersebast apo megas arhond, ashtu si bujarët e tjerë mbanin titujt po bizantinë sebast ose protosebast. Qendra e Principatës së Arbrit ishte në qytetin e Krujës. Në kohën e Dhimitrit, Principata zotëronte edhe një dalje në det, në pjesën bregdetare midis Bishtit të Pallës dhe derdhjes së lumit Mat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama