Piktori korçar, Sotiraq Xega, ka hedhur me penel mbresat dhe përshtypjet e tij për bukuritë e malit të Moravës, duke krijuar 100 punime me dimensione të vogla, të cilat i ka prezantuar mbrëmjen e djeshme (e martë) për artdashësit, në galerinë e artit "Guri Madhi" në qytetin e Korçës.
Piktori Xega e ka titulluar ekspozitën "Çfarë ka qytetari i Korçës pas shpine" për t'u kujtuar bashkëqytetarëve të tij madhështinë e malit të Moravës. Autori ka përdorur teknikën e tempera-s dhe akuarelit për të sjellë bukuritë e këtij mali, që siç shprehet vetë ai, "janë sjellë me dimensione të vogla, por me një larmi të madhe ngjyrash".
Në 100 punimet e tij, artisti Xega ka luajtur me ngjyrat e malit të Moravës, me një teknikë të rrjedhjes e monotipit, duke realizuar piktura në stilin klasik. Vizitorët i kanë vlerësuar punimet me tematikë natyrën e malit të Moravës dhe po vazhdojnë ta ndjekin atë me interes.
Sotiraq Xega është një nga piktorët më të njohur në qytetin e Korçës. Ai është prezantuar për artdashësit me shumë ekspozita personale, ndërsa ka marrë pjesë me punimet e tij në një sërë aktivitetesh, në nivel lokal dhe kombëtar.
Marre nga : Koha Jone